Ministri Manjani takon homologun e tij në Turqi - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 16/02/2016

Ministri Manjani takon homologun e tij në Turqi

Ministri i Drejtësısë z. Ylli Manjani, u takua sot me Ministrin e Drejtësisë të Republikës së Turqisë, z. Bekir Bozdağ. Takimi u zhvillua me ftesë të homologut turk në një atmosferë miqësore, ku u theksua tradita e shkëlqyer e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë, e cila merr shkas edhe nga lidhja e ngushtë historike, kulturore dhe sociale që ekziston mes dy vendeve.

 

Në takim Ministri Manjani, përcolli përshëndetjet e Kryeministrit të Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare për qeverinë turke. Në diskutimet dypalëshe u theksua nevoja për bashkëpunim reciprok edhe më të ngushtë në vazhdim, ndërkohë që u vlerësua niveli shumë i lartë i bashkëpunimin të deritanishëm në fushën e drejtësisë.

 

Ministri Turk informoi delegacionin Shqiptar për stadin në të cilin ndodhet Turqia sa i përket reformimit të sektorit të drejtësisë, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore që janë ndërmarrë, të cilat përkojnë në kohë edhe me reformën ligjore në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Nga ana e tij, Ministri Manjani theksoi nevojën për të forcuar bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, veçanërisht në drejtim të shkurtimit të afateve të qarkullimit të dokumentacionit dhe informacionit reciprok për çështjet e drejtësisë dhe bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar, ekstradimeve dhe kërkesave për ndihmë juridike; krijimit të agjensive të përbashkëta të udhëzimit dhe informimit ligjor për qytetarët turq dhe shqiptarë, sidomos për komunitetin e biznesit; forcoimit të elementëve të protokolleve të marrëveshjeve bilaterale që ndihmojnë qeveritë tona për të luftuar me efikasitet krimin e organizuar dhe trafiqet etj. Gjithashtu, u theksua nevoja për hetime të përbashkëta të veprave të krimit dhe trafikut, hetime të cilat rrisin aftësinë provuese të prokurorëve të dy shteteve. Me rëndësi ishte edhe shkëmbimi i mendimeve për të përmirësuar bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit. Të dy ministrat u angazhuan për të lehtësuar komunikimin ndërmjet institucioneve ligjzbatuese të të dy vendeve.

 

Në vijim të këtij takimi, Ministri Manjani zhvilloi një vizitë në Akademinë Turke të Drejtësisë, që është ekuivalente me Shkollën e Magistraturës në Tiranë. Në takimin me Drejtorin e kësaj akademie, z. Yılmaz Akçil, u konfirmua marrëdhënia e ngushtë bashkëpunuese ndërmjet dy shkollave tona dhe z.Manjani u angazhua për ta forcuar akoma më tej.

 

Në përfundim të vizitës Ministri Manjani u prit edhe nga Kryetari i Gjykatës së Lartë të Turqisë, z. İsmail Rüştü Cirit. Në këtë takim u theksua nevoja për më shumë bashkëpunim ndërmjet dy gjykatave tona të Larta, veçanërisht në drejtim të shkëmbimit të përvojës për zgjidhje të çështjeve në interes të qytetarëve të të dy vendeve. Kryetari i gjykatës mirëpriti propozimin e Ministrit Manjani për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet gjykatave të larta të Ballkanit, në drejtim të unifikimit të praktikave gjyqsore në vendet tona për çështje të përbashkëta.