Ministri Manjani takon Ambasadorin Francez, z. Bernard Fitoussi - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 03/12/2015

Ministri Manjani takon Ambasadorin Francez, z. Bernard Fitoussi

 

Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani ka zhvilluar sot një takim me Ambasadorin Francez në vendin tonë, z. Bernard Fitoussi.

Gjatë takimit, Ambasadori Fitoussi i garantoi Ministrit Manjani të gjithë asistencën e shtetit francez por edhe ndihmën e tij personale lidhur me mbështetjen ndaj proceseve reformuese në sistemin e drejtësisë.

Z. Manjani i ka shprehur mirënjohjen Ambasadorit Fitoussi për të gjithë bashkëpunimin e deritanishëm dhe mbi të gjitha për afërsinë, partneritetin dhe miqësinë që shteti francez i ka ofruar vendit tonë.

Bashkëbiseduesit kanë rënë dakort për vijimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, përmes marrëveshjesh tek të cilat është e nevojshme projektimi i nevojave që fokusohen në  çështje më rëndësi të veçantë, përsa i takon gjyqësorit, prokurorisë, etj.

Biseda është ndalur në tema konkrete se si mundet të konkretizohet reforma në drejtësi, në problemet më emergjente të sistemit si dhe sfidat që duhen përballuar në drejtim të forcimit të shtetit ligjor.

Duke cituar autoritetet e larta franceze, Ambasadori Fitoussi u shpreh gjatë këtij takimi se reforma në drejtësi është nëna e të gjitha reformave.

Ministri Manjani e informoi ambasadorin francez lidhur me vizion e tij për krijimin e një sistemi drejtësie funksional dhe transparent, duke vlerësuar se plani i punës së tij do të fokusohet në katër shtylla kryesore, ku me rëndësi të veçantë është implementimi i procedurave të thjeshta ligjore.

Gjatë takimit Ambasadori Francez, z. Bernard Fitoussi i bëri prezente z. Manjani ftesën për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Francë me Ministren franceze të Drejtësisë, znj. Christiane Taubira.