Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani, ka pritur sot në një takim kortezie Ambasadorin e Turqisë në Shqipëri, z. Hidayet Bayraktar, i cili në emër të Ministrit të Drejtësisë të Republikës së Turqisë z. Bekir Bozdağ e ka ftuar kreun e drejtësisë shqiptare, për një vizitë zyrtare në Turqi.
Gjatë diskutimit, nga bashkëbiseduesit është vlerësuar mjaft pozitivisht bashkëpunimi i deritanishëm mes dy vendeve.
Ambasadori Bayraktar garantoi vijimin e mbështetjes për reformën në drejtësi, ndërsa bëri me dije interesin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjelltë.
Z. Bayraktar bëri prezent vullnetin e qeverisë Turke për dhënien e asistencës për shkëmbim eksperience, veçanërisht përsa i takon Shkollës së Magjistraturës apo arsimit juridik.
Ndërkohë lidhur me planet afatgjata apo dhe konkretizimin e projekteve me interes të përbashkët në fushën e drejtësisë në të ardhmen, Z. Manjani do të ketë mundësinë të ndalet gjatë takimit me homologun e tij Turk, z. Bekir Bozdağ, i cili pritet të ndodhë së shpejti.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.