Ministri Manjani takim me Amb. Hollandeze, Zj. Dewi Van De Weerd - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 19/11/2015

Ministri Manjani takim me Amb. Hollandeze, Zj. Dewi Van De Weerd

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka pritur sot në një takim Ambasadoren Hollandeze në Tiranë, Zj. Dewi Van De Weerd.

 

Bashkëbiseduesit janë ndalur në rëndësinë që paraqet realizimi me sukses i procesit reformues në sistemin e drejtësië, si një ndër kushtet kryesore që do të siguronte suksesin e proceve integruese për vendin.

 

Gjithashtu gjatë takimit është folur edhe mbi ligjin për “Për mbrojtjen e sinjalizuesve”, i cili ka qenë një ligj që ka pasur një mbështetje të përhershme nga Ambasada Hollandeze.

 

Ministri Manjani dhe Ambasadorja Hollandeze zj. Van De Weerd janë ndalur mbi ecurinë e procesit të draftimit dhe konsultimit të projektligjit “Për mbrojtjen e sinjalizuesve”, ndërsa kreu i drejtësisë shqiptare ka konfirmuar qëndrimin e tij mbi vijueshmërinë e mëtejshme të procedurave të propozimit dhe miratimit të këtij ligji, në përputhje me kuadrin ligjor aktual në fuqi.

 

Ministri Manjani e ka falenderuar Ambasadoren Van De Weerd lidhur me mbështetjen e dhënë, duke vlerësuar se projektet e deritanishme kanë qenë konkrete, ndaj dhe do të ishte me interes madhor që puna të vijonte në të njëjtin drejtim bashkëpunimi.

 

Ministri Manjani theksoi qëndrimin e tij se suksesi i pritshëm në forcimin e sundimit të ligjit, lidhet pashmangshmërisht me një drejtësi pa vonesa, një proces tek i cili z. Manjani ka garantuar se do të investohet përgjatë të gjithë mandatit të tij në drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë.

 

Ambasadorja Van De Weerd shprehu mbështetjen e saj për të realizuar nisjen e një procesi asistence në nivel ekspertësh, që do të sillte shkëmbimin e eskperiencës më të mirë mes dy vendeve tona, në fusha me interes të përbashkët në sektorin e së drejtës.