Ministri Manjani, seancë dëgjimore në Komisionin e Integrimit Europian. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 21/11/2016

Ministri Manjani, seancë dëgjimore në Komisionin e Integrimit Europian.

Ministri i Drejtësisë, z.Ylli Manjani ishte sot i pranishëm në një seancë dëgjimore në Komisionin e Integrimit Europian.

Në nisjen e fjalës së tij Ministri Manjani evidentoi se çështja e reformës në drejtësi është një kryeprioritet.

“Ne jemi mësuar me fjalorin publik dhe politik që përmendim 5 prioritetet dhe në fakt njëri prej këtyre të pestëve është kryeprioriteti, pasi çëshja e drejtësisë lidhet edhe me të tjerat. Lufta kundër korrupsionit apo çështja e administratës publike nuk funksionon nësë drejtësia nuk funksionon”, u shpreh z. Manjani

Më tej z. Manjani është ndalur edhe detaje që lidhen me ndryshimet e kuadrit ligjor-kushtetues dhe ndikimin e tyre në rolin e Ministrit të Drejtësisë.

“Deri më sot, Ministri i Drejtësisë për shkak të kuadrit kushtetues dhe ligjor kishte një rol aktiv, koordinues duke qënë në përbërjen e KLD-së. Duke qenë dhe një zyrtar publik merrej me administrimin e shërbimit gjyqësor nëpërmjet kancelarëve në gjykata, si dhe mbikqyrte aktivitetit e prokurorisë, pra kishte një rol,  një pikë kontakti e rëndësishme që bënte lidhjet ndërmjet ekzekutivit dhe autoriteteve të pavarura. Reforma e ka rrëzuar ketë rol.Që pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, Ministri i Drejtësisë është sot i pozicionuar si pjesë e atyre institucioneve zyrtare që bën tranzicionin drejt autoriteteve dhe institucioneve të reja”, sqaroi Ministri Manjani

Gjithashtu Ministri Manjani solli edhe njëherë në vëmendje faktin se sistemi i ndjekjes penale në Republikën e Shqipërisë nuk është efiçent. Ai bëri me dije ngritjen e një grupi i pune nën drejtimin e tij personal, i cili po përgatit një paketë ndërhyrjesh të thella.

“Thelbi është që nuk mund të mbahet një njeri në burg pa prova. Kështu do të filloj të reformohet sistemi. Pra, i gjithë transformimi duhet të vijë sipas standardeve europiane”, tha Ministri Manjani

I pyetur nga anëtarët e këtij komisioni mbi pezullimin që i është bërë ligjit të “vetting-ut”, Ministri Manjani vlerësoi së e mira do të ishte që Gjykata Kushtetuese të jetë sa më shteruese në gjykim.

“Sigurisht që ne do të donim që ky ligj të vazhdonte efektet, por jo çdo e keqe vjen për të keq, sepse është më mirë që këto lloj diskutimesh të bëhen tani njëherë dhe për të gjithë, sesa të lëmë vakume në legjislacion, paqartësira në zbatim, difekte apo pikëpyetje që mund t’i shfrytëzonte çdo i interesuar në faza të mëvonshme dhe të hidhte në erë procesin në një mënyrë shumë më të keqe sesa kjo. Pra, gjykimi në Gjykatën Kushtetuese  e mira është të jetë shterues. Shumë mirë është që u pyet edhe Venecia dhe të sqarohet një herë e mirë se pas këtij sqarimi nuk besoj se do ketë më diskutime, thjesht futet në proces dhe ecim përpara”, u shpreh z. Manjani

Njëkohësisht, referuar interesit të anëtarëve të komisionit, Ministri Manjani ka komentuar edhe mbi rolin e parlamentit në ecurinë e mëtejshme të reformës në drejtësi.

“Në Kushtetutën e re, ne e kemi paraparë një rol shumë aktiv të Parlamentit në ndërtimin e institucioneve të reja. Mirëpo parlamenti është nocion politik dhe duam apo nuk duam ne, pozita dhe opozita kanë rol në krijimin e institucioneve të reja dhe në qoftë se kjo balancë për shkak të debatit politik prishet, sigurisht që kemi një diskutim, kemi një vështirësi dhe patjetër që afatet e reformës fillojnë dhe vihen në pikëpyetje”, tha Ministri Manjani

Gjithashtu Ministri Manjani ka deklaruar edhe pikëpamjet e tij mbi një rikonceptim të Shkollës së Magjistraturës.

“Shkolla e Magjistraturës duhet të jetë në gjendje të trajnojë dhe të edukojë gjyqtarë dhe prokurorë, jo 9 apo 10 apo 25, por duhet të ketë 100 pranime sepse nuk ka asgjë të keqe që sistemi i Shkollës së Magjistraturës të prodhojë gjykatës, të prodhojë magjistrat të rinj. Jo për të gjithë do ketë vend por ama do të rrisin konkurencën për ata që janë në sistem. Ma besoni që është e vështirë të heqësh dikë kur e mendon se nuk ke me kë e zëvendëson. Ne duhet të kishim sot dhe duhet të fillojmë të mendojmë të paktën të kemi në tre vitet e ardhshme në databazën tonë të burimeve njerëzore për KLGJ-në e re mundësisht edhe 600 gjykatës. Do thoni ju ku do punojnë? Do jenë avokatë por të paktën do jenë të trajnuar, do jenë me një shkollë, do jenë me një kurs më shumë, do jenë me tre vite studime më shumë dhe sipas nevojave që ka sistemi do i përdorë. Kjo ka qenë pikëpamja ime dhe unë e mbështes dhe vazhdoj ta mbështes se besoj që është efektive për sistemin, për krizën e vazhdueshme qe ne kemi për burime njerëzore. Nuk duhet të jetë kështu, prandaj kam kërkuar dhe do të vazhdoj të kërkoj një Shkollë Magjistrature të aftë që të prodhojë më shumë burime njerëzore. Sigurisht të sigurojë dhe trajnime të vazhdueshme sepse legjislacioni është proces, është reflektim i proceseve që ndodhin në shoqëri. Në këtë pikëpamje unë kam pasur një debat me Shkollën e Magjistraturës, për të realizuar ekzaktësisht këtë gjë, hapjen e kuotave sa më shumë dhe trajnimeve të vazhdueshme. Nuk është gjithmonë e mundur sepse dhe limitet buxhetore janë ato që janë por kemi kërkuar që një pjesë e konsiderueshme e fondeve IPA në mënyrë të veçantë të kanalizohen për edukimin ligjorë të juristëve të rinj”, sqaroi z. Manjani

Gjatë kësaj seance dëgjimore në Komisionin e Integrimit Europian, Ministri Manjani njoftoi edhe nisjen e përgatitjes së një amnistie, ndonëse nuk e konsideroi atë një zgjidhje tërësore, duke insistuar në një mentalitet ndryshe në ndjekjen penale

“Nuk besoj që amnistia është zgjidhja e problemit. Amnistia është zgjidhja e dy muajve, pra dy muajt e parë të vitit të ardhshëm ju mund t’i zgjidhni me amnisti dhe ne po e përgatisim, por nuk është kjo zgjidhja. Duhet të ndryshojmë mentalitetin e ndjekjes penale, apo siç na pëlqen ta themi, duhet ta “Europianizojmë”. Mua më pëlqen të them të jetë efiçente. Kjo është ajo që po përpiqemi të krijojmë, patjetër bashkë dhe me një amnisti”,përfundoi Ministri Manjani.