Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka komentuar sot lidhur me rastin e shënuar në Burgun e Shënkollit.
Ndërsa bëri me dije se ka marrë dijeni për këtë ngjarje ditën e premte, z. Manjani theksoi se kjo është një çështje që meriton një hetim të plotë.
“Unë nuk jam dhe as nuk do të jem i shqetësuar për të bërë lajm. Në radhë të parë duhet bërë puna dhe pastaj duhen bërë lajmet, prandaj dhe kam mbajtuar një qendrim paksa të tërhequr për këtë çështje, sepse dua të respektoj deri në pikën e fundit një hetim që ka nisur tashmë nga Prokuroria e Lezhës dhe me kontributin e Prokurorisë së Përgjithshme. Është një çështje që meriton një hetim të plotë sepse e kam pak të vështirë të besoj se kjo është një çështje historish zyrtarësh lokalë apo pa rëndësi, ndaj është një çështje që kërkon një ndërhyrje serioze. Përsa i takon pjesës së shkarkimeve, nuk me dridhet dora fare as për inspektorët e SHKB-së atje por edhe për të gjithë drejtuesit e administratës së burgjeve. Për çfarë është në kompetencën e Ministrit të Drejtësisë, shkarkimi nga puna është minimumi që mund të bëj, pra shkarkimi nga ajo detyrë që nuk e meritojnë ta mbajnë. Unë pres ngjarje dhe zhvillime të tjera, të cilat i takojnë prokurorisë së shtetit dhe ju e dini që ajo ka mbështetjen time maksimale”, u shpreh për mediat Ministri Manjani.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.