Ministri Manjani: Progres raporti, na vë përpara sfidave të mëdha - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 17/11/2015

Ministri Manjani: Progres raporti, na vë përpara sfidave të mëdha

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka shprehur sot publikisht angazhim e tij mbi plotësimin e rekomandimeve të dhëna në Progres – Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.

Në fjalën e tij nga Këshilli i Ministrave, z. Manjani vlerësoi se është e nevojshme ndërmarrja e një axhende konkrete ku nuk ka më vend për fjalë dhe deklarata boshe por është koha e punës.

Më poshtë deklarata e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani: 

Është kënaqësi për mua të filloj detyrën e Ministrit të Drejtësisë, me një event shumë të rëndësishëm, që është dalja e Raportit të Progresit nga ana e Komisionit Europian për Shqipërinë. Është një, për të mos thënë i vetmi, nga raportet më realiste që i ka ardhur ndonjëherë në historinë e këtyre viteve shtetit shqiptar, qeverisë shqiptare dhe jo vetëm.

Është një raport që për hir të së vërtetës, për shkak të konkretizimit të gjërave dhe për shkak të gjuhës konkrete që është përdorur, na vë ne përpara sfidave shumë të mëdha.

Si Ministër i Drejtësisë, jam këtu, sot, për të konfirmuar se të gjitha rekomandimet e këtij Raporti do të jenë udhëheqësja ose “Bibla” e punës sime. Kjo është gjëja më e rëndësishme për t’u kuptuar, sepse plotësimi i të gjitha rekomandimeve të këtij Raporti do të bëjë të mundur për shtetin shqiptar, për shqiptarët në tërësi, që të marrin ftesën për të çelur negociatat për anëtarësim në pranverë.

Është një axhendë konkrete, nuk ka më fjalë, nuk ka më deklarata boshe, është koha e punës. Ky raport është “Bibla” ime dhe besoj edhe kolegëve të mi në përbërjen e qeverisë shqiptare.

Duhet të kuptojmë se kryetema e këtij Raporti lidhet drejtpërdrejtë me reformën në drejtësi. Ju e dini se sot, kjo reformë udhëhiqet nga Parlamenti Shqiptar ku aktorë të ndryshëm, përfshirë edhe Ministrin e Drejtësisë, janë kontribues dhe do të kontribuojnë për të përmirësuar kualitetin e gjithçkaje, pasi jemi të interesuar të gjithë së bashku për një reformë të thellë, të qëndrueshme dhe që t’i sigurojmë shërbim ligjor të gjithë qytetarëve.

Me këtë rast dua të konfirmoj edhe një herë si Ministër i Drejtësisë, si zyrtar që në fakt nuk është i mandatuar për të dhënë drejtësi, por është mandatuar për të kryer shërbime ligjore, se kemi një sërë aktivitetesh, një sërë masash që duhet t’i marrim, t’i zbërthejmë ashtu siç duhet, për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve.

Mbetem përkrahës i pikëpamjes së gjërat e thjeshta në dukje, por në fakt me pasoja shumë të dukshme janë të rëndësishme në punën time. Mbetem dhe jam shumë i angazhuar edhe në kuadër të zbatimit të këtyre rekomandimeve, për t’u marrë me çështje të afateve të gjykimit, me çështje të gjykimit të shpejtë në tërësi dhe të marrjes së shërbimit juridik, në tërësi, në një kohë sa më të shpejtë, sepse zvarritja është korrupsion, sepse shtyrja është korrupsion.

Nga kjo pikëpamje, nismat antikorrupsion do të jenë të vazhdueshme si nga ana ime, ashtu edhe nga ana e kolegëve të mi në përbërje të Këshillit të Ministrave. Nisma antikorrupsion janë marrë prej kohësh. Këtu në Kryeministri ekziston një nukël shumë i rëndësishëm antikorrupsion, me të cilin ne bashkëpunojmë në mënyrë të përditshme.

Duke ju falenderuar dhe duke ju ftuar që të komunikojmë vazhdimisht për këto tema, unë mbetem gjithmonë në dispozicion për t’iu përgjigjur interesit të publikut, por në radhë të parë mbetem në dispozicion për të kryer shërbime ligjore në kohë, me shpejtësi, në bazë të ligjit, me dinjitet e cilësi dhe në kundërshtim me praktikat korruptive.