Ministri Manjani pret në takim Ambasadorin Austriak në vendin tonë, z. Johann Sattler - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 18/04/2016

Ministri Manjani pret në takim Ambasadorin Austriak në vendin tonë, z. Johann Sattler

 

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani priti në një takim kortezie Ambasadorin Austriak, z. Johann Sattler, i cili prej pak kohësh ka marrë detyrën e tij të re në vendin tonë.

Gjatë këtij takimi është diskutuar mbi mbështetjen e deritanishme të Austrisë në mjaft sektorë të rëndësishëm, ndërsa janë shkëmbyer ide mbi intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me inters të ndërsjelltë.

Ministri Manjani evidentoi rëndësinë që paraqet mbështetja e Autrisë për vendin tonë në fazën paraprake të çeljes së negociatave, ndërsa Ambasadori Sattler theksoi se zhvillimet dhe dinamikat në Ballkanin Perëndimor shihen me mjaft interes nga Austria.

Ndërkaq, Ambasadori Sattler garantoi vullnetin e tij për të kontribuar për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërsa evidentoi se ka mjaft fusha ku mund të arrihen edhe më shumë rezultate.

Përmirësimi i klimës së biznesit dhe lidhja e pashmangshme që ai ka me forcimin e shtetit ligjor dhe parimet e sigurisë juridike janë shtruar gjithashtu për diskutim gjatë këtij takimi. Në këtë kuadër, Ministri Manjani theksoi se të gjithë aktorët duhet të impenjohen për të krijuar një mjedis të favorshëm për klimën e investimeve në Shqipëri.

Bashkëbiseduesit janë ndalur edhe në rëndësinë e Projektit “Për një drejtësi pa vonesa”, i cili evidentoi një sërë praktikash të gabuara në drejtim të shërbimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor. Vazhdimësia e mëtejshme e këtij projekti është konsideruar si mjaft pozitive nga të dyja palët, ndërsa Ministri Manjani përsëriti edhe njëherë qëndrim e tij se reforma e vërtetë është ajo që ka në thelb të saj shërbimet ndaj qytetarëve.

Modernizimi i shërbimeve gjithashtu ka qenë një çështje tek e cila Ministri Manjani është ndalur gjatë këtij takimi, ndërsa ka vlerësuar se në këtë aspekt do të ishte me mjaft vlerë nisja e një bashkëpunimi me ekspertë austriakë.