Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani, ishte sot i pranishëm në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë.
Gjatë fjalës së tij lidhur me situatën aktuale të përmbarimit apo edhe shqetësimet që lidhen me punën konkrete të përmbaruesve, Ministri theksoi se shërbimi përmbarimor privat sot është në nivel të lartë dhe ai ka zgjidhur shumë çështje me rëndësi jetike për qytetarët, siç është zbatimi i vendimeve të gjykatës.
“Ne kemi nevojë që ky shërbim të jetë aktiv dhe licensa që jepet të jetë funksionale. Mbështetja e Ministrit të Drejtësisë është maksimale për të gjithë ata që punojnë, për të gjithë ata që nuk e konsiderojnë këtë shërbim trofe, por e konsiderojnë si një shërbim real që ndihmon qytetarët e këtij vendi.”- theksoi Manjani për të pranishmit e Dhomës së Përmbaruesve.
Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani, gjatë asamblesë së përgjithshme të dhomës kombëtare të përmbaruesve gjyqësorë privatë:
Kur u vendos që të liberalizohej shërbimi i përmbarimit ka pasur, sigurisht, skepticizëm, por besoj që mbi të gjitha ka triumfuar pikëpamja që kemi bërë mirë që është liberalizuar sepse, ta themi të vertetën, shteti nuk mund të ekzekutojë vetveten ndonjëherë. Jo se ju nuk jeni shteti, sepse ju jeni përfaqësuesit e Ministrit të Drejtësisë, praktikisht të shtetit, për të bërë këtë gjë dhe them që në këtë temë aktiviteti juaj ka qenë pozitiv, është për tu vlerësuar. Por ka edhe një perceptim në ngritje të opinionit publik, që mund të trokasësësh tek dera e përmbaruesit privat dhe të mbarosh punë. Kjo është një gjë e mirë, ashtu siç po kuptojmë të gjithë që shërbimi i përmbarimit publik, pra ajo që ka ngelur nga shërbimi i vjetër, ka nevojë që sigurisht të përshtatet dhe të lidhet me standardet e shërbimit privat. Kjo është një gjë, besoj unë, që standardi i shërbimit është vendosur tashmë. Nga ana tjetër, sigurisht, që liberalizim nuk do të thotë dembelizëm, sepse ne duam të nxisim një përmbarues aktiv. Ju kërkoni mbështetjen e Ministrit të Drejtësisë, gjë që e keni të plotë.
Ajo që unë kam menduar dhe mendoj është që ne na duhet një dhomë e fortë e përmbaruesve. S’na duhet neve, por ju duhet juve më së shumti, në fakt, që dhoma kombëtare e shërbimit përmbarimor të jetë realisht një dhomë e fortë, një dhomë aktive, përfaqësuese dhe një dhomë që asiston- në kuptimin pozitiv të fjalës- të gjitha politikat apo vendimet qe merr Ministri i Drejtësisë në këtë sektor. Kjo sepse mënyra më e mirë e vendosjes së standardeve të punës është vetëkontrolli, disiplinimi. Nuk jam përkrahës që t’i tregojmë dhëmbët njëri- tjetrit, duke hequr edhe licensa, se nuk është në thelbin e gjësë, ashtu siç duhet të pranojmë dhe duhet të saktësojmë se marrja e licensës për të kryer një shërbim privat apo publik me sipërmarrje private nuk është thjesht një trofe që e merr dhe e vë në mur dhe ajo s’bën asgjë. Ne kemi nevojë që ky shërbim të jetë aktiv dhe licensa që jepet të jetë funksionale dhe mbështetja e Ministrit të Drejtësisë është maksimale për të gjithë ata që punojnë, për të gjithë ata që nuk e konsiderojnë këtë shërbim trofe, por e konsiderojnë si një shërbim real që ndihmon qytetarët e këtij vendi.
Zbatimi i vendimit të gjykatës është përparësi, është detyrim kushtetues, është përparësi ligjore, s’ka asnjë diskutim dhe kjo është mbështjetja numër një e Ministrit të Drejtësisë. Bjerini kokës kujtdo që shkel ligjin, Ministrit të Drejtësisë të parit, nëse kjo ndodh. Kemi zyrtarë të shtetit që hezitojnë, pengojnë apo nuk duan ta zbatojnë vendimin e gjykatës. Ata janë njësoj shkelës ligji! Nëse e them këtë për Ministrin e Drejtësisë të parin, të tjerët nuk më dhimbsen. Nuk ka mbetur që të gjykohet në zyrën e përmbaruesit as drejtësia e vendimit, as arsyeja pse është marrë vendimi; është dhënë vendimi i gjykatës për t’u zbatuar dhe do të zbatohet.
S’kemi ndërmend të marrim asnjë kosto shtesë për këtë çështje. Doni mbështetjen e Ministrit të Drejtësisë? Po, do të jem në krahun e kujtdo përmbaruesi që ka nevojë për mbështetje, të cilitdo. Patjetër që po. Ka nevojë për mbështetjen e policisë? Patjetër që po. Ashtu siç dua ta theksoj dhe këtë, që shërbimi përmbarimor nuk është këtu për të pastruar fytyrën e shkelësve të ligjit, për ta thënë pak më konkretisht, presioni që sot rritet në zyrat e përmbarimit është për kreditë e këqija. Do ta sqarojmë edhe me ligj, sepse thashë që kemi nevoje për përmbaruesë aktivë, që t’i ekzekutojmë ato. Patjetër që duhen, por nuk munden të shpëtojnë fytyrën e oficerëve të kredisë, që kanë dhënë kredi të gabuar, kriminale. Madje, pse jo, do t’ia kërkoj edhe Prokurorit të Përgjithshëm këtë gjë, kur shkojnë për të ekzekutuar kolateralin dhe kolaterali është në mes të detit- kemi edhe këto raste. Në këtë pikë jam shumë i vendosur për të thënë të vërtetën, se pse për të marrë një kredi duhet të kalosh në tre shkallë: një oficer pranimi, një oficer risku dhe një oficer vendimarrës? Nëqoftëse kjo hierarki ka rezultuar e pasuksesshme, e bazuar në dokumenta të fallcifikuara hera- herës, të cilat duhen kontrolluar gjithashtu dhe gjithë kjo të përfundojë si një pakënaqësi ndaj përmbarimit: unë nuk e pranoj, po ashtu siç nuk pranoj ata përmbarues.
Nuk e pranoj. Refuzoj t’i pranoj ata përmbarues, të cilët marrin tarifën dhe nuk bëjnë punën. Kjo është e papranueshme, duhet të jemi të drejtë në gjykim. Unë nuk kërkoj nga shërbimi i përmbaruesve të pastrojë skemën e ndërtuar gabim, por kërkoj ekzekutim vendimesh, ashtu siç është. Të gjitha institucionet publike, ndërmarrje sh.a., i ftoj këtu tani, publikisht, që të jenë bashkëpunues me ju, jo gjykues, as paragjykues. Do të duhet të ndërhyjmë tek ligji për aq sa na takon, me qëllim që të rregullohet sa më mirë kjo marrëdhënie. Unë jam mbështetës i këtij dokumenti: do ta adoptoj, s’ka asnjë arsye pse jo, sipas rregullave të ligjit kombëtar, me ratifikim apo me përfshirjen e legjislacionit të fushës. Ky është një detaj që do ta zgjidhim, por këtë ne do ta bëjmë, sepse nuk kemi pse të nxjerrim shërbimin e përmbarimit shqiptar si një specie më vete. Jo. Do të jetë pjesë e një antarësie globale që bën të njëjtën gjë: dua ta unifikoj këtë shërbim, siç kemi bërë edhe me shërbime të tjera, si me dhomën e noterisë. Prandaj është e rëndësishme dhoma dhe insistoj tek kjo pjesë, por dhoma është shumë e rëndësishme sepse ka gjithë kohën e nevojshme për tu marrë me këto gjëra, ndërkohë që ju merreni me ekzekutimet e vendimeve. Pra, është më mirë të ngrihet një dhomë që të funksionojë dhe të merret me këto çështje të politikave të shërbimit dhe të ngre shërbimin përmbarimor atje ku duhet dhe le të jetë Shqipëria vendi 88-të që aderon në këtë kohë. Patjetër që po, do isha shumë i lumtur që ta bënim një gjë të tillë, sepse ne nuk kemi pse të krijojmë këtë vakum.
E fundit që kam për të thënë, është se ne kemi marrë një nismë që të funksionojë shërbimi online sa më shumë të jetë e mundur, ndaj kërkoj nga shërbimi përmbarimor që të bashkëpunojë ngushtë me dhomën e noterisë, me zyrën e shërbimit të pasurive të paluajturshme, me gjithë datebazat që ne kemi edhe me dhomat e shërbimeve të tjera me qëllim që çdo gjë të jetë e regjistruar dhe e fiksuar online. Nuk dua të jem fanatik ndaj këtyre shërbimeve që kanë funksionuar deri në një pikë dhe më pas jo. Bëjeni ju si të doni, nuk më shqetëson se kush është sistemi databazë. Ajo që më shqëtëson mua është, se ky database duhet të jetë kompakt me gjithë informacionin e pjesës tjetër të shtetit. Kjo është shumë e rendësishme, sepse nëse ne do t’i shërbejmë njerëzve nga zyra e noterit apo nga zyra e përmbaruesit duhet të jetë njësoj, nuk ka pse të krijojmë standarde të ndryshme. E kuptoj që përmbaruesi ngadonjëherë është pak më shumë njeri i terrenit, por një zyrë duhet të ketë një nivel pritje dhe kështu ne fillojmë të kuptojmë se ku jemi me zbatimin e vendimit të gjykatave, kështu fillojmë të kuptojmë se si i shërbejmë sa më mirë njerëzve në kohë reale. Ky është meraku që kam dhe për të gjitha këto tema që mua më kanë ardhur këtë muaj të parë të punës, por që jam i sigurt që do të kemi dhe të tjera. Ministrin e Drejtësisë do ta keni mbështetje, në përkrahje të çdo problemi, por Ministri i Drejtësisë nuk mund të përkrahë as ata që nuk zbatojnë vendimin dhe as ata që kanë në dorë për të zbatuar vendimin dhe nuk e bëjnë. Kjo është një histori, që duhet të jemi të qartë.”
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.