Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani mori sot pjesë në Konferencën Rajonale “Parandalimi i Torturës në Rajonin e Ballkanit, Shkëmbimi i Përvojës Rajonale dhe Praktikat e Mira”, ku i ftuar ishte edhe homologu i tij i Malit te Zi, z. Zoran Pazin.
Konferenca ishte një aktivitet përmbyllës, i zhvilluar mes ekspertëve ndërkombëtarë nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut (Mali i Zi), Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës (Shqipëri), Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Këshilli Ndërkombëtar për Rehabilitimin e Torturës (Danimarkë).
E konceptuar si një hapësirë neutrale për diskutime të hapura në lidhje me sfidat kryesore për zbatimin e plotë të parimeve ndërkombëtare që pasqyrohen në Konventën e OKB-së kundër Torturës, si dhe praktikat më të mira në zbatimin e ligjit dhe në format e bashkëpunimit me aktorët e shoqërisë civile, konferenca u fokusua veçanërisht edhe në eleminimin e torturës në vendet e privimit të lirisë.
Në fjalën e tij gjatë kësaj konference, Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani theksoi se në koncept tortura është e barazvlefshme me termin diktaturë, ndërsa mes faktorëve që ndikojnë në shfaqjen e saj, Ministri Manjani përmendi edhe problematikat ekonomike.
Z. Manjani vlerësoi më mjaft rëndësi se shoqëria civile duhet të rrisi presionin mbi autoritetet shtetërore për politika më të drejta, të cilat përmirësojnë mirëqënien dhe duke rritur mirëqënien, automatikisht parandalohen dhuna dhe tortura.
Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani:
“Padyshim që tema e sotme e cila na ka mbledhur për të diskutuar mbi torturën në mjediset e mbyllura është një temë mjaft interesante, por edhe shumë e prekur. Nuk ka asnjë dyshim që dhunimi fizik dhe mendor për të poshtëruar më të pamundurit është një xhest jo vetëm anti-human, por që nuk ka lidhje aspak me fenomenin e njerëzores. Natyrisht, zhvillimet e sotme në hapësirën demokratike, evropiane dhe më gjerë, nuk besoj se do çojnë në ndryshimin e standartit mbi trajtimin e torturës. Por ajo që ne na bën me përgjegjësi është sesi të bashkëpunojmë sa më mirë me njëri – tjetrin në nivel rajonal, me qëllim që rajonit tonë t’i hiqet edhe damka e shkeljes së të drejtave të njeriut, për të cilat shpeshherë marrim kritika.
Natyrisht që dhunimi fizik është një fenomen në rrudhje, sepse ka qenë i pari në radhë, nga lista e dhunës së ushtruar. Tashmë gjithnjë e më shumë dhunuesit heqin dorë nga dhunimi fizik, për të kaluar tek forma më të sofistikuara të dhunës dhe torturës, që është dhunimi psikologjik. Është një dhunim i cili vjen sigurisht nga mendje të mbyllura, sigurisht nga mendje të sëmura dhe sigurisht nga njerëz në nevojë për të vjedhur informacion, në mënyrë të dhunshme.
Padyshim që shërbimet e policimit, shërbimet e administratës së burgjeve janë shumë më të ekspozuara ndaj këtyre fenomeneve, por mund t’iu them qartësisht se në vizionin e Shtetit Shqiptar, të Qeverisë Shqiptare dhe të autoriteteve të Shqipërisë dhe jam i sigurt të gjithë autoritetet shtetërore të rajonit, të Malit të Zi, Serbisë gjithashtu, bashkohen me mua në këtë konstatim, se tortura është e barazvlefshme me termin diktaturë. Dhe nëse kjo bëhet masive, diktati është fenomen i ligjshëm pastaj, për fat të keq.
Kemi nënshkruar të gjitha dokumentat ndërkombëtare, më së fundmi protokollin e Këshillit të Europës për këtë çështje, ku jemi të angazhuar që ta izolojmë maksimalisht këtë fenomen, i cili megjithatë ndodh, por ndodh dhe këtu nuk dua të hyj në llogoren e justifikimit, por për fat të keq në shoqërinë globale, kuptimi mbi torturën psiqike është ende i ndryshëm.
Në qoftë se duam ta zgjerojmë më tej, sepse duhet zgjeruar më tej, në vendet ku jetojmë, dhuna psiqike vjen sigurisht dhe nga varësia, nga çështjet e varësisë ekonomike. Në një shoqëri ku varfëria është e madhe, sigurisht që tortura është prezente, sigurisht që dhuna psiqike është prezente. Në shoqërinë ku varfëria, ose thellimi i ndasive ndërmjet shoqërisë kapitale dhe shoqërisë si nocion social është i madh, sigurisht që tortura është prezente. Imagjinoni nëse shoqëria e konsumit bën presion mbi familjet e varfra dhe familjet e varfra nuk arrijnë të plotësojnë nevojat e tyre për konsum jetik, padyshim që kjo është një dhunë psiqike dhe fenomeni i ndalimit të torturës nuk është thjesht dhe vetëm të marrim disa masa tek administrata e burgjeve, apo të marrim disa masa ndaj shërbimit policor kur tejkalon masën ligjore. Ky është minimumi!
Në shoqëritë tona duhet të rrisim presionin e shoqërisë civile mbi autoritetet shtetërore për politika më të drejta, të cilat rrisin mirëqënien dhe duke rritur mirëqënien, automatikisht parandalohet edhe dhuna, parandalohet edhe tortura, sepse në shoqëri ku çështjet ekonomike janë të mprehta në mënyrë të tillë, sigurisht që fenomenet kriminale shtohen. Duke u shtuar fenomenet kriminale, shtohen dhe fenomenet sociale dhe brenda institucioneve të mbylluara. Në Shqipëri psh, në vitet e fundit, duke filluar që nga viti 2011 e në vijim, kur situata ekonomike filloi të shfaqej disi me probleme është shtuar fenomeni i mbipopullimit të burgjeve. Dhe fenomeni i mbipopullimit në burgje sigurisht që shton mundësitë për torturë dhe sikur administrata e burgjeve të jetë 1000% korrekte në zbatim të ligjit, të rregullave dhe të rregulloreve, përsëri fakti që në hapsirat e mbyllura ka më shumë njerëz nga sa lejohet të ketë, kjo është një torturë më vehte. Dhe ne kemi nevojë besoj unë, për një sinergji për ta kuptuar pak më gjerë fenomenin e torturës.
Sigurisht unë ju përshëndes edhe jam plotësisht dakord me gjetjet tuaja paraprake të ditës së djeshme, por edhe konkluzionet eventuale që mund të dilni sot, për të kuptuar se fenomeni i torturës në burgje apo në shërbimet e policisë, është prezent. Po patjetër është prezent dhe këtë nuk e fshehim, por kjo është shumë pak. Ne duhet të gjejmë instrumenta që të përmirësojmë komunikimin ndërmjet shoqërisë civile dhe administratës shtetërorë, të gjejmë instrumenta që të komunikojmë sa më mirë ndërmjet shteteve në rajon, sepse bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave është shumë i rëndësishëm. Para se të fillonim këtë event, bisedova me kolegun nga Serbia, për çështje të reformës në drejtësi dhe më sugjeroi që të mos bënim gabimet që kanë bërë ata dhe është një gjë me shumë mend do thosha dhe e falenderova sigurisht, sepse është mirë të mësojmë nga njëri tjetri, është mirë të shkëmbejmë disa përvoja, të cilat ia vlen t’i ndajmë në faza të caktuara, për të paraprirë dhe për të mësuar nga gabimet e njëri tjetrit, por edhe për të ndihmuar shoqëritë tona që të bashkëpunojnë më mirë.
Padyshim që në shoqërinë ku mungon drejtësia, mungesa e drejtësisë në vetvete dhe e shërbimeve publike shtetërore, është torturë gjithashtu. Dhe në qoftë se shtetet nuk bashkëpunojnë njëri me tjetrin në një rajon, ku ne të shfaqemi si rajon me bashkëpunim më të mirë, me mjedis ekonomik më të mirë zhvillimi, padyshim që edhe tortura do vijë duke rënë. Prandaj e theksoj shumë nevojën për bashkëpunim dhe unë jam shumë i lumtur të konstatoj që ndërmjet vendeve tona që janë prezente sot këtu, por edhe që nuk janë, por që do jenë shpesh besoj në aktivitete të tjera të ardhshme, është një lajm i mirë dhe unë nuk besoj se gjithçka varet nga ligji lokal. Ne të paktën në Shqipëri, por jam i sigurt edhe në Malin e Zi, edhe në Serbi, edhe në Maqedoni, ligjet për këtë fushë i kemi nga më të mirat. I kemi marrë, i kemi përkthyer, i kemi vendosur si pjesë të legjislacionit tonë, mirëpo dalëngadalë po kuptojmë se jo gjithçka është ligj. Jo gjithmonë ligji është ai që jep zgjidhje përfundimtare. Ligji sqaron raste konkrete, sigurisht është garanci procedurale për çdo individ dhe ky është parim i njohur pa as më të voglin diskutim, por nëse duam të luftojmë një fenomen, sigurisht ne duhet ta trajtojnmë atë si fenomen social dhe si çdo fenomen social, ka nevojë për masa sociale. Në rradhë të parë ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe jam i bindur në këtë sentencë, sa më pak varfëri të ketë, aq më pak torturë ka, kjo është e njohur. Sa më shumë mirëqënie të ketë, sigurisht që fenomenet e torturës janë fenomene psiqike, janë krejtësisht të izoluara, por jo si fenomen që vjen për shkak të ndasive sociale. Presioni në rajonin tonë është presioni nëse duhet të ndjekim modelin e zhvillimit të kapitalit apo modelin e zhvillimit social të gërshetuar me kapital. Këto janë përplasje shumë të mëdha në botën globale dhe padiskutim që këtë shkaktojnë dhe fenomene të tilla siç është tortura, megjithatë unë jam i bindur që forcimi i autoritetit të shtetit në tërësinë e tij, do të bëjë të mundur parandalimin e këtij fenomeni. Padyshim që shteti nuk është një fenomen metafizik, që fotografohet në një moment të caktuar dhe ashtu është, jo, ai është një fenomen që ndryshon, por duke forcuar shtetin dhe duke kufizuar pushtetin, unë mendoj që është një mënyrë shumë interesante për të luftuar fenomene të kësaj natyre, sepse një pjesë e mirë e torturës dhe e dhunës psiqike vjen nga dhuna e pushtetit, patjetër që po, prandaj shteti është garanci për respektimin e të drejtave të njeriut”.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.