Ditën e sotme, Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani, i pyetur lidhur mbi disa çështje të aktualitetit, për të cilat media ka shfaqur interes, ka dhënë prononcimin e tij si më poshtë:
“Nuk paguhem nga taksat e shtetit që të jem komentues dhe analist. Jam Ministër i Drejtësisë dhe si i tillë që në ditën e parë që kam vënë dorën në Kushtetutën e Republikës, kam thënë se nuk do të dëgjoni nga unë asnjë koment për çështje konkrete të vendimeve të gjykatave dhe ky është standard kushtetues në Republikën Parlamentare. Ministrit të Drejtësisë nuk i lejohet të komentojë publikisht mbi vendime konkrete dhe nuk kam ndërmend që të ligjëroj politikisht publikisht, sepse nuk mendoj se fitohet publikisht duke komentuar mbi vendime të caktuara. Detyra kushtetuese e gjykatës dhe e çdo gjykatësi është të gjykojë dhe të dënojë këdo ndaj të cilit ka prova dhe të lirojë cilindo për të cilin nuk ka prova. Në rast se gjyqtari nuk e bën këtë atëherë nuk ka kryer detyrën. Ky është standardi im dhe unë i qëndroj kësaj dhe nuk lëviz asnjë presje nga çfarë kam thënë në këto gjashtë muaj me radhë. Kam bërë thirrje që kushdo që ka qenë një herë në burg në jetën e tij dhe ka detyrë publike, është mirë që të largohet. Ky është një standard moral që nuk ka pse të mos e bëj përsëri si thirrje”, tha Ministri i Drejtësisë
Lidhur më interesin e medias për të dhënë komentin e tij mbi arrestimin e kreut të Bashkisë Kavajë, Ministri Manjani sqaroi se:
“Kjo është një çështje konkrete që po e shqyrton gjyqësori dhe prokuroria, të cilët kanë mbështetjen e Ministrit të Drejtësisë, për aq kohë sa bëjnë punën në bazë të Kushtetutës dhe ligjit”, theksoi z. Manjani
Gjithashtu, Ministri Manjani bëri me dije për gazetarët se në bazë të Kushtetutës dhe ligjit aktual, Ministri i Drejtësisë është autoriteti i vetëm përgjegjës që parashtron para Këshillit të Lartë të Drejtësië procedim disiplinor ndaj çdo gjykatësi.
“Komente publike mbi gjyqtarë, mbi sjellje mbi vendime, unë nuk kam bërë dhe nuk bëj. Ky është standardi im. Unë nuk jam komentues apo analist. Ditën që nuk do të jem në zyrën e shteti apo detyrën e ministrit mbase mund ta bëjë edhe më mirë punën e analistit apo komentuesit”, u shpreh ndër të tjera Ministri Manjani
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.