Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani i ka paraqitur Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani propozimin për faljen e të dënuarës Nazime Visha.
Në propozimin dërguar Presidentit të Republikës, argumentohet se Ministri i Drejtësisë ka administruar kërkesën e shtetases së dënuar Nazime Beqir Visha, kërkesë kjo e paraqitur në bazë të ligjin nr. 10295, “Për faljen”, datë 01.07.2010.
Nga aktet e përcjella nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbi dinamikën e vuajtjes së dënimit, rezulton se e dënuara Nazime Beqir Visha, e dënuar me vendim të formës së prerë me 10 (dhjetë) vjet burgim, ka vuajtur 3 (tre) vite, 6 (gjashtë) muaj e 4 (katër) ditë burgim.
Ndërkohë po sipas dinamikës së vuajtjes së dënimit e dënuara në fjalë ka fituar me paraburgim 7 (shtatë) muaj e 2 (dy) ditë; ka fituar me punë 4 (katër) muaj e 3 (tre) ditë; ka fituar ulje dënimi 3 (tre) muaj bazuar në nenin 63 të ligjit nr. 8328 datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i ndryshuar; ka fituar ulje dënimi me ligjin nr. 22/2014 “Për dhënie amnistie”, 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj.
Pra kësaj të dënuare i mbeten për të vuajtur edhe 3 (tre) vite, e 9 (nëntë) muaj, e 21 (njëzet e një) ditë burgim.
Në ligjin nr.10295, datë 01.07.2010 “Për faljen”, neni 5, parashikohen rastet se kur jepet falja dhe konkretisht, në këtë dispozitë parashikohet se:
Falja e dënimit mund të jepet kur:
Ndërkohë, në vlerësim të nenit 7 të ligjit rezulton se e dënuara Nazime Beqir Visha, bazuar në Vlerësimin e Sjelljes dhënë nga I.E.V.P Ali Demi nr. 47 Prot, datë 17.02.2016, ka respektuar rregullat e Institucionit dhe nuk ka masa disiplinore. Ka pasurmarrëdhënie shumë të mira me personelin e shërbimit dhe me bashkëvuajtëset. Ajo gjithashtu mban takime të rregullta me familjen dhe për më tepër e dënuara shpreh pendim të thellë për të gjitha pasojat e ardhura prej veprimeve të saj.
Përsa më sipër, Ministri i Drejtësië z. Ylli Manjani, duke patur parasysh kërkesat e ligjit nr.10295/2010 “Për faljen”, sipas të cilit falja është një akt human i jashtëzakonshëm mëshire dhe jepet vetëm në rastet kur nuk ekzistojnë kriteret ndaluese, pasi ka analizuar me vëmendje faktet dhe rrethanat e shqyrtuara të çështjes si dhe pasi i ka krahasuar ato me dispozitat ligjore, konkludoi se:
“Në rastin në fjalë nuk ekziston kriter ndalues i parashikuar nga neni 6 i ligjit. E dënuara Nazime Visha, ka kryer më shumë 1/3 e dënimit të dhënë dhe sipas akteve të administruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, kjo shtetase e dënuar, me sjelljen punën dhe veprimet e saj ka treguar se nëpërmjet dënimit të vuajtur është arritur qëllimi për edukimin dhe rehabilitimin e saj shoqëror dhe ajo në vijimësi ka treguar pendim të thellë për pasojat e ardhura nga veprimet e saj”.
Për këto arsye, bazuar në nenin 92 shkronja “b” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenet 2, 5/ç dhe 10, pika 1 të ligjit nr. 10295, datë 01.07.2010 “Për Faljen”, Z. Manjani ka përcjellë për shqyrtim kërkesën për faljen e dënimit të mbetur për të dënuarën Nazime Visha, ku si Ministër i Drejtësisë ka propozuar “Pranimin e kërkesës të paraqitur nga e dënuara Nazime Beqir Visha, për faljen e plotë të dënimit të mbetur”.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.