Ministri Manjani diskutim me Shoqatën e Investitorëve të Huaj të Shqipërisë (FIAA) - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 04/05/2016

Ministri Manjani diskutim me Shoqatën e Investitorëve të Huaj të Shqipërisë (FIAA)

Shoqata e investitorëve të huaj të Shqipërisë (FIAA) organizoi ditën e sotme një tryezë diskutimi mbi tema të rëndësishme që kryesisht kishin në fokus përmirësimin e klimës së biznesit në vendin tonë, tek e cila ka një ndikim mjaft të rëndësishëm edhe forcimi i shtetit ligjor apo siguria juridike.

Gjatë këtij takimi i cili u drejtua nga Presidenti i FIAA-s, z. Silvio Pedrazzi, i ftuar ishte Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani, i cili ka dhënë mesazhin e tij për të gjithë të ftuarit e tjerë, mes të cilëve drejtues të kompanive më të mëdha që operojnë në Shqiperi si dhe përfaqesues të dhomave/organizatave të tjera të huaja në vendin tonë.

Ndër të tjera Ministri Manjani theksoi se strategjia e Ministrinë e Drejtësisë për të përmirësuar bazën legjislative apo korpusin legjislativ në favor të biznesit është “letra e bardhë”, që sipas tij do të thotë se në këtë letër biznesi duhet të shkruajë ligjin që ndihet komod.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani:

“Sot po bisedojmë së bashku për atë që në fakt na shqetëson të gjithëve dhe që ka të bëjë me përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Është një temë mjaft e diskutuar, një temë mjaft e debatuar edhe në jetën aktuale publike. Një temë e cila lidhet sigurisht me sistemin juridik në vend, sepse në çdo diskutim që bëjmë, tema numër një është siguria juridike, çështja sesi korpusi legjislativ i Shqipërsisë i shërben mjedisit të biznesit. Për shumë kritikë dhe skeptikë, tema e drejtësisë, e korpusit legjislativ apo e reformës në drejtësi me biznesin duken sikur nuk kanë lidhje, por në fakt gjithçka ka lidhje.

Që në ditët e para të punës time si ministër, u përpoqa dhe jam marrë gjatë dhe po vazhdoj të merrem me një çështje konkrete siç është psh. Gjykata Administrative, ku edhe FIAA ishte prezente dhe unë e falenderoj për kontributin që  na ka dhënë. Në fakt pyetja që shtruam ishte  sesi mund ta përmirësojmë shërbimin në gjykatën administrative, e cila është e vetmja gjykatë që kemi sot për sot në ligj të shkruar, që duhet të shërbejë shpejt. Në fakt, për disa arsye organizative ajo nuk ka arritur ta kryejë këtë mision. Të paktën në analizën e vitit të shkuar na rezultoi fatkeqësisht e njëjta situatë dhe me sugjerimet tuaja kemi bërë disa ndërhyrje dhe të shpresojmë që të shpejtohet disi afati i gjykimit. Është e vetmja gjykatë që gjithmonë ka palë qeverinë dhe qeveria është “e lumtur” që të mos i fitojë gjithmonë gjyqet, në kuptimin që është më mirë që të tolerojmë përkundrejt vendimeve të drejta, sesa të besojmë vendimmarrjen në favor të qeverisë, sepse në çdo vend demokratik aksioma është e njohur, qeveria është problemi. Sigurisht që është edhe zgjidhja për shumë probleme, por përpara drejtësisë, qeveria mbetet problemi. Dhe që problemi i qeverisë të korrektohet, sigurisht që gjykata është vendi ku duhet të ndodhë ky korrektim. Kështu që, ky është njëri aspekt, ai i rregullimit të gjykatës, që nuk është një detyrë e thjeshtë.

Strategjia jonë në Ministrinë e Drejtësisë për të përmirësuar bazën ligjvënëse, bazën legjislative, korpusin legjislativ në këtë vend, në favor të biznesit është “letra e bardhë”, që do të thotë në këtë letër biznesi duhet të shkruajë ligjin që ndihet komod. Ne nuk kemi nevojë të shpikim, nuk kemi nevojë të krijojmë ligje për ligjet, as të vazhdojmë të bëjmë amendime për për amendime të amendimeve, që s’dihet se ku është filli edhe fundi. Për fat të keq në korpusin legjislativ ne e kemi këtë “sëmundje”, por strategjia e “letrës së bardhë”, mendoj unë, është ajo që na nxjerrë të gjithëve faqebardhë, sepse biznesi nuk ka nevojë për llafe, nuk ka nevojë për deklarata politike, nuk ka nevojë as për konsum mediatik të pavend, por ka nevojë për ligje të thjeshta, ka nevojë për reagim të shpejtë, ka nevojë për shërbim korrekt. Të paktën kjo është ajo që na keni mësuar ju në gjithë këto takime që kemi patur dhe unë ju jam mirënjohës bashkë me stafin e Ministrisë së Drejtësisë dhe kemi ndërmend ta zhvillojmë këtë kontribut ekzakt në këto parime.

Ne jemi Ministria e Drejtësisë, ne nuk jemi përgjegjës për taksat dhe për tatimet. Ato janë detyrime që duhen paguar në çdo shtet ku punohet dhe nuk besoj se është kjo tema. Por kur bëjmë ligje që i duhen biznesit, strategjia është:- Ju lutem shkruajeni vetë! Na thoni kush është ligji më i mirë që ju përshtatet juve. Sigurisht që këtë nuk mund ta bëjmë dot në çdo biznes veç e veç, por do ta bëjmë nëpërmjet asosacioneve të biznesit. Kjo strategji bashkëpunimi mua më duket është më e frytshme.

Në ditët e fundit kemi patur disa nisma ligjvënëse që i kemi bërë ekzakt në strategjinë e letrës së bardhë. Zëvendësministri ka punuar gjatë në këtë strategji në ligjin për falimentimin dhe mund t’iu them se ne sot kemi një projektligj në pritje për t’u miratuar, nga më të mirët, jo se e kemi bërë ne, por e keni bërë ju. Është një ligj që ka ardhur ekzakt nga komuniteti i biznesit. Gjithashtu kemi përgatitur disa ndërhyrje në ligjin për shërbimin e përmbarimit jo se e kishim ne të nevojshme, por sepse për shkak të kërkesave të biznesit, veçanërisht të bankimit dhe të ekzekutimit të detyrimeve kolaterale në strategjinë e letrës së bardhë, ne kemi bërë disa ndërhyrje që besoj do të jenë plotësisht në shërbim të komunitetit të biznesit. Falenderojmë në këtë rast të gjithë ata kontribues, përfshirë edhe FIAA-n në këtë rast sepse ka qenë një strategji që ka funksionuar. Ashtu siç kemi ndërhyrë dhe po përgatisim disa ndërhyrje esenciale edhe për ligje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me transparencën apo kanë të bëjnë me procedurën, me elementë procedurale, të cilat realisht ndihmojnë qartësisht komunitetin e biznesit.

Nuk kemi bërë asgjë të jashtëzakonshme dhe nuk kërkojmë asnjë lavd, asnjë meritë për këtë punë. Unë dua unë t’ju falenderoj shumë për këtë kontribut dhe t’ju ftoj që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim edhe më tej, sepse është shumë e rëndësishme faza tjetër, që është zbatimi. Dhe unë besoj që në një vend si Shqipëria logjika e ekzekutimit sipas mentalitetit task forcë është diçka funksionale. Patjetër që reforma në drejtësi është e domosdoshme, nuk diskutohet. Qytetarët e Shqipërisë e kërkojnë, pavarësisht janë në punë apo s’janë në punë, janë biznes apo s’janë biznes. Por nga ana tjetër jemi koshientë që biznesi s’mund të na presë ne që kur të na mbushet mendja ta bëjmë reformën në drejtësi. Keni përgjegjësi sepse në bizneset tuaja janë praktikisht edhe të tjerë që punojnë.

Shërbimi përmbarimor është goxha i kërkuar prej jush dhe sa na takon e kemi vënë të gjithin në dispozicionin tuaj. Shërbimin noterial gjithashtu. Shërbime të tjera ligjore sa i takon fushës së veprimtarisë së Ministrit të Drejtësisë, siç janë ZRPP-ia, apo dhe shërbimet e ofruara në mjediset e gjykatës dhe patjetër që në Ministrinë e Drejtësisë ne do të merremi me këtë punë, do ta administrojmë çdo gjë. Me përparësi që do ta garantojë që çdo lloj letre, emaili, ankese, telefonate, sms-je që vjen nga komuniteti i biznesit të trajtohet me përparësi sepse ne e shohim si të vetmen rrugë për të zhvilluar më tej këtë vend. Jo se injorojmë kërkesat e tjera, të jemi realistë, por biznesin e shohim me përparësi, sepse mendojmë që në logjikën e ndërhyrjes, në logjikën task-force është e vetmja mënyrë që ne të zgjidhim problemin.

Tre gjëra kemi ndërmend të bëjmë dhe po i bëjmë. Sigurisht një aspekt është pjesa e shkrimit të ligjeve, të cilën e shpjegova që në strategjinë e “letrës së bardhë” për pjesën e biznesit mendoj që është më e mira, por sigurisht që ne do të duhet të ndërhyjmë edhe në sistemin e strukturimit të gjykatave. Para disa ditësh kam propozuar një sistem të organizimit gjyqësor në vend, për të cilin sigurisht duhet edhe pjesa e komunitetit të biznesit. Do të isha shumë i nderuar nëse do të kishit hapësira apo pak kohë për ta parë, apo për ta komentuar, apo për të sugjeruar sesi mund të ishte më mirë, si mund t’i bëhej më mirë biznesit, si mund të krijojmë një sportel të shërbimit të shpejtë në gjykatë, në ato raste që duhet shkuar në gjykatë, ndonëse biznesi nuk besoj se është i interesuar për të shkuar në gjykatë. Dhe në këtë rast ftesa ime për ju është: duhet të bëjmë sa më parë bashkarisht dhomat e arbitrazhit, që të paktën ti përdorim në Shqipëri. Dhomat e arbitrazhit me standartet ndërkombëtare të arbitrimit tregtar, ku palët të paktën të kursejnë shpenzimet e udhëtimit, sepse në fund të ditës, ju e dini që shteti shqiptar me gjithë përpjekjet e tij, nuk para ka qënë shumë i suksesshëm në procedurat e arbitrazhit, që dmth se kjo është një detyrë shumë e madhe për ne për të qenë shumë shumë më korrekt me komunitetin e biznesit.  Por nga ana tjetër, ne jemi të gatshëm të ofrojmë të gjithë garancitë e nevojshme nëse fillon të zhvillohet edhe pjesa e arbitrimit tregtar në Shqipëri. Dhe unë besoj që kjo është reforma më e mirë për pjesën e biznesit, ashtu siç po rishikojmë. Jemi duke parë edhe mundësinë e rishikimit, në fakt është bërë detyrim tashmë, e rishikimit të sistemit të pagave në sistemin gjyqësor dhe jo vetëm, sepse terapia më e mirë antikorrupsion siç na tregon të gjitha studimet e nevojshme, përveç ndërhyrjeve të ashpra ligjore, apo ashpërsimit të masave ndëshkimore, padyshim që mbetet trajtimi financiar. Ne duhet ta pranojmë këtë gjë, që trajtimi financiar i punonjësve të drejtësisë, është jo aty ku duhet dhe në fakt, në njëfarë mënyre, ose shërben si alibi për korrupsion. Kështu që në këtë ndërhyrje të tipit ekzekutiv ne jemi të vendosur. Natyrisht që nuk e ndërmarim dot të gjithë këtë nisëm ekzekutive të vetëm, duhet ta bëjmë bashkë.

Ju falenderoj shumë për ftesën, ashtu siç mbetem gjithmonë i angazhuar që të dëgjoj dhe të çoj përpara çdo rresht që ju doni të shkruhet tek “fleta e bardhë”.