Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, priti në Ministrinë e Drejtësisë znj. Nancy VanHorn, të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Takimi, i cili u zhvillua në një frymë miqësore dhe bashkëpunimi, shërbeu si një mundësi për të diskutuar mbi përparimin e reformës në drejtësi, si dhe për të adresuar sfidat që presin përpara.
Gjatë bisedës, ministri Manja e uroi znj. VanHorn për detyrën e saj të re, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve për të siguruar zbatimin e plotë të reformës në drejtësi. Të dyja palët ndanë një vizion të përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe për fuqizimin e institucioneve dhe kapaciteteve njerëzore të agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri.
Z. Manja theksoi rolin kyç të stafeve teknike shqiptare dhe amerikane në Tiranë, të cilët po kontribuojnë në mënyrë të rëndësishme në përparimin e reformës. Ai ritheksoi angazhimin e përbashkët për të punuar me përkushtim në konsolidimin e shtetit të së drejtës, si parakusht për integrimin euroatlantik të Shqipërisë.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.