Ministri i Drejtësisë, z.Ulsi Manja njoftoi se në Këshillin e Ministrave në mbledhjen e datës 29 shtator 2021, iu hap rruga marrëveshjes për ekstradimin ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës.
Zoti Manja tha se marrëveshja është një sinjal i qartë për botën e krimit.
Ministri theksoi se kryerësit e krimeve nuk do të mund t’i fshihen drejtësisë as në Spanjë dhe as në Shqipëri.
Fjala e ministrit të Drejtësisë z.Ulsi Manja pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:
Sot në Këshillin e Ministrave i hapëm rrugë lidhjes së një marrëveshjeje të re mes Mbretërisë së Spanjës dhe Republikës së Shqipërisë në fushën e ekstradimeve.
Kjo marrëveshje është shenjë e besimit të fortë, ndërmjet autoriteteve gjyqësore në mes të dy vendeve tona.
Natyrisht, Republika e Shqipërisë ka patur dhe ka bashkëpunim me Mbretërinë e Spanjës në fushën penale edhe sot, por ky bashkëpunim është bazuar dhe bazohet në Konvetën Europiane të Ekstradimeve të vitit 1957.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje të re që ne nënshkruajmë sot me Spanjën, eliminojmë një pengesë ligjore që ekziston në bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve tona dhe që ka të bëjë me rezervën ligjore, me të cilën Shqipëria ka ratifikuar Konventën Europiane mbi Ekstradimin për moslejimin e shtetasve shqiptarë drejt Spanjës dhe anasjelltas.
Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje eliminohet kjo pengesë ligjore dhe tashmë me Mbretërinë e Spanjës, autoritetet tona gjyqësore do të lejojnë ekstradimin reciprok të shtetasve shqiptarë në drejtim të Spanjës dhe anasjelltas.
Kjo marrëveshje ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve gjyqësore të të dy vendeve tona dhe të përmirësojë institutin e ekstradimit të shtetasve të të dy vendeve tona.
Por, pse jo është edhe një instrument shtesë në marrëdhëniet juridiksionale në fushën penale ndërmjet dy vendeve tona dhe një sinjal i qartë për botën e krimit, që çdo shtetas shqiptar që kryen një krim në territorin e Spanjës nuk mund të gjejë strehë në në Shqipëri, dhe anasjelltas çdo shtetas spanjoll që kryen një vepër në Spanjë dhe që vjen në Shqipëri, nuk mund të gjejë vend as në Shqipëri, përveçse t’i nënshtrohet drejtësisë të secilit vend.
Pra, është një sinjal i qartë që tashmë shkon për botën e krimit në marrëdhëniet tona në fushën penale me Mbretërinë e Spanjës.
Nuk ka një shifër të saktë të personave të përfshirë në këtë proces, në këtë drejtim, sepse marrëveshja e ekstradimit që ne i hapëm rrugë sot me Mbretërinë e Spanjës, përfshin të gjithë zinxhirin e bashkëpunimit në fushën penale, si hetimin paraprak ashtu edhe personat e dënuar me vendim të formës së prerë.
Natyrisht që ka një shifër të personave të dënuar me vendim të formës së prerë në Mbretërinë e Spanjës, gjë të cilën nëse ka interes mund të vihet dispozicion në Ministrinë e Drejtësisë pasi të rakordojmë me Prokurorinë e Përgjithshme.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.