Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, priti në një takim z. Alan Mitchell, president i Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT) dhe delegacionin shoqërues, në vazhdim të misionit të monitorimit të zhvilluar nga 4-15 maj 2023 dhe raportit të gjetjeve që iu prezantua qeverisë shqiptare më datë 24.11.2023. Takimi u zhvillua më datë 29.01.2024, në Ministrinë e Drejtësisë.
Gjatë takimit, palët konfirmuan qëndrimin e përbashkët për raportin e monitorimit mbi kushtet e të paraburgosurve dhe të dënuarve në Shqipëri për vitin 2023. Ministri vlerësoi rekomandimet dhe shprehu angazhimin e tij, si ministër i Drejtësisë dhe në emër të qeverisë shqiptare, për adresimin e plotë të tyre nëpërmjet një plani veprimi të detajuar qartësisht, me faza dhe masa konkrete. Ai theksoi disa prej masave konkrete si projekt-ligji për Amnistinë, hartimi i Kodit të ri Penal, investimet në infrastrukturë, dhe strategjinë për menaxhimin e sistemit penitenciar deri në vitin 2030.
Gjatë takimit Ministri garantoi bashkëpunimin e ngushtë me CPT dhe Avokatin e Popullit për përmirësimin e kushteve të trajtimit, me fokus sigurinë, trajtimin social dhe kujdesin mjekësor për të gjithë të paraburgosurit dhe të dënuarit, në veçanti ata me masa mjekësore.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.