Ministri i Manjani prezanton drejtoreshën e re të IEVP “Ali Demi” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 10/12/2015

Ministri i Manjani prezanton drejtoreshën e re të IEVP “Ali Demi”

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, prezantuan ditën e sotme në IEVP “Ali Demi” drejtoreshën e re të këtij institucioni.

Në prani të stafit administrativ dhe atij policor të burgut të grave, si dhe me pjeswmarrjen e mediave, drejtoresha e re Zoja Jakaj u prezantua si alternativa më e mirë për të ofruar atë që Ministri Manjani e quajti “standard i ri në drejtimin e burgjeve”. Me një formim të lartë akademik dhe eksperiencë të pasur profesionale në fushën e shoqërisë civile dhe botime publicistike, znj. Jakaj mori sot nga Ministri i Drejtësisë urdhrin e detyrës së re.

 

“Jam sot në këtë institucion, sigurisht pak të veçantë për shërbimet që ofrojmë ne, që është institucioni i vuajtjes së dënimit për gra, për të prezantuar drejtoreshën e re, të cilën e kam emëruar sot me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm dhe që është znj. Zoja Jaka. Ju keni qenë një njeri shumë aktiv, për hir të së vërtetës, në këtë institucion edhe gjatë kohës që s’keni qenë drejtoreshë, me projekte të ndryshme dhe besoj se do të keni gjithë dashamirësinë dhe mbështetjen e ekipit këtu, por edhe të zonjave dhe zonjushave të dënuara, të cilat janë gjithashtu qytetare të këtij vendi dhe që meritojnë respekt, brenda kuadrit ligjor që ato gëzojnë. Ky është një institucion riedukimi, prandaj zonja drejtoreshë projektet tuaja dhe të gjitha idetë që keni patur do të keni mundësi që t’i ndiqni këtu dhe për këtë do të keni gjithë mbështetjen time, në radhë të parë, do keni mbështetjen e Drejtorit të Përgjithshëm dhe personelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, sepse pa mbështetje nuk bëhet gjë, të jemi realistë. Unë thjesht ju uroj punë të mbarë sot dhe sigurisht, bashkë me ju në krye të këtij institucioni dëshiroj të shpall standardin e ri të emërimeve dhe të drejtimit të burgjeve. Dua ta theksoj këtë gjë, sepse sistemi i burgjeve dhe i paraburgimit është pjesë e sigurisë kombëtare. Nuk ka punë asnjë parti politike në këtë menaxhim, insistoj dhe do ta kryej këtë detyre, përsa jam betuar në Kushtetutën e Republikës, që i gjithë standardi drejtues, standardi im i menaxhimit, është me njerëz të cilët nuk kanë lidhje me partitë politike, me njerëz të cilët kanë kontribut në CV-të e tyre personale, kanë krijuar CV profesionale dhe nga kjo pikëpamje unë mbështes këtë lloj zgjidhje. Prandaj jam këtu sot, zgjodha jo pa qëllim këtë institucion, sepse emërime kemi bërë edhe në institucione të tjera dhe do bëjmë prapë, e theksoj këtë, derisa të vendosim një standard profesional sjelljeje. Kjo është një gjë e detyrueshme, që nuk varet nga dëshirat tona. Ministri, ju e dini, që është edhe njeri politik gjithashtu, pra po të kishte për të bërë politikë do isha unë shumë më tepër i interesuar për të bërë politikë, por ju lutem shumë duhet ta kuptojmë këtë si një përgjegjësi para ligjit. Dhe me emrin dhe CV-në e jashtëzakonshme të znj. Jakaj sot unë kam shpallur praktikisht standardin e ri të drejtimit të institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe paraburgimit. Nuk kam ndërmend të flas, as të dëgjoj, madje jam gati të refuzoj, kushdo qofshin ata persona politikë, të cilët duan që të insistojnë, pasi kjo nuk është një çështje politike. Është një çështje teknike, profesionale dhe në radhë të parë ligjore. Zonja Jakaj, je e mirëseardhur! Të falenderojmë shumë që pranove të kontribuosh në këtë sektor. Është një sektor delikat, i vështirë, por edhe i bukur, në kuptimin që punohet me njerëz që kanë nevojë dhe ne vetëm profesionalizëm mund të ofrojmë. Nuk mund të ofrojmë dallime. Punë të mbarë!”– tha gjatë prezantimit Ministri Manjani.

 

Drejtoresha e re e institucionit “Ali Demi” në fjalën e saj falenderoi Drejtorin e Përgjithshëm për propozimin dhe z. Ministër për prezantimin e saj në detyrën e re në këtë institucion dhe u shpreh optimiste për punën e saj.

 

“Vij nga bota akademike dhe jam marrë shumë edhe me aktivitete televizive, me median e shkruar dhe median vizive. E kam marrë si detyrë për të ndryshuar pamjen e këtij institucioni. Duke qenë se vij nga bota akademike, mendoj që një mësimdhënëse që ka dhënë mësim në sektorin e arsimit të mesëm dhe atë të lartë, nuk ka institucion që nuk do dijë të ketë një qasje të bukur, sigurisht pa devijuar asnjëherë nga ligji dhe e drejta, por për t’i ndryshuar faqen dhe për mos tu marrë fare me pjesën politike, por gjithmonë me ligjet, zbatimin e tyre dhe ndryshimin e këtij institucioni.”- theksoi znj. Jakaj.

 

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, në fjalën e tij të mirëseardhjes për drejtoreshën e re, mundësoi edhe një prezantim paraprak të punës në këtë institucion.

“Institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale “Ali Demi” është  një institucion me një staf shumë të mirë, ku nëse do të shohim përqindjen e raportit femra- meshkuj kemi një prezencë të madhe të femrave, çka do të thotë që edhe vetë prezenca juaj si femër do të jetë një mbështetje jo vetëm për stafin, por edhe për zonjat që janë të dënuara këtu. Më tepër se çdo institucion tjetër, ky institucion kërkon programe dhe aktivitete, kërkon të ndryshojë atë mentalitet në dukje që ne kemi, si sistem i burgjeve, që duke i mbajtur të mbyllur bëhet më i lehtë menaxhimi i tyre dhe madje duke hezituar për të bërë aktivitete. Sikurse tha Ministri, ju do të keni mbështetjen time dhe të të gjithë stafit. Suksese!”– përfundoi z. Zoto.

 

Prezantimi i drejtoreshës së re vijoi me stafin e institucionit, të cilët e njohën atë me situatën aktuale, programet dhe ecurinë e deritanishme të punës.