Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka qenë sot i pranishëm në ceremoninë e prezantimit të nismës “Për një drejtësi pa vonesa”, zhvilluar në Shkodër, në ambjentet e Fakultetit të Drejtësisë, pranë Universitetin “Luigj Gurakuqi”.
Nisma e cila zbatohet nga Prezenca e OSBE-së dhe Projekti i USAID-it “Drejtësi për të Gjithë”, me financimin e Agjencisë Austriake të Bashkëpunimit për Zhvillim pritet të analizojë shkaqet e vonesave në proceset gjyqësore, duke synuar përmirësimin e planifikimit dhe administrimin e çështjeve, si dhe forcimin e bashkëpunimit me palët gjyqësore.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Manjani theksoi se gjykatat duhet të veprojnë me shpejtësi, duke nënkuptuar se ku ka vonesa, ka edhe korrupsion, ndwrkohw qw u ndal edhe në nocionin e standardit të gjykimit të pandërprerë, duke e cilësuar atë si mjaft të rëndësishëm dhe një kusht i cili duhet respektuar medoemos.
“Sot kalojmë në një fazë të dytë të këtij projekti ku mbulohen të gjitha gjykatat e shkallës së parë. Patjetër që reforma në drejtësi është nëna e të gjitha reformave dhe për zbatimin e saj duhet patjetër që të ketë një gjykatë proaktive. Nëse gjykata shërben me vonesë, atëherë ky ekuacion del negativ. Gjykata duhet të shërbejë shpejt, sepse ku ka vonesë ka korrupsion. Njerëzit janë të prirur që nëse vonohet gjyqi, dmth se ka korrupsion dhe dikush po shkëmben para në emër të drejtësisë që po vonohet. Ky projekt na jep një mundësi që të zgjedhim drejtësinë e shpejtë. Njerëzit duhet të dinë se kur është data e fillimit dhe e mbarimit të gjyqit. Sot jemi këtu për të shpallur një fazë të re, cilësisht ndryshe, duke nisur që nga caktimi i seancave gjyqësore”, u shpreh z. Manjani
Ministri Manjani vuri në dukje se shpesh perceptimi i publikut është që nuk trajtohet njësoj dhe kjo sjell rënien e besueshmërisë.
“Drejtësi pa vonesa do të thotë drejtësi profesionale, e paanshme dhe e besueshme. Reforma e programuar është e thellë dhe duhet bërë e tillë sepse nuk ka rrugë tjetër. Në gjykatat e shkallës së parë, aty ku shqyrtohen provat, ka nevojë për kohë, por kjo kohë nuk mund të jetë në varësi të taktikës së avokatëve apo të atyre që duan të fitojnë gjyqet me rrugë të tjera”, tha Ministri Manjani
Gjithashtu, në kuadër të qëllimit që kjo nismë kërkon të realizojë, z. Manjani vlerësoi se është shumë e rëndësishme të rritet aftësia komunikuese dhe këtë kërkesë ai e adresoi në mënyrë të veçantë për kryetarët e gjykatave.
“Përdoruesit e gjykatave nuk janë jurist por kanë prirjen të perceptojnë fenomenet që shohin me sytë e tyre, në mënyrat e tyre. Që ky perceptim të përmirësohet ka nevojë për komunikim dhe jo një komunikim me gjuhë të drunjtë por të kuptueshëm dhe të thjeshtë, që njerëzit të kuptojnë se çfarë ka ndodhur”, u shpreh Ministri Manjani
Në përfundim, Ministri Manjani ka bërë një apel për kryetarët e gjykatave, që të jenë përkrahës të kësaj nisme dhe t’u krijojnë të gjitha lehtësitë e nevojshme punonjësve të këtij projekti për të ushtruar detyrën e tyre, përsa kohë synimi i kësaj nisme është edhe rikonceptimi i një axhendë të re të punës së çdo gjyqtari.
Nisma “Për një drejtësi pa vonesa” e pati pikënisjen e saj si një projekt pilot në Gjykatën e Krujës në shkurt të vitit 2014 dhe pak më vonë u shtri edhe nga Gjykatat e Korçës, Pukës dhe Tropojës. Nisur nga suksesi i projektit fillimisht në këto katër gjykata, kjo nismë do të shtrihet në tre vitet në vazhdim në të gjitha gjykatat e rrethit të Shqipërisë.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.