Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço takon raporterët e Komisionit të Venecias. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 02/11/2015

Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço takon raporterët e Komisionit të Venecias.

Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço ka pritur në një takim delegacionin e lartë të Raporterëve të Komisionit të Venecias, të cilët po zhvillojnë një vizitë zyrtare në kuadër të dhënies së opinionit mbi draft amendamentet e ndryshimeve kushtetuese, të hartuara nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, pranë Komisionit të Posaçëm për reformën në Drejtësi.

Gjatë takimit Ministri Naço ka vlerësuar kontributin e Komisionit të Venecias, duke e cilësuar ekpertizën e këtij institucioni të një niveli të lartë si dhe një garanci për një reformë të orientuar drejt BE-së.

“Që në nisjen e mandatit tim si ministër, rolin e Komisionit të Venecias e kam vlerësuar si mjaft të rëndësishëm dhe e kam ftuar këtë institucion të na asistojë në rrugën tonë të reformimit të sistemit. Drafti i paraqitur pranë jush është i fokusuar në marrjen e masave për çrrënjosjen e korrupsionit ndërkohë që realizimi i gjithë këtyre ndryshimeve do të na sjelli pashmangashmërisht një sistem drejtësie të pavarur, transparent, të përgjegjshëm dhe mbi të gjitha të denjë për t’i shërbyer qytetarëve të vendit tonë dhe të gëzojë besimin e tyre”, u shpreh z. Naço

Z. Naço i informoi raporterët e Komisionit të Venecias se së shpejti është në plan realizimi i një axhende konsultimesh për diskutimin e draftit, ku do të jenë të ftuar të gjithë aktorët e sistemit për të marrë prej tyre komente mbi këtë draft.

Në përfundim të takimit, kreu i drejtësisë shqiptare u shpreh se qeveria i mirëpret opinionet e Komisionit të Venecias për draftin e paraqitur, me qëllim përmirësimin e tij, duke vlerësuar se ky opinion është garanti kryesor për një sistem të reformuar sipas standarteve të BE-së.