Koordinatorja e Përhershme e OKB-së, Zj. Zineb Touimi-Benjelloun ka zhvilluar sot një takim kortezie me Ministrin e Drejtësisë, Z. Nasip Naço.
Znj. Benjelloun e ka uruar Ministrin Naço për detyrën e tij ndërsa ka shprehur besimin e saj se nisur edhe nga formimi i gjatë profesional i tij, Z. Naço do të dijë ta drejtojë në rrugën e duhur reformimin e drejtësisë shqiptare.
Gjatë takimit Znj. Benjelloun është ndalur fillimisht në prezantimin e pikave të deritanishme të bashkëpunimit si dhe perspektivat e reja me interes të përbashkët. Ajo ka theksuar se Kombet e Bashkuara e kanë mirëpritur programin e qeverisë aktuale dhe vlerësimet e tij në lidhje me drejtësinë, luftën ndaj korrupsionit dhe kriminalitetin, si dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Duke garantuar vazhdimësinë e asistencës së Kombeve të Bashkuara, Koordinatorja e Përhershme e OKB-së, Zj. Zineb Touimi-Benjelloun e ka siguruar Ministrin Naço se do të ofrohet e gjithë mbështetja në mënyrë që ligjet tona t’i përafrohen standardeve të BE-së. Ajo është shprehur pozitivisht lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë dhe në kontekstin e përmbushjes së detyrimeve, parimisht të pranishmit ranë dakort lidhur me trajnimin dhe shkëmbimin e eksperiencës me ekspertë të huaj nga Kroacia dhe Sllovenia në fushën e gjyqësorit dhe atë të prokurorisë.
Gjatë bisedës, Znj. Benjelloun veçoi se është bërë një punë e mirë përsa i përket shërbimit të provës, drejt qëllimit final i cili është ri-integrimi i të rinjve në jetën sociale, ndërsa Ministri Naço premtoi një vëmendje të posaçme në rritjen e nivelit të menaxhimit të këtyre institucioneve me rëndësi të veçantë. Gjithashtu kreu i drejtësisë shqiptare bëri me dije se në ndryshimet legjislative që do të propozohen në të ardhmen, do të përfshihen çështjet që kanë të bëjnë me të miturit, përfshirë mosdiskriminimin dhe rehabilitimin e tyre. Sipas Ministrit Naço prioritare mbetet dhe zhvillimi i politikave të qeverisë, në mënyrë që të ndikojnë në orientimin strategjik në fushën e mosdiskriminimit të gruas.
Duke u ndalur në disa sfida të punës së tij si Ministër i Drejtësisë, Z. Naço theksoi se një rëndësi prioritare do të marri rritja e transparencës në sektorin e drejtësisë dhe më konkretisht në fushën e të drejtave të pronësisë, ngritja e kapaciteteve për sigurimin e zbatimit të masave në shërbimet e ndërmjetësimit për të mitur, etj.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.