Ministri i Drejtësisë urdhëron hetim administrativ mbi pretendimet e bëra publike për bllokimin e paligjshëm të pajisjes me certifikata pronësie - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 18/06/2017

Ministri i Drejtësisë urdhëron hetim administrativ mbi pretendimet e bëra publike për bllokimin e paligjshëm të pajisjes me certifikata pronësie

Ministri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi, është njohur sot me deklarimin publik të Kryetarit të Partisë Socialiste z. Edi Rama, dhe Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Luan Rama, sipas të cilëve për motive politike apo shkaqe të tjera të paligjshme, po pengohen qytetarët të pajisjen me certifikata pronësie, pavarësisht se janë pajisur më parë me certifikatën e legalizimit të pasurisë së tyre.

Ministri i Drejtësisë mori kontakt të mënjehershëm me strukturat përgjegjëse në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajshme Tiranë mbi këtë çështje. Pavarësisht informacioneve pararake, Ministri i Drejtësisë, për të bërë transparencë të plotë mbi këtë çështje, ka urdhëruar kryerjen e një hetimi të plotë administrativ mbi këtë problematikë.

Ministria e Drejtësisë siguron të gjithë banorët e Bashkisë Vorë, se nëse konstatohet shkelje nga punonjësit e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajshme, do të marren masa të menjëhershme disiplinore për secilin prej tyre. Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë siguron qytetarët që kërkesat e tyre për pajisje me certifikatë pronësie do të trajtohen në përputhje me ligjin, brenda afateve të caktuar nga ligji.

Ministri Bardhi i bën thirrje çdo subjekti politik të ndal përdorimin e çështjeve që përfshihen brenda fushës së veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë, për qëllime politike apo elektorale. Çdo subjekt politik që ka informacion për pengime artificiale që i bëhen qytetarëve për qëllime politike apo shkaqe të paligjshme, të informojë menjëherë Ministrinë e Drejtësisë, duke garantuar veprimin tonë të menjëhershëm për respektimin e ligjit.

Z. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo tentativë përdorim të paligjshëm që i bëhet veprimtarisë institucionale të Ministrisë së Drejtësisë, nga subjekte zgjedhore.