Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në praninë e drejtuesve të organeve të drejtësisë dhe përfaqësuesve diplomatike në Tiranë, prezantoi Strategjinë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030. Ky dokument strategjik do të kontribuojë në forcimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke e përputhur atë me standardet evropiane. Kjo strategji është një hap i rëndësishëm për të avancuar reformat që janë ndërmarrë, për një drejtësi më të pavarur, transparente dhe të përgjegjshme për të gjithë qytetarët.
Në prag të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, Ministri Manja shprehu angazhim për:
Konsolidimin e arritjeve të Reformës në Drejtësi: Sigurimi i zbatimit të vazhdueshëm të reformave në përputhje me standardet evropiane është një prioritet kyç.
Forcimin e pavarësisë dhe llogaridhënies: Kjo strategji synon një sistem drejtësie që është i pavarur, transparent dhe përgjegjës ndaj qytetarëve, duke garantuar që të gjitha institucionet e drejtësisë të operojnë pa ndikime të jashtme.
Rritjen e efikasitetit të institucioneve: Përmes modernizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve, synohet të ofrohet një drejtësi më të shpejtë dhe efektive, që i shërben më mirë nevojave të qytetarëve.
Zbatimin e Hartës së Re Gjyqësore: Një komponent i rëndësishëm i strategjisë është zbatimi i Hartës së Re Gjyqësore, e cila do të ndihmojë në organizimin dhe optimizimin e strukturave të gjyqësorit.
Me këtë strategji, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe Ministria e Drejtësisë janë të përkushtuar për të sjellë drejtësinë evropiane më afër qytetarëve shqiptarë si kurrë më parë.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.