Ministri i Drejtësisë merr pjesë në ceremoninë e inagurimit të Paraburgimit të Beratit. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 16/12/2014

Ministri i Drejtësisë merr pjesë në ceremoninë e inagurimit të Paraburgimit të Beratit.

Gjatë paradites së sotme u inagurua Paraburgimi i Beratit, një institucion tërësisht i ri i vuajtjes së vendimeve penale, që do të ofrojë kushte më të mira për personat e privuar nga liria. Ky institucion sigurion kushtet standarde që kërkohen në nivel ndërkombëtar, si dhe nga organizatat që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut. Të pranishëm në ceremoni ishin Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, Zv/Ambasadori i Delegacionit të BE-së, Yngve Engstrom, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Artur Zoto, si dhe të tjerë përfaqësues në nivel lokal, deputetë të zonës etj.

Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë iu referua hapjes së këtij institucioni si një ngjarje e rëndësisshme në rrugën për përmirësimin e kushteve të jetesës për personat e privuar nga liria.

Ministri Naço gjatë aktivitetit u shpreh, se hapja e një institucioni të ri të ekzekutimit të vendimeve penale shkon paralelisht me frymën e reformës në sistemin e drejtësisë. Gjithashtu, është edhe në përputhje me vizionin e një drejtësie penale jo vetëm korrektuese, por edhe respektuese ndaj qenieve njerëzore. Procesi i riintegrimit për personat në konflikt me ligjin nis që nga momenti i hyrjes së tyre në këto institucione e vijon me mënyrën e trajtimit konform ligjit dhe rregulloreve në fuqi. Ndryshimi nga bota jashtë në botën brenda këtyre mureve duhet të jetë sa më i vogël, në të kundërt ai mund të lërë pasoja të parikthyeshme. Për këtë arsye, u shpreh ai, ne dëshirojmë që të burgosurit të ndihen qytetarë dinjitozë edhe brenda mureve, aty ku janë të privuar nga liria, por jo nga të drejtat themelore. Kjo me qëllim që ata të rikthehen në shoqërinë tonë të rehabilituar dhe me vlera njerëzore të pacënuara. Inaugurimi i një burgu të ri me kushte moderne dhe hapësira që respektojnë të drejtat e njeriut është një hap premtues në garantimin e standardeve që duhet të përmbushë një vend, i cili synon antarësimin në BE.

Së shpejti, pritet  të inaugurohet edhe burgu i Fierit, me një kapacitet prej 780 personash dhe me kushte optimale, ndërkohë që është në ndërtim burgu i Shkodrës me një kapacitet prej 740 personash. Hapja e burgjeve të reja vjen në vazhdën e një sërë ndryshimes ligjore të ndërmarra nga ana e Ministrisë së Drejtësisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Konkretisht, është hartuar një Projekt-VKM për shpërblimin e punës së të dënuarve në sistemin e burgjeve. Po ashtu, kanë nisur të zbatohen në praktikë projektet e punësimit brenda burgjeve me anë të afrimit të investitorëve të ndryshëm, si dhe janë bërë amendimet e duhura ligjore dhe janë hartuar akte nënligjore që lidhen drejtpërdrejtë me jetën e të burgosurve, për t’i përsosur ato më tej.

Te dhenat teknike:

Paraburgimi i Beratit ka një kapacitet prej 116 personash. Investimi i tij kap shifrën e rreth 4 milion eurove të mundësuara nga fondet IPA, ndërkohë që duhet theksuar edhe investimi i Ministrisë së Drejtësisë me një buxhet prej rreth 782 mijë euro, ku përfshihen sistemi i ngrohje/ftohjes, sistemi elektrik i paneleve diellore, sistemi hidraulik etj. Gjithashtu, infrastruktura rrugore për të mbërritur në institucion është mundësuar me anë të një financimi prej 96 milion e 800 mijë lekë të rinj, por janë bërë edhe investime për skarpatat mbrojtëse dhe sistemin e përroit pranë IEVP Berat, me një vlerë prej 49 milion e 800 mijë lekë të rinj. Të gjitha investimet e mësipërme ndikojnë në përmirësimin e zonës dhe sigurinë e mbrojtjes së terrenit.