Ministrat Naço dhe Athanassiou: Vullnet i përbashkët per thellimin e bashkepunimit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 22/02/2014

Ministrat Naço dhe Athanassiou: Vullnet i përbashkët per thellimin e bashkepunimit

Ministri i  Drejtësisë z. Nasip Naço me ftesë të homologut të tij grek, z. Charalampos Athanassiou, po zhvillon një vizitë zyrtare në Athinë, në Ministrinë e Drejtësisë, Transparencës dhe të Drejtave të Njeriut.

Nënshkrimi i një Marrëveshjeje Dypalëshe me Greqinë mbi tranfersimin e personave të dënuar si dhe informimi mbi problematikat kryesore dhe gjetja e zgjidhjeve të përbashkëta mbi këtë çështje, ishin temat qendrore të diskutimit.

Gjithashtu, gjatë takimit bashkëbiseduesit shprehën interesin e ndërsjelltë për nisjen e bisedimeve edhe në nivelin teknik, për të mundësuar lehtësimin e zbatimit të marrëveshjeve që rregullojnë marrëdhëniet e bashkëpunimit mbi çështjet që lidhen me sistemin penitenciar.

Dy ministrat shprehën në këtë takim vullnetin dhe angazhimin e përbashkët për vazhdimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, veçanërisht në fushën e drejtësisë.

Ministri Naço garantoi se e mirëpret vazhdimësinë e bashkëpunimit midis dy vendeve përsa i përket zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe ndërsa e vlerësoi si mjaft të rëndësishme ndihmën e dhënë nga Greqia në të gjitha fushat.

Në fokus të bisedës ishte edhe reforma aktuale që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë shqiptare në kuadër të forcimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.

Ministri i Drejtësisë së Greqisë, z. Charalampos Athanassiou vlerësoi se bashkëpunimi i deritanishëm ka qenë i kënaqshmën dhe shprehu besimin në vazhdimësinë e tij, duke i konsideruar të rëndësishme shkëmbimet dypalëshe në nivel teknik.

Në vijim të vizitës së tij në shtetin grek, Ministri Naço ka zhvilluar një tjetër takim të nivelit të lartë, me Kryetarin e Gjykatës së Lartë, z. Michael Theoharides.

Ministri Naço dhe z. Theoharides kanë shkëmbyer ide dhe mendime lidhur me reformat që do të mundësonin krijimin e një sistemi gjyqësor të drejtë dhe të pavaruar, i cili do të ndikonte në forcimin e shtetit ligjor.

Diskutimet u përqëndruan edhe në sfidat aktuale me të cilat përballet drejtësia shqiptare dhe Ministri Naço e informoi z. Theoharides lidhur me objektivat dhe vizionin e Ministrisë së Drejtësisë për reformimin e Gjykatës së Lartë, në bashkëpunim me të gjithë aktorët e sistemit dhe me asistencën e Komisionit të Venecias.

Z. Theoharides u shpreh optimisht lidhur me ecurinë e reformave të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, të cilat i konsideroi si nisjen e një rruge progresi që meriton përgëzime.

“Bashkëpunimi ndërshtetëror në fushën e drejtësisë, do të mundësonte çeljen e udhës së një miqësie të fortë mes dy popujve”, u shpreh z. Theoharides