Ministri Manja: Një ditë e bukur, premtim i mbajtur. Falënderoj të gjitha stafet për angazhimin e tyre.
Ka nisur sot transferimi i personave me masë shëndetësore nga Zaharia në drejtim të burgut të Shën Kollit, ku dy blloqe janë rikonstruktuar dhe përshtatur për 319 pacientët. Operacioni drejtohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe do të shtrihet në dy ditë. Ministri i Drejtësisë z. Ulsi Manja ka inspektuar sërish sot në mëngjes ambientet ku do të akomodohen pacientët e Zaharisë, duke parë nga afër kushtet dhe masat e marra. Ai ka vlerësuar punën e bërë, duke theksuar se pas më shumë se 20 viteve rekomandimesh e vërejtjesh, është realizuar mbyllja e një prej institucioneve më të kritikuara dhe të amortizuara. Sipas z.Manja qëndrimi i këtyre personave në këto ambiente do të jetë një fazë kalimtare, derisa ata të merren përfundimisht nën përkujdesje nga Ministria e Shendetësisë në një institucion totalisht të përshtatur për problematikat e këtyre personave. “Premtuam që Zaharia do mbyllej brenda nëntorit dhe e mbajtëm. Është ditë e bukur, pavarësisht shiut. Falënderoj të gjitha stafet e angazhuara, sidomos ato të Drejtorisë së Pergjithshme të Burgjeve, të IEVP Zahari dhe IEVP Shën Koll për angazhimin e tyre fizik e human edhe në ditët e pushimit, në trajtimin dhe sistemimin e këtyre personave në ambientet e rikonstruktuara të Lezhës”, ka thënë z.Manja.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.