Sot në Ministrinë e Drejtësisë, nën kryesimin e Ministres Etilda Gjonaj u mblodh për herë të parë Rrjeti i Koordinatorëve Antikorrupsion. Ky rrjet përbëhet nga koordinatorët antikorrupsion të vendosur në 17 institucione dhe agjenci që ofrojnë shërbime vitale për qytetarët dhe do të ndjekë rast pas rasti çdo sinjalizim për korrupsion në bashkërendim të plotë me institucionet shtetërore të punës në luftën kundër veprave të paligjshme.
Rrjeti antikorrupsion është një strukturë për të cilën kemi pritshmëri shumë të mëdha dhe këto pritshmëri duhet të realizohen nga ju, në bazë të rezultateve që sillni. Nuk është thjesht çështja që ju të jeni atje, dhe ne e kemi garantuar që kemi nga një koordinator për rrjetin anti-korrupsion për këto institucione, por ka të bëjë pikërisht me atë që ju do të sillni: u shpreh Ministrja Gjonaj.
Më tej Gjonaj shtoj: Ju si koordinatorë antikorrupsion keni filluar punën në institucionet përkatëse dhe e kuptoni rëndësinë jetike të këtij roli, sepse nuk është thjesht një pritshmëri që kanë njerëzit, nuk është thjesht një pritshmëri që kanë aktorët ndërkombëtarë, por është një pritshmëri që lidhet me pjesën e rezultateve që të gjithë qytetarët presin nga ju.
Puna e këtij rrjeti duhet nxitur dhe promovuar fort me qëllim që qytetarët ta dinë ekzaktësisht që Rrjeti Antikorrupsion ka filluar funksionimin. Kjo ka shumë rëndësi pasi do të jenë qytetarët ata që do të sjellin denoncimet apo ankesat për korrupsionin apo shpërdorimin e detyrës, pasi shpeshherë është e vështirë edhe ndarja me thikë e këtyre dy elementëve.
Nëse do të ketë sjellje, qasje që nuk i shkojnë përshtat koordinatorit antikorrupsion, unë do të marr vendimin që të largoj koordinatorin nga rrjeti. Nuk mundet që të vëmë në rrezik rrjetin për një koordinator që nuk do të arrijë të ushtrojë funksionin dhe të ketë sjellje apo qasje që nuk duhet të ketë një koordinator antikorrupsion. Dhe këtu besoj e merrni mesazhin që duhet.
Në fjalën e saj, Ministraj Gjonaj siguroj koordinatorët për mbështetjen e saj dhe të Kryeministrit Rama: Në këtë rrugëtim për të mirën e qytetarëve të Shqipërisë ju nuk jeni vetëm, por keni të gjithë mbështetjen time, të Qeverisë dhe të Kryeministrit Rama, mos harroni se koha nuk pret dhe rezultatet e luftës kundër korrupsionit janë jetike për vendin.
Më herët kujtojmë që Ministrja Gjonaj prezantoi risitë e Rrjetit Antikorrupsion, i cili është i përbërë nga koordinatorë antikorrupsion në 17 agjenci qendrore, përfshirë këtu edhe agjencitë e pronave, ato arsimore, shëndetësore, njëkohësisht tatimet dhe doganat. Këta koordinatorë do të jenë avokatët jo vetëm të qytetarëve, por patjetër edhe të biznesit, sidomos në rastet kur do të kenë denoncime apo indicie për çështje korruptive.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.