Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ishte sot i pranishëm në Konferencën e III-të Kombëtare të Shoqatës se Avokatëve Penalistë, ku ndër të tjera evidentoi se sistemi i drejtësië penale ka mjaft probleme të mbartura edhe për shkak të ndryshimeve dhe ndërhyrjeve të shpeshta në legjislacionin përkatës.
“Më duhet të konstatoj bashkë me ju se sigurisht drejtësia penale e sotme ka probleme, nuk është aty ku duhet dhe aty ku pritet. Mund t’ju jap vetëm një tregues. Sot në sistemin penitenciar më shumë se gjysma e personave të izoluar janë persona të padënuar ende, që dmth se drejtësia penale ka problem. Sigurisht që këto probleme nuk vijnë vetëm për shkak të njerëzve, nuk kanë vetëm një arsye por disa. Është e qartë që legjislacioni jo stabël i gjithë këtyre viteve dhe ndryshimet e shpeshta në legjislacion kanë krijuar kakofoni ligjore. Nuk e di se cfarë sistemi penal kemi, akuzator apo inkuizitor. Por ama jetojmë me këtë realitet dhe unë e kuptoj vështirësinë e avokatëve”, u shpreh Ministri Manjani
Ndër të tjera, z. Manjani vuri në dukje se pozita procedurale e shërbimit të prokurorisë, si nëpërmjet akuzës ashtu edhe nëpërmjet asaj që quhet hetimi penal është një temë me mjaft rëndësi.
“Të gjithë e dimë se kompromentimi i provave, gjurmëve dhe gjithçkaje që ka lidhje me fazat para-hetimore çon në mënyrë të natyrshme në kompromentimin e çështjes në proces. Dhe ajo që percepton opinioni publik nuk është realiteti sepse askush nuk hyn tek dosja siç hyn avokati apo prokurori, por opinioni publik percepton rezultatin final që është vedimi i gjykatës. Është e rëndësishme që personat e gozhduar me prova duhet të mbeten në burg ashtu siç personave që gozhda e provave ju shkulet me lehtësinë më të thjeshtë duhet të jenë të pafajshëm. Ky është parimi i drejtësisë, një sistem që funksionon në çdo shoqëri demokratike. Jam i bindur që parimi themelor është paanësia, si e vetmja mënyrë që ndan të mirën nga e keqja”, tha Ministri Manjani.
Gjatë fjalës së tij Ministri Manjani i ka dhënë mjaft rëndësi edhe parimit të gjykimit të pandërprerë dhe procedurave të gjykimit të drejtëpërdrejta dhe në afate sa më të shpejta, çështje të cilat i konsideroi si përparësi të punës së tij si Ministër.
“Për mua është e papranueshme që një person i arrestuar për armëmbajtje pa leje të mbahet pafundësisht në paraburgim, ai duhet të dergohet menjëherë për gjykim. Nuk është thjesht çështje kostosh, pra kostoja e mbajtjes në paraburgim, por çështje e standardeve të të drejtave të njëriut. Mbetem përkrahës i gjykimit në kushtë të drejtëpërdrejta për të gjithë ata persona që kapen në kushtet e flagrancës”, tha z. Manjani
Për Ministri Manjani, gjykata duhet të ketë sa më pak informacion paraprak, i cili mundësisht të jepet në sallën e gjyqit dhe kjo gjë sipas tij do t’i vendosi palët procedurale në pozita realisht të barabarta.
Njëkohësisht, në fjalën e mbajtur para avokatëve të pranishëm në këtë konferencë, z. Manjani ka shprehur mirënjohejn e tij për vendimin e tyre për të mos i bojkotuar seancat e masave të sigurisë, duke e cilësuar këtë vendimmmarrje si tregues përgjegjshmërie.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.