Manja: Antikorrupsioni, 7 zyrtarë të kadastrës në SPAK dhe Prokurori - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 16/11/2021

Manja: Antikorrupsioni, 7 zyrtarë të kadastrës në SPAK dhe Prokurori

Ministri i Drejtësisë z.Ulsi Manja, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, duke bërë publike punën e Drejtorisë Antikorrupsion, dhe ecurinë e saj në përballje me abuzimet nga zyrtarët si dhe me denoncimet e qytetarëve kundrejt tyre. Më poshtë, deklarata e plotë e Ministrit të Drejtësisë:

Përshëndetje të gjithëve,

Si ju premtova dhe në takimin tonë të fundit sot fillojmë me kallzimet e rasteve të para që lidhen me abuzimet në Kadastër. Ju e dini tashmë që kadastra ka procesin e legalizimeve dhe të hipotekimit të pronave dhe që njësia antikorrupsion ka dhe fluksin më të madh të denoncimeve që vinë nga qytetarët për këtë sektor. Dy rastet e para që do të bëjmë publike sot, për njërën do të bëjmë kallëzim në SPAK dhe për tjetrën do t’i drejtohemi prokurorisë së Tiranës.

Rasti i parë, i përket Drejtorisë së Zonave Turistike. Është një rast flagrant, një ndërtim pa leje, brenda territorit të një ndërtese publike, më saktë, një ndërtim pa leje mbi një objekt publik. Sot që po flasim së bashku, është kopsht publik, mësojnë fëmijët në atë kopsht. Rasti ka të bëj me Njësinë Administrative Ishëm, në Bashkinë Durrës. Është legalizuar një objekt pa leje brenda territorit të këtij kopshti publik, i cili përdoret edhe si ambjent shtesë për shkollën e këtij fshati. Madje ndërtimi pa leje është bërë direkt mbi kopshtin, pa një studim, pa një projektim është shtuar një kat në kopshtin ku aktualisht shkojnë mësojnë fëmijët e kësaj njësie. Jo vetëm duke shkelur haptazi ligjin, por dhe duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e fëmijëve që mësojnë aty. Legalizimi është kryer në mënyrë abusive, pasi ligji përjashton nga procedurat e legalizimit, objektet e ndërtuara në territorin e ndërtesave publike, aq më tepër që ky objekt sot, vazhdon të jetë në pronësi të Njësisë Administrative Ishëm, pra i ka kaluar me Vendim të Këshillit të Ministrave, Njësisë Administrative Ishëm, ndërkohë që zyrtarët përkatës që do të denoncohen sot në SPAK, e kanë disponuar këtë objekt me legalizim fillimisht për privatin dhe më pas e kanë hipotekuar më pas për privatin. Për këtë vepër penale kemi vendosur të dërgojmë në Prokurori 6 persona, mes të cilëve ish punonjës dhe punonjës aktual të Drejtorisë së Zonës Turistike dhe të ASHK Vendore Durrës, të cilët me veprimet e tyre, që nga matjet në terren dhe deri tek legalizimi i objektit kanë shpërdoruar detyrën në mënyrë flagrante.

Rasti i dytë ka të bëj me regjistrimin e një prone pa kërkesë dhe pa dokumentacion. I përket Drejtorisë së Tiranës Rurale 2 në Agjencinë Vendore dhe është rasti klasik se si shteti, zhvishet nga pronësia, nëpërmjet veprimeve fiktive, nga punonjës shtetëror të Kadastrës. Në kartelën manuale të pasurive, prona rezulton shtet, ndërsa në sistem, pasuria rezulton në emër të një qytetari, pa dokumentacionin përkatës të fitimit të pronësisë dhe më flagrant  është fakti se qytetari nuk ka bërë as kërkesë për regjistrimin e kësaj prone. Absurdi ka vazhduar deri atje sa nëpunësja e Kadastrës, e autorizuar ka kryer veprime mbi kartelën e pasurisë, pa aplikim në sistem dhe për shërbimet kadastrale. Gjithashtu në listën e trojeve kjo pasuri figuron me tre cilësi të ndryshme. Një herë është në emër të një qytetari, herën e dytë kartela manuale është shtet, ndërsa herën e tretë po kjo pasuri në sistem është regjistruar në emër të një qytetari tjetër pa dokumentacionin e fitimit të pronësisë. Në total janë kryer veprime të paligjshme në tjetërsimin e një mijë metër katror tokë dhe njëqind e dyzet metër objekt. Të gjitha këto veprime janë kryer vetëm nga një person, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për kadastrën, është i njëjti person që i ka bërë të treja këto si procese pune: Pra edhe specialistin, edhe përgjegjësin edhe drejtorin për firmën, për të administruar pronën.

Për këto raste, si Koordinator kundër Korrupsionit, kam firmosur kallzimet respektive edhe në SPAK, edhe në Prokurorinë e Tiranës. Sigurisht që janë kallzimet e para, por më lejoni t’iu bëj me dije se vetëm nga e marta e kaluar dhe deri më sot, pra vetëm një javë,  ka edhe 138 denoncime të tjera për praktika abuzimi, ku Kadastra është zëri kryesor I ankesave. Pastaj është Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, por sigurisht edhe për Shërbimin e Noterisë. Këtu gjej rastin, t’i kërkoj Njësisë Antikorrupsion që të thellojë hetimet edhe në drejtim të Shërbimit të Noterisë, që denoncohen së bashku me raste që vijnë për Kadastrën. Është një process zinxhir, që nuk fillon dhe mbaron në një institucion, por legalizimet dhe hipoteka, sigurisht që është pika fundore, ku kemi dhe malin e madh me abuzime. Dua të përcjell sot një mesazh nëpërmjet jush për të gjithë nëpunësit e ndershëm të kadastrës Shqiptare, nga veriu në jug. Por sidomos për gjashtë zyra vendore Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Sarandë. Këtë thirrje e kam për ata nëpunës publik, të ndershëm, korrekt, profesionist që i bëjnë nder shtetit me shërbimet që i japin në këto gjashtë zyra, mos bini preh e presionit të kolegëve, që kanë hesape të hapura në këtë process me Njësinë Antikorrupsion. Thirrja shkon për punonjësit e arkivave në këto Kadastra. Të jeni korrekt! Mos lejoni të fusin duart në arkivat e Kadastrës, asnjë nga kolegët tuaj! Respektoni detyrimet ligjore, që burojnë nga ligji për qarkullimin e materialeve dhe informacionet, nga njëra zyrë te tjetra! Mos lejoni, që dosjet që keni në administrim në arkiva, të jenë objekt i këtyre nëpunësve që tashmë i kanë hesapet e hapura në Njësinë Antikorrupsion!

E thashë edhe në takimin e parë, e ripërsëris edhe sot, garancia e suksesit të kësaj Njësie është që do të flasim me fakte, me prova dhe me kallzime konkrete. Ndërkohë, gjatë kësaj jave sigurisht kemi patur dhe praktika të tjera të hetimit administrativ, që sigurisht nuk janë në suazën e një vepre penale, por janë raste që i përkasin sferës administrative, në të cilat ne kemi sugjeruar marrjen e masave disiplinore konkrete nga drejtuesit e këtyre agjencive.

Kjo ishte ajo që unë sot desha të ndaja me ju, sigurisht janë hapa të avasht, por të sigurt. Puna e kësaj Njësie Antikorrupsion me ngritjen e plotë të kësaj strukture do të jetë edhe më rezultative, edhe më konkrete, sidomos në të gjtha ato agjenci që ne marrim denoncime dhe që lidhen me shërbime të drejtpërdrejta me qytetarët. Me legalizimet dhe hipotekat, me kadastrën, është le të themi sfida jonë e radhës, sepse nëpunësit që shërbejnë në këtë institucion dhe në këto zyra vendore, duhet të kuptojnë që nuk janë ata që të bëjnë pronarët dhe as ata që të zhveshin nga prona, janë thjesht regjistër publik, që regjistrojnë pronat e shtetit dhe qytetarëve shqiptar.