Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm, sfida e re e Ballkanit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 30/05/2018

Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm, sfida e re e Ballkanit

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal dhe Ministria e Drejtësisë kanë organizuar konferencën rajonale me temë “Përballja me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm – krime të ndërlidhura”, ku morën pjesë gjyqtarë, prokurorë dhe ekspertë të fushës nga Ballkani Perëndimor

Ministrja e drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj duke marrë fjalën në konferencë theksoi se Qeveria Shqiptare ka ofruar mbështetje të plotë dhe të palëkundur për luftën globale kundër terrorizmit dhe ka ndërmarrë masa për trajtimin e këtij problemi në nivel kombëtar, si një konfirmim i qartë i vullnetit politik për të qenë pjesë aktive e aleancës së vendeve demokratike.

“Shqipëria është rreshtuar pa asnjë hezitim përkrah vendeve të koalicionit demokratik që lufton kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, duke dhënë kontributin e saj konkret, si pjesë e këtij koalicioni në zonat e krizës”, ka thënë Gjonaj.

Më tej ministrja e drejtësisë është ndalur në masat konkrete që ka marrë qeveria në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit. Legjislacioni shqiptar  i penalizon të gjitha format e ekstremizmit të dhunshëm, që nga financimi i terrorizmit, e deri te vepra të tilla si rekrutimi apo trajnimi i personave për kryerjen e veprimeve terroriste.

“Shqipëria ka zbatuar sanksione për pjesëmarrjen e shtetasve të saj në konfliktet në Siri dhe Irak, të dyshuar si persona të lidhur me ISIS-in. Kemi nënshkruar të gjitha Konventat dhe Protokollet Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara lidhur me luftën kundër terrorizmit dhe jemi pjesë e një numri të traktateve dypalëshe dhe shumëpalëshe në fushën e ndihmës së ndërsjellë juridike në çështjet penale”, ka nënvizuar ministrja Gjonaj.

Duke u ndalur në atë se çfarë nevojitet të bëhet në të ardhmen, ministrja e drejtësisë tha se forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar është vendimtar për suksesin e përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe financimit të terrorizmit.