Gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë, pjesë e rendit të ditës kanë qenë edhe ndryshimet e Projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10032 datë 11.12.2008” “Për Policinë e Burgjeve”
Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, në fjalën e tij mbajtuar gjatë seancës vuri theksin se në ndryshimet ligjore të propozuara në Ligjin “Për policinë e burgjeve”, synohet dhënia e një dimensioni të ri rolit të policit dhe oficerit të burgut, si dhe hidhet një hap i rëndësishëm drejt reformimit të sistemit penitenciar.
Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço:
Të nderuar zotërinj deputet,
Gjatë fjalës time të mbajtur në hapjen e legjislaturës së re, kam theksuar se në kuadër të respektimit të standardeve më të larta ndërkombëtare, në fushën e të drejtave të njeriut, do të ndërmerreshin ndryshime në ligjin: “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, me qëllim përmirësimin e trajtimit të këtyre personave dhe konkretisht përcaktimin e rregullave të qarta për trajtimin e kërkesave dhe ankesave të të dënuarve, shërbimin mjekësor, masat disiplinore, procedurat e ndryshme për leje etj.
Gjithashtu deklarova se pjesë e ndryshimeve do të ishte edhe ligji “Për Policinë e Burgjeve”, me qëllim përmirësimin e procedurave të punësimit, transferimit, trajnimit dhe rritjes së përgjegjshmërisë së punonjësve të Policisë së Burgjeve.
Realizimi i shpejtë i këtyre ndryshimeve ligjore, erdhi si një domosdoshmëri pas këmbanës së alarmit të ngjarjes së rëndë në Burgun e Drenovës, nëntorin e kaluar, e cila ishte një tregues i qartë se sistemi penitenciar ishte nje sistem i kalbur, joprofesional i ndërtuar mbi bazën e emërimeve politike, klienteliste dhe korruptive.
Mjafton t’ju përmend faktin që për periudhën pas zgjedhore Korrik-Shtator 2013 nga drejtuesit e institucioneve të vuajtjes së dënimeve penale janë dhënë rreth 800 leje shpërblyese dhe të veçanta dhe një pjsë e konsiderueshme e tyre ishte në kundërshti me ligjin dhe presim e inkurajojmë prokurorinë që të shpejtojë hetimet në këtë drejtim.
Aktualisht për 11 drejtues të nivelit të lartë është depozituar kallëzim penal për shpërdorim detyre.
Ndaj meje erdhën akuza nga opozita mbi largime në policinë e burgjeve por mund të them se vetëm në burgun e Drenovës pas ngjarjes së rëndë janë rreth 30 policë dhe oficerë të arrestuar, dhe nëse fjalën e kanë për këta të larguar atëherë paskam pasur të drejtë.
Mund t’ju them se vetëm për tre muaj në këto institucione janë gjetur dhe grumbulluar rreth 1300 telefonë celularë.
Sigurisht që lista është e gjatë për personat e larguar dhe mund të them se kam larguar një drejtues të lartë të hipotekës i cili me “mjete demokatike”, kishte mundur t’i jepte djalit të tij 18 vjeçar disa hyrje, garazhde dhe dyqane. Sigurisht që gjatë ditëve që do të vijnë do të bëj publik emrin dhe do të bëj edhe kallzimin në prokurori.
Unë kam larguar edhe zyrtarë të tjerë, sikurse një zyrtar të lartë i cili pas zgjedhjeve i dha liçencë në kundërshtim me ligjin gruas së tij.
Kam larguar edhe një drejtues tjetër i cili mbante 200 milion lekë në llogarinë e vetë dhe nuk i depozitonte në thesar sepse donte të merrte përqindjen e interesit.
Kam larguar edhe një tjetër drejtues, kilometrazhi i makinës së të cilit tregonte 65 mijë kilometra por me fatura karburanti rezultonte se kishte marrë aq karburant sa t’i bënte xhiro tre herë botës.
Ndoshta nuk do ta besoni, por kam larguar edhe një veteriner të emëruar për mjek. Pra, ai kolegu që më bëntë pyetje kishte emëruar një veteriner në vend të mjekut.
Kam larguar edhe një pastruese e cila ishte emëruar stomatologe, dhe besoj se me kaq e kuptoni se sa e rëndë ishte situata.
Vetëm në një institucion të vuajtjes së dënimit, nga 150 punonjës, me një shikim të shpejtë 50 prej tyre ishin vetëm me arsim 8-vjeçar.
Lista e largimeve është e gjatë dhe ju keni të drejtë të kërkoni Komision Hetimor, të më kërkoni interpelancë, të më kërkoni në Komision të Ligjeve për seancë dëgjimore.
Do të doja të vazhdoja, sepse lista është e gjatë dhe do të duhej një ditë e natë dimri për të folur mbi të gjitha këto shkelje.
Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës në raportin e tij të vitit 2012, gjatë vizitës në vitin 2012, midis të tjerave ka konstatuar se, nga ana e autoriteteve shqiptare nuk ishte zbatuar asnjë nga rekomandimet e mëparshme të lëna prej tij dhe se ishin evidentuar rastet e keqtrajtimit të të arrestuarve dhe të dënuarve.
Të nderuar zotërinj deputet,
Të nderuar shtetas shqiptar, brenda dhe jashtë vendit
Të gjithë jemi në dijeni të rastit të rëndë të keqtrajtimit dhe trajtimit çnjerëzor që i shkaktoi vdekjen të burgosurit shqiptar Ilia Kareli, në burgun Grek të Malandrinos.
Ky rast, i cili tronditi thellë opinionin shqiptar, Grek dhe atë ndërkombëtar, duhet të shërbejë si një moment reflektimi për vëmendjen që duhet t’i kushtohet sistemit penitenciar në tërësi dhe veçanërisht trajtimit të të dënuarve me burg, të paraburgosurve, si dhe policisë së burgjeve.
Sot garantoj publikisht se, si Ministër i Drejtësisë, menjëherë kam kërkuar dhe marrë informacionet nga autoritetet gjyqësore Greke mbi këtë ngjarje të rëndë.
Njëkohësisht, kam marrë garancinë e autoriteteve gjyqësore të drejtësisë greke, që çështja do të hetohet dhe gjykohet në një kohë sa më të shpejtë, duke shërbyer si një shembull në dhënien e drejtësisë. Ne nuk kërkojmë hakmarrje, por sigurisht që kërkojmë drejtësi nga autoritet gjyqësore greke.
Gjithashtu, i kam kërkuar partnerëve tanë ndërkombëtarë që t’i kushtojnë vëmendje dhe të monitorojnë nga afër këtë ngjarje sa tronditëse, po aq dhe të paprecedent, në sistemin penitenciar. Dua edhe njëherë të theksoi se nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi!
Si Ministër i Drejtësisë, në çdo rast, do të dënoj aktet degraduese, të trajtimit çnjerëzor apo të torturës dhe shpreh vendosmërinë time se, do të merren të gjitha masat për parandalimin e këtyre ngjarjeve, që askush të mos ketë kurajon të ndërmarrë veprime të tilla, që nga punonjësi më i thjeshtë dhe deri te zyrtari më i lartë i sistemit penitenciar.
Gjej rastin të kërkoj publikisht dhe të inkurajoj jo vetëm institucionet, shoqërinë civile, por edhe çdo person që vuan dënimin brenda dhe jashtë vendit, që të denoncojë rastet e trajtimeve çnjerëzore, që bien ndesh me konventat ndërkombëtare, për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Të nderuar zotërinj deputet,
Bashkë me përpjekjet tona për përmirësimin, rritjen e kushteve të trajtimit dhe edukimit të të burgosurve, vijnë dhe ndryshimet ligjore të propozuara në Ligjin “Për policinë e burgjeve”, me qëllimin dhënien e një dimensioni të ri rolit të policit dhe oficerit të burgut.
Sot, me ndryshimet e propozuara në ligjin “Për Policinë e Burgjeve”, ne hedhim hapin e parë të rëndësishëm drejt reformimit të këtij sistemi.
Ndryshimet e propozuara nuk do të kishin kuptim pa impaktin pozitiv apo risitë që duhet ta shoqërojnë këtë projektligj.
Në këtë kuptim, risitë që sjell ligji, ndër të tjera, konsistojnë në:
· Përfshirjen e Policisë së Burgjeve si pjesë e administratës publike, si pasojë e mungesës së parashikimit të statusit të Policisë së Burgjeve dhe si rrjedhojë e miratimit të ligjit nr.90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”.
· Rregullimi e trajtimit financiar të punonjësve të Policisë së Burgjeve, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi,
· Kriteret e qarta për pranim në Policinë e Burgjeve të shtetasve
· Përfshirjen në sistem të punonjësve të policisë, të shërbimeve të ngjashme si dhe përcaktimin e ekuivalentimit të gradave në rastet e ardhjes në sistem në shërbimet e Policisë së Burgjeve nga shërbime të ngjashme.
Propozimi për përfshirjen e kësaj policie si një strukturë në Administratën Publike është mjeti për të arritur këtë qëllim duke përcaktuar norma dhe procedura për organizimin dhe funksionimin e Policisë së Burgjeve, për pranimin, ecurinë e karrierës dhe mbarimin e marrëdhënieve të punës, për garantimin e të drejtave, detyrave dhe përgjegjësive të punonjësve të këtij shërbimi.
Punonjësi i policisë së burgjeve do të ketë njëkohësisht garancitë që i jep ligji si nëpunës i administratës, por edhe detyrimet përkatëse në shërbimin që ai kryen.
Me këto ndryshime roli i këtyre punonjësve do të futet në një shkallë hierarkie të qartë dhe profesionale.
Më konkretisht propozohet një ri-klasifikim i roleve në Policinë e Burgjeve në tre kategori:
· punonjës i rolit zbatues,
· punonjës i rolit të mesëm dhe
· punonjës i rolit të lartë drejtues.
Një rol i veçantë dhe gradë parashikohet edhe për Drejtorin e Policisë së Burgjeve.
Por veç gradave unë besoj se faktori më i rëndësishëm për garantimin e një strukture profesionale është sistemi i rekrutimit.
Një sistem rekrutimi i bazuar në meritë dhe integritet moral do të jetë baza e reformës në Policinë e Burgjeve.
Pikërisht për këtë qëllim ndryshimet parashikojnë dhënien e përparësisë në rekrutimin e profesionistëve të ardhur nga fushat e shërbimit të përafërta si për shembull, policia e shtetit, forcat e armatosura, garda e republikës, shërbimi i kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Drejtësisë, etj.
Gangrenë për shërbim policor të burgjeve ka rezultuar ekzistenca e rekrutimit të punonjësve mbi baza bindjesh apo anësie politike.
Kjo praktikë do të marrë fund.
Rendi dhe siguria në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale nuk është një çështje partiake, por një çështje që ka të bëj drejtpërdrejtë me rendin dhe sigurinë kombëtare dhe ne nuk mund t’ia besojmë atë militantëve partiak, në këmbim të favoreve elektorale.
Prandaj, që në misionin e kësaj strukture, kemi përcaktuar qartë se Policia e Burgjeve është një strukturë e depolitizuar.
Ne do t’ia besojmë atë profesionistëve të fushës, me përcaktime të qarta të kritereve të emërimit dhe lirimit nga detyra.
Ky projektligj është në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të BE-së dhe i jep statusin që meriton Policisë së Burgjeve.
Ky status e mbron, e përforcon, e garanton në ushtrimin e veprimtarisë së saj të përditshme, si dhe sjellë zhvillimin e perspektivës së karrierës për punonjësit e sigurisë në burgje.
Ky projektligj parashikon procedura dhe afate të qarta kohore për përzgjedhjen, trajnimin, ngritjen në gradë të personelit të policisë së burgjeve.
Projektligji parashikon një seri masash edhe për garantimin e lehtësirave për punonjësit e policisë së burgjeve, të cilët punojnë larg qendrave të tyre të banimit.
Kështu, është parashikuar që punonjësve të policisë së burgjeve, të cilët janë të punësuar në Institucionet që ndodhen larg qendrave të banimit, t’u garantohet transporti falas për efekt shërbimi.
Ne besojmë se riorganizimi i Policisë së Burgjeve dhe ndryshimet e propozuara nuk janë qëllim në vetvete, por kanë lidhje të drejtpërdrejtë me kushtet e punës së tyre, kriteret e qarta për ngritjen në gradë, përmirësimin e rregullave për organizimin dhe funksionimin e policisë së burgjeve, si dhe në respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të të burgosurve.
Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të intensifikojnë bashkëpunimin e ndërsjelltë me të gjithë aktorët e drejtësisë per kryerjen e reformave të rëndësishme në drejtim te krijimit të një shërbimi policor të burgjeve të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë dhe integritet moral.
Të nderuar zotërinj deputet,
Problemi tek ne nuk janë burgjet apo ligjet, por ata zyrtarë, të çfarëdo niveli, që nuk i shërbejnë riintegrimit të të dënuarve në jetën sociale, rikthimit të shpresës së atyre që, përtej borxhit ndaj drejtësisë, kërkojnë te respektohen si njerëz dhe qytetare.
Të gjithë bashkë duhet t’u japim shpresë dhe mundësi integrimi të burgosurve.
Po ua hoqëm atë, sistemi ynë penitenciar, do të kthehet sërish në një vend dëshpërimi dhe dhune.
Për këtë kërkojmë bashkëpunim të ndërsjelltë, që nismat mos të mbeten vetëm në letra, në ligje të shkruara, por të zbatohen rigorozisht nga të gjithë aktorët e fushës dhe më tej.
Ju faleminderit!
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.