Ligji i ri për noterinë, Ministri Manjani merr pjesë në takimin konsultativ - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 20/01/2017

Ligji i ri për noterinë, Ministri Manjani merr pjesë në takimin konsultativ

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ishte i pranishëm në tryezën e konsultimit publik lidhur me ndryshimet në ligjin “Për Noterinë”, organizuar nga Komisioni “Për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut” dhe drejtuar nga znj. Vasilika Hysi, Anëtare e Komisionit të Ligjeve dhe njëkohësisht relatore e  Komisionit  për këtë projektligj.

Gjatë kësaj tryeze, Ministri Manjani vuri në dukje rëndësinë e nisjes së konsultimit mbi këto ligje, duke konsideruar se tashmë është koha që nis reforma e vërtetë.

Duke u ndalur në ligjin për noterinë, z. Manjani e vuri theksin në rëndësinë e sigurisë së aktit notarial duke propozuar futjen në ligj të elementëve që e forcojnë përmbajtjen e një akti noterial, për “ta detyruar” një akt të tillë që të jetë i ngjashëm dhe i barabartë me një vendim gjykate.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit Manjani gjatë tryezës së konsultimit publik mbi ndryshimet në ligjin “Për Noterinë”.

Ky është një takim i parë zyrtar, i zhvilluar në mjediset e parlamentit, i drejtuar nga Komisioni i Ligjeve dhe besoj se në këtë takim të parë, ja vlen të ndalemi dy minuta në tërësi për të vlerësuar situatën e këtyre projekt ligjeve.

Kam patur bindjen dhe e kam ende këtë bindje se reforma reale në drejtësi fillon sot. Deri më sot kemi bërë Kushtetutën, kemi bërë organizimin dhe funksionimin e institucioneve, pra jemi kujdesur për veten. Kemi bërë rregulla sesi t’i ndërtojmë institucionet, pra se si të forcojmë transparencën dhe e gjitha kjo është në të mirë të publikut, por tani me këto 27 ligje fillon reforma reale. Është reforma e shërbimeve Ligjore. Janë shërbimet ato që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë njerëzit, shëndetin, pasurinë dhe kështu me radhë. Nga kjo pikëpamje, si Ministër i Drejtësisë jam 1000 % i fokusuar në çdo rresht, pikë, presje dhe paragraf të këtyre ligjeve.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Qeveria Shqiptare është e mandatuar, jo vetëm politikisht por ligjërisht për të menaxhuar shërbimet publike të vendit dhe nga kjo pikëpamje shërbimet ligjore nuk kanë ndonjë dallim dhe nuk kanë pse të jenë të veçanta në raport me pjesën tjetër të shërbimeve publike. Reformat e dixhitalizimit të shërbimeve publike “One Stop Shop” e kështu me radhë nisma të kësaj natyre, nuk janë dhe nuk mund të jenë vetëm për pjesën tjetër të shërbimeve duke përjashtuar shërbimet ligjore. Kështu që, nga kjo pikëpamje, mandati im si Ministër i Drejtësisë por edhe në përbërje të qeverisë Shqiptare është qët’i vlerësojmë me shumë vëmendje këto ligje.

Ju lutem znj. Hysi t’i transmetoni Komisionit të Ligjeve vëmendjen maksimale të Qeverisë Shqiptare në të 27 ligjet. Është moment shumë i rëndësishëm për shërbimet Ligjore sepse ne nuk duhet të harxhojmë më kohë për të bërë ligje për t’i shërbyer vetes, duhet që këto ligje t’i shërbejnë njerëzve.

Sigurisht, sot fillojmë me noterinë por pjesa tjetër e mbetur e ligjeve është gjithashtu e rëndësishme. Ju e dini që unë kam çuar dhe një letër në Komisionin e Ligjeve, të paktën për të parë mundësinë e një koordinimi të disa nismave në lidhje me Drejtësinë Penale duke qënë se është një moment shumë delikat në këtë sektor, sepse Kodi i Procedurës Penale për sasinë e ndryshimeve që propozohen të bëhen është praktikisht një kod i ri.

Drafti që gjendet sot zyrtarisht në kalendarin tuaj të punimeve ka nevojë për një ripunim të thellë ende, sepse me thënë të vërtetën ka dhe gjëra të rrezikshme në të dhe ne duhet të jemi në gjendje t’i korrektojmë sepse e përsëris, prek në mënyrë të drejtpërdrejtë standardin e zbatimit të të Drejtave të Njeriut në terrenin konkret.

Sigurisht, në një çast të caktuar ne do jemi të vëmendshëm edhe për të llogaritur pjesën e shpenzimeve financiare sepse çdo shërbim është dhe shpenzim gjithashtu. Qeveria ka një rol aktiv edhe në këtë pjesë por çmoj paraprakisht se në listën e ligjeve, ndoshta jo të gjitha kanë  të njëjtën rëndësi.

Psh., nuk e kuptoj pse ligji për SHISH-in duhet të jetë pjesë e paketës të Reformës në Drejtësi, aq më tepër kur në përmbajtjen e tij ky ligj, ka një dispozitë që e lejon atë që të përgjojë edhe me video në banesën e dikujt tjetër, pra ja ku kemi një problem që përveçse formal edhe substancial, të cilën duhet ta mendojmë mirë, të marrim frymë thellë përpara se ta bëjmë sepse ky është një diskutim jo vetëm në Shqipëri por është një diskutim Global. Me zhvillimin e teknologjisë sa do ta garantojmë privatësinë? Është një temë që e mora si shembull për të kuptuar se jo gjithçka ka të njëjtin prioritet. Ashtu sikurse nuk jam i bindur se duhet të kemi ende një ligj për Ministrinë e Drejtësisë dhe meqë jemi tek Ministri i Drejtësisë çmoj se ne duhet realisht të rivlerësojmë tashmë rolin e tij, pas ndryshimeve Kushtetuese. Ka qënë një kërkesë e Komisionit të Venecias në raportet e tij por që në fazën e parë të miratimit të reformës nuk u diskutua me shumë detaj, tani është momenti për të diskutua, për të pozicionuar njëherë e mirë rolin e Ministrit të Drejtësisë jo me ligjin organik sikurse funksionojmë deri më sot, unë jam për t’u shfuqizuar ai ligj, nuk ka arsye të ketë një ligj për Ministrin e Drejtësisë më vete. Arsyeja e atij ligji, unë kam qënë hartues i tij, ishte sepse duhej të garantohej roli i ministrit në raport me një pushtet të pavarur, ishte dita, ishte koha kur Ministri i Drejtësisë kishte ekskluzivitetin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve. Ky rol tashmë ka rënë, kështu që në këtë kuptim ne duhet të mendojmë për ligjin organik për Ministrinë e Drejtësisë por me ligje të veçanta.

Ministri i Drejtësisë tashmë në konceptin tim duke lexuar me shumë kujdes ndryshimet kushtetuese është Ministër i vulave të shtetit, kaq. Mban përgjegjësi për vulat e shtetit dhe kjo vulë mund të jetë në dorën e një privat, në dorën e një publiku por ama standardet dhe mbikëqyrjen duhet ta bëjë Ministri i Drejtësisë. Ky është koncepti im për këtë, kështu që në një këndvështrim të përgjithshëm të kësaj liste çmoj se disa ligje janë prioritare, theksoj drejtësia penale e para. Qeveria ka në proces një nisëm tjetër dhe dua ta jap dhe këtë informacion që mirë është t’i harmonizojmë të dy nismat për të nxjerrë një produkt. Është momenti dhe jam i bindur që duhet ta bëjmë këtë produkt, pa qënë e nevojshme për të etiketuar lartësitë e nivelit të ekspertëve. Besoj që institucionet tona janë të mjaftueshme, kanë ekspertizë për të arritur në një konluzion shumë më të drejtë dhe shumë më të mirë nga sa është parashikuar deri më sot. Tani të hidhem tek ligji i noterisë në respekt të axhendës tuaj.

Ligjin e noterisë e kam parë më një sy tjetër, ndonëse kaq sa është bërë janë pozitive dhe nuk kam kundërshtim. E kemi konsultuar dhe kemi parë ligjin spanjoll, atë gjerman dhe italian dhe raporti i neneve të këtyre ligjeve për aktin noterial është shumë herë më i madh lidhur me trajtimin e përmbajtjes së aktit noterial. Tek ligji jonë është e kunderta, merremi me se kush aplikon, pse aplikon, etj. Këto le të jenë por unë si Ministër kam një shqetësim tjetër, që akti noterial të jetë i sigurt! A mundet të quhet një akt noterial dy faqe letër? Le të marrim një të ngjashëm në kohën e Zogut, 30 faqe, ku përshkruhet absolutisht cdo gjë që ndodh në zyrën e noterit, madje edhe fakti nëse ke mundësi të nënshkruash apo jo. Unë jam që në këtë ligj të fusim elementë që e forcojnë përmbajtjen e një akti noterial, për “ta detyruar” një akt të tillë që të jetë i ngjashëm dhe i barabartë me një vendim gjykate sepse noteri është një gjykatës. Por si ta ndryshojmë aktin noterial? Në këtë kontekst unë propozoj disa rregulla që bëjnë të mundur një disiplinim të aktit noterial, ku psh, një kontratë e lidhur para noterit të zgjidhet po pranë tij. Nuk mund të shkohet në gjykatë për cdo akt noterial, duhet ta lirojmë veprimtarinë e saj.

Propozoj që në ligj ne të kemi një kusht që veprimet noteriale të kalimit të pronësisë të bëhen në prani të dy dëshmitarëve. Kjo është një praktikë e marrë nga Italia dhe do të shuante cdo kundërshtim. Kjo mbron noterët dhe veprimin juridik.

Duhet të ruajmë fort parimin e vijueshmërisë së aktit. Pra aty ku është lëshuar një prokurë atje duhet edhe të anullohet, pra jo tek një noter tjetër, natyrisht duke njohur parimin e vlefshmërisë akti dytë sigurisht është i pavlefshëm nëse nuk bëhet tek i njëjti noter dhe kjo nuk është cështje tregu por cështje sigurie juridike.

Ka edhe disa propozime të tjera lidhur me solemnitetin e momentit të nënshkrimit të aktit noterial.

Gjithashtu mbetem përkrahës i përvojës gjermane që i jep me shumë akses noterit në regjistrin tregtar.

Zyra e noterit është një zyrë paragjyqësore dhe ja vlen ta stimulojmë edhe më tej.

Së fundi, një tjetër merak që kam lidhet me numrin e noterëve. Unë do të sugjeroja që me një dispozitë tranzitore të këtij ligji ne të ndërtojmë një plan për reduktimin e numrit të noterëve, duke përzgjedhur një kriter për numër popullsie.

Noteri ka një produkt, aktin noterial dhe ai akt duhet të jetë përshkrues, cfare ndodh kur nënshkruhet, kush nënshkruan, adresa duhet të jetë e saktë. Akti noterial në këndvështrimin tim nuk është një dosje e mbyllur.

Këto ishin ndërhyrjet e mia parimore për këtë ligj. Mbetem mbështetës i forcimit të Dhomës së Noterisë. Vula është e shtetit, puna është private. Kështu që ka shumë rëndësi që të garantohet që kjo vulë të vendoset në letrën e duhur, kohën e duhur dhe vendin e duhur.