“Krimi mjedisor”, Ministri Naço: Të mbështetemi në eksperiencën e BE-së. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 18/03/2014

“Krimi mjedisor”, Ministri Naço: Të mbështetemi në eksperiencën e BE-së.

I pranishëm gjatë Konferencës Kombëtare “Parandalimi i Krimit Mjedisor ne Shqipëri”, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço e ka vënë theksin në rëndësinë e papërfillshme që i është dhënë krimit mjedisor në vendin tonë, ku për hir të një pasurimi të shpejtë dhe të paskrupullt janë shkaktuar dëme, ndonjëhere edhe në përmasa të pariparueshme.

Ministri Naço garantoi se roli i Ministrisë së Drejtësisë në këtë fushë do të jetë jo vetëm mbështetës në ashpërsimin e saksioneve penale ndaj krimeve mjedisore, por promovues për aq sa është e mundur ndaj këtyre nismave.

“Albert Ajnshtajni, një nga shkencëtarët më të rëndësishëm të shekullit XX, i lidhur ngushtësisht me natyrën, e lartësonte atë kur thoshte: “Shikoni thellë në natyrë dhe atëherë do ta kuptoni gjithçka më mirë”. E nëse sot do të guxonim ta aktualizojmë këtë thënie të tij, pra nëse do ta shikojmë në thellësi natyrën, me të drejtë mund të dëshpërohemi, përsa kohë dora e njeriut, pa as më të voglën keqardhje, vazhdimisht e kërcënon natyrën në këmbim të fitimeve të mëdhaja financiare. Ky është një ndër rastet kur njeriu vepron pa e kuptuar se sa i madh është dëmi që i bën vetvetes me dorën e tij”, tha Ministri Naço

Ministri Naço vuri në dukje se deri më sot, grupet e organizuara, që e kanë zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal në kurriz të mjedisit dhe natyrës, kanë qenë gjithnjë e më të interesuara për veprimtari të tilla të paligjshme, përsa kohë nga njëra anë janë joshur nga fitimet e mëdha financiare dhe nga ana tjetër janë ndihmuar nga një rrezik i ulët i zbulimit dhe i normave të pakta të dënimit.

“Për të dhënë zgjidhjet e duhura nuk besoj se kemi nevojë për shpikje. Bashkimi Evropian ka dekada të tëra studimesh dhe legjislacioni në këtë fushë, dhe ky fakt është një lajm i mirë për ta orintuar drejt të duhurës përpjekjen tonë, e cila duhet të ketë karakter kolektiv për të dhënë rezultatet e duhura. Studimet kanë treguar se masat penale nuk kanë qënë të mjaftueshme për të siguruar një mbrojtje mjedisore të nivelit të lartë dhe për këto arsye Komisioni, sëbashku me Parlamentin Evropian vendosën që të adoptonin Direktivën 2008/99. Pikërisht kjo direktivë duhet të jetë edhe pika jonë e nisjes”, theksoi Ministri Naço

Gjithashtu, Ministri Naço vlerësoi se duke parë përhapjen masive të krimit mjedisor në vend, është i nevojshëm një ashpërsim i masave penale në legjislacionin vendas, ndaj veprave që ai parashikon.

“Një tjetër aspekt i rëndësishëm i krimit mjedisor është fakti që në shumë raste ai i kalon kufijtë shtetëror dhe në disa raste ndërmerret nga organizata ndërkombëtare të strukturuara kriminale. Për këtë arsye Oraganizata e Kombeve të Bashkuara nëpërmjet Programit të Mjedisit ka ngritur Divizionin për të Drejtën dhe Konvetat e Mjedisit. Vlen të përmendet se një rol të rëndësishëm luan edhe Programi i Krimit Mjedisor pranë Interpolit, si struktura e vetme që mund të garantoj përhapjen dhe ndjekjen e informacionit në mënyre globale. Nga informacionet e këtij institucioni të krijuar në 2010, rezulton se krimi mjedisor shpesh shkon përkrahu me krime të tjera si për shembull falsifikimi i dokumentave, korrupsioni, pastrimi i pasurisë dhe vrasjet. Në kuadër të këtij programi janë ndërmarrë deri më sot një seri operacionesh në nivel global ose rajonal, dhe disa nga sfidat për të ardhmen që ky program ka evidentuar dhe që ne duhet t’i kemi në konsideratë, në përqasjen tonë legjislative janë, një bashkërendim më i mirë i të gjithë sektorëve dhe aktorëve që mbulojnë fushën e mjedisit, një komunikim më i mirë i informacionit dhe një njohje më e mirë e publikut me rolin dhe rëndësinë e përndjekjes ligjore që i bëhet këtyre krimeve”, tha z. Naço

Në lidhje me adresimin e çështjeve të krimit mjedisor në mënyrë efektive, Ministri Naço u shpreh se lind urgjenca për të patur një platformë të qartë për institucionet kompetente dhe ekspertët e fushës.

“Përpjekjet kolektive, qasjet multidisiplinare si dhe veçanërisht roli i medias duhet të rrisin ndërgjegjësimin për kërcënimin e krimit mjedisor ndaj shëndetit. Natyra specifike e dëmit që mbart krimi mjedisor na prek të gjithëve, ndaj dhe reagimi duhet të na mbajë kompakt dhe të lidhur ngushtë, për të ngritur një sistem të fuqishëm për parandalimin e këtij fenomeni”, përfundoi Ministri Naço