Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka vendosur fillimin e procedurave disiplinore ndaj gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, Ken Dhima dhe gjyqtares së Gjykatës Penale të Shkallës së Parë Tiranë, Klorinda Çela.
Rezultatet e kontrollit, mbi shkeljet e konstatuara nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ku konkludohet se veprimet e kryera nga gjyqtarët Ken Dhima dhe Klorinda Çela janë shkelje të rënda të disiplinës të parashikuara nga neni 32, pika 2, shkronja “ç” të Ligjit Nr.9877, datë 18.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, parashikojnë se:
“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive” përbën shkelje shumë të rëndë të akteve dhe sjelljeve që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit.
Ministri i Drejtësisë, Z. Nasip Naço e inkurajon Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për të vijuar luftën pa kompromis kundër korrupsionit si dhe shpreh vullnetin e Ministrisë së Drejtësisë për respektimin e Memorandumit të Bashkëpunimit mes dy institucioneve, si një garanci për forcimin e mekanizmave të kontrollit në sistemin gjyqësor.
© Ministria e Drejtësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.