Në kuadër të Javës së Integritetit, Ministria e Drejtësisë, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, dhe në bashkëpunim me partnerët e saj kyç në Javën e Integritetit, ICC Albania dhe Ambasadën e Hollandës, organizon konkursin e parë kombëtar të fotografive dedikuar promovimit të modeleve të integritetit në shoqëri. Arti është një mjet I fuqishëm komunikimi e për këtë arsye, ne duam ta përdorim atë për të njohur më nga afër perspektivën e qytetarit mbi nismat anti-korrupsion dhe integritet.
Ky konkurs synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi modelet e integritetit dhe rëndësinë e tyre, duke I de-normalizuar praktikat korruptive. Fotot pjesëmarrëse në konkurs duhet të reflektojnë dhe të ofrojnë qasjen e tyre ndaj temës, duke theksuar rëndësinë e saj.
Fotografitë gjithashtu mund të paraqesin aktivitete, angazhime, përpjekje, tradita apo fushata për mbrojtjen e integritetit, qofshin ato përpjekje të thjeshta apo masive. Ato mund të trajtojnë aspekte të tilla si çështjet e transparencës, modele të mira / të këqija të ofrimit të shërbimeve, si dhe njerëz, momente ose situata frymëzuese.
Fotot fituese duhet të jenë të fuqishme në mesazhin që përcjellin dhe në kreativitet.
A. Kriteret e konkurrimit
1. Konkursi I fotografive është I hapur për të gjithë dashamirësit e fotografisë dhe/ose qytetarët e angazhuar në shoqëri, individë që jetojnë në Shqipëri, meshkuj ose femra, të cilët kanë mbushur moshën 16 vjeç. Tema e konkursit është “Integriteti përmes lenteve të mia”.
2. Fotografitë e dorëzuara duhet të bëhen për qëllimin e pjesëmarrjes në konkurs;
3. Mund të dërgoni fotografi të realizuara nga çdo aparat fotografik ose video-kamera, telefon celular, DSLR, tablet, iPad, GoPro, etj.
4. Fotot duhet të dërgohen deri më 27 nëntor në adresën elektronike kontakt@drejtesia.gov.al.
5. Fotot duhet të shoqërohen me:
· Një përshkrim të shkurtër me tematikën e fotos (si titull);
· Emrin e pjesëmarrësve, moshën dhe etiketimin/hashtag-un #integritythroughmylenses
6. Momentet e fiksuara në lente duhet të kapin/nxjerrin në pah një nga çështjet e mëposhtme:
· Integriteti në agjencitë që ofrojnë shërbime;
· Praktikat institucionale dhe transparenca;
· Evidentimi dhe dënimi I praktikave korruptive në shoqëri;
· Modele dhe situata frymëzuese.
Të gjitha fotografitë do të publikohen në faqet Facebook ose Instagram të Ministrisë së Drejtësisë.
B. Çmimet fituese
Një panel I përbërë nga një përfaqësues nga secila prej këtyre agjencive, respektivisht Delegacioni I Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ministria e Drejtësisë, ICC Albania, Ambasada e Hollandës dhe A2CNN do të zgjedhin fituesit e konkursit, pas një shqyrtimi të kujdesshëm të të gjitha fotove konkurruese.
Vendimi I panelit do të bashkohet me vendimmarrjen e publikut, I cili do të llogaritet përmes pëlqimeve që secila foto do të marrë në mediat sociale (Facebook dhe Instagram).
Finalistët dhe fotografitë fituese do të printohen dhe do të ekspozohen për një periudhë një-javore në ambientet e hapura për publikun, si Sheshi Skënderbej ose Muzeu Kombëtar.
Një ceremoni e shkurtër do të mbahet në një ambient të hapur me praninë e pjesëmarrësve, jurisë dhe partnerëve të tjerë të ftuar. Fotot fituese do të postohen gjithashtu në rrjetet sociale ose faqet zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Fituesit do të njoftohen përmes postës elektronike, telefonit ose postës zyrtare.
C. E drejta e autorit
Pas konkursit, fotografitë do të mbeten pronësi e Ministrisë së Drejtësisë dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Megjithatë, emri I fotografit do të përmendet në çdo rast kur fotografia përkatëse do të riprodhohet, publikohet, nxirret në ankand, transmetohet, si dhe çdo formë tjetër të përdorimit të tyre.
<?php echo do_shortcode(‘
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.