Konferenca per Reformen ne Sistemin Penitenciar. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 02/07/2014

Konferenca per Reformen ne Sistemin Penitenciar.

Fjala e Zv. Ministrit Isaraj sot në Konferencën për reformën në Sistemin Penitenciar në Shqipëri.

 

“Vritet faji e jo njeriu”

(Dy fjalë për reformimin e sistemit penitenciar në Shqipëri)

 

“Burgjet janë ndërtuar me gurë të ligjit, shtëpitë publike me tullat e fesë”

William Blake “Martesa e Parajsës dhe Ferrit”

 

Sistemet e vuajtjes së dënimit

 

Miq, të gjithë e dimë se burgimi, në demokracitë perëndimore, është një nga format e dënimit penal për krimin, që konsiston drejtëpërdrejt në humbjen e lirisë.

 

  • Sistemi i parë modern i burgjeve u shfaq në SHBA në shekullin e 18, në Pensilvani.

I quajtur “Sistemi Pennsylvania”, ai është  bazuar në një kombinim të vetmisë dhe nxitjes fetare duke eliminuar çdo kontakt në mes të dënuarve dhe ambjentit social jashtë tyre.

Sistemi Pennsylvania u krijua për “ndëshkim” dhe “pendesë”, por faktikisht shkatërroi identitetin e të burgosurve.

Kritika e kohës, dhe jo vetëmajo, e përshkroi sistemin si “izolimin e njeriut dhe bijve të tij nga bota e jashtme, si kombinim i ndëshkimit ligjor me torturimin teologjik të pendesës” .

 

  • Në fillim të shekullit 19, erdhi “Sistemi Auburn” i zhvilluar në Auburn, New York .

Sipas këtij sistemi (Njësia e izolimit të vetmuar), të dënuarit do të jenë të izoluar veç e veç, vetëm gjatë natës, por ishte i nevojshëm vëzhgimi absolut gjatë ditës, si dhe heshtja, kur të dënuarit ishin duke punuar ose duke ngrënë së bashku.

 

Këtu :

Të burgosurit ishin të ndarë sipas llojeve të kriminalitetit;

Të burgosurit kishin orarin e lutjes dhe të meditimit;

Të burgosurit kishin veshjen e veçantë (vija horizontale bardhë e zi), qethjen e veçantë dhe lëvizjen e ngurtë (dora në shpatullën e tjetrit);

Të burgosurit ishin të detyruar të punonin (punë jo të rënda) gjatë ditës, dhe fitimi nga puna e tyre ka shkuar për të ndihmuar burgun.

 

Reformatorët e sistemeve të dënimit penal u zhgënjyen nga modeli i burgjeve i përdrur në sistemet Pennsylvania dhe Auburn, pasi ato nuk kishin arritur qëllimin e pritur të rehabilitimit dhe parandalimit.

Dhe burgjet u bënë shpejt të mbipopulluara, të pamjaftueshëm, dhe brutaliteti ishte zgjeruar shumë.

 

Sot, vendet me zhvilluara  demokratike, përdorin të quajturin “Sistem Progresiv të Burgosjes”.

Sipas këtij sistemi, kemi ndarjen në disa faza, të cilat kanë kushte të ndryshme të izolimit.

Këto kushte shkojnë nga më të rëndat deri tek më të  privilegjuarat në lidhje me trajtimin e të burgosurve.

Ndryshimet në kushtet e izolimit tek ky sistem, janë tërësisht në diskrecionin e administratës së burgjeve.

Zhvilluar më parë në Britaninë e Madhe, në mesin e shekullit të 19-të, ky sistem ka “refuzuar” sjelljet ekstreme në sistemet e mëparshme të vuajtjes së dënimit, por dhe ka ruajtur shumë nga karakteristikat, duke i dhënë sistemit të burgjeve një formë dhe përmbajtje tërësore, humane dhe liberale,  mbështetur në parimet e demokratike.

Ka disa variante apo varietete të sistemit progresiv të servitutit penal (robërisë penale) në vendet perëndimore, duke përfshirë ato franceze, angleze, irlandeze, etj.

Të gjitha variantet, parashikojnë 3-5 faza në procesin dhe sistemin e vuajtjes së dënimit penal.

Kalohet nga izolimi në vetmi, në ndarjen e të dënuarve gjatë natës, në një periudhë kalimtare ku të dënuarit lejohen të punojnë (të kontraktuar) jashtë burgut, dhe më në fund lirimit me kusht ose lirimi i parakohshëm.

Një variant i sistemit progresiv penitenciar është sistemi për moshat minore (të miturit) i destinuar si rregull, për personat e dënuar nga 16 deri në 18 vjeç.

Këtu gjykata shqipton vetëm llojin e dënimit por nuk specifikon një afat të saktë.  Administrata është i autorizuar për të mbajtur të burgosurin në paraburgim deri në rehabilitimin, por jo më të gjatë se dënimit maksimal të parashikuar nga ligji për veprën penale të veçantë.

 

Mbështetur në karakterin të tij njerëzor , sistemi progresiv penitenciar,, ka vetëm për qëllim të sigurojë e forcojë dinjitetin njerëzor dhe të kërkojë riedukimin e të dënuarve dhe përgatitjen e tyre për jetën në liri.

 

Miq e uroj dhe vlerësoj aktivitetin dhe punën tuaj të përbashkët reformuese në këtë fushë.

Pse jo dhe këtë Konferencë,

Arsyea : Për të bërë të mundur realizimin e një detyre shumë të vështirë, sa humane aq dhe kushtetuese e ligjore, për ta bërë reale edhe në vendin tonë “ëndrrën” penitenciare të William Blake :

“Të martojmë”, aq sa mundet dhe Ne, në sistemin shqiptar penitenciar,  Ferrin me Parajsën.

 

Duke e mbyllur,

të nderuar kolegë dhe bashkëpunëtorë në këtë kuvendim social e dobibërës, dua t’ju ofroj dhe siguroj kontributin e Ministrisë së Drejtësisë për :

  1. Ti “ndërtuar” burgjet shqiptare ashtu si dhe “ndërtesat” e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, vetëm me “gurët” e Ligjit dhe jo me ato të politikës e dhunës.
  2. Ngritjen e grupeve te punës, të përbashkëta për të shqyrtuar alternativat e duhura të paraburgimit për të miturit.

 

Ndaj mbetemi të bindur se puna dhe produkti ynë i përbashkët do të “eleminojë” nga debati qytetar aforizmat urbane, se :

“Burgu është varr për së gjalli”;

“Burgu e ka derën e madhe për të hyrë, por të vogël për të dale”.

“Burgu është për burra”.

 

Po ashtu në politikat penale qeverisëse mbetemi gjithnjë besnikë të parimit se :

 

“Vritet faji e jo njeriu”.

 

Punë të mbarë miq dhe bashkëpunëtorë.