Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka marë pjesë në Konferencën e 10 të Rrjetit Ballkanit dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësor, me temë “Roli i Këshillave Gjyqësor në Garantimin e Pavarësisë dhe Përgjëgjshmërinë e Gjyqësorit”
Në fjalën e tij, Ministri Naço e vlerësoi këtë konferencë si një mundësi të mirë për të diskutuar midis kolegësh, gjë e cila do të shërbejë për t’u njohur nga afër me eksperiencat më të mira të funksionimit të institucioneve respektive.
“Rrjeti i Këshillave Gjyqësor është një mekanizëm më shumë, i shpërndarjes së informacionit, një kanal komunikimi dhe ndërverpimi aktiv, midis sistemeve të së drejtës të shteteve tona dhe për këtë zgjerimi i këtij rrjeti me anëtarë të rinj dhe nxitja e zhvillimit në mënyrë permanente të këtyre konferencave, padyshim që ndikon pozitivisht në ndërgjegjësimin e pjesëmarrësve, mbi praktikat më të mira të funksionimit, por dhe përsosjen e vet Këshillave Gjyqësor, të cilat me kalimin e kohës kanë nevojë të riformatohen”, u shpreh ndër të tjera z. Naço
Gjithashtu z. Naço e cilësoi si mjaft pozitiv faktin që zhvillimi i kësaj konference ndodh në një moment kyç të diskutimit përfundimtar të reformimit të sistemit të drejtësisë, iniciativë kjo që sipas kreut të drejtësisë shqiptare, sa vjen dhe po qartësohet më shumë.
“Si Ministër i Drejtësisë, por njëkohësisht si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me marrjen e detyrës kam mirëpritur çdo sugjerim në drejtim të përmirësimit të sistemit të drejtësisë në tërësi. Kemi studiuar më vëmendje të gjitha raportet apo progres raportet e partnerëve ndërkombëtare, por njëkohësisht i jemi drejtuar për mendim të specializuar, Komisionit të Venecias dhe Misionit Euralius 4, mbi mënyrën se si ky organizëm duhet të përsoset. Nga gjithë opinionet e specialistëve të fushës, raporteve ndërkombëtarë por dhe gjetjet tona, kemi konstatuar një sërë problematikash të trashëguara në funksionimin e këtij institucioni, problematika këto të cilat kanë lënë shteg dhe hapësira për keqfunksionimin e sistemit gjyqësor”, tha z. Naço
Z. Naço sqaroi se nisur nga gjendja aspak e mirë e konstatuar, vitin e kaluar u realizuam disa ndërhyrje në ligjin për “Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, me qëllim frenimin e sëmundjes së vazhdueshme të keqfuksionimit dhe ndërprejes së avancimit të saj.
Ministri Naço ka përmendur disa ndryshime, të cilat sipas tij synuan më së shumti të normojnë veprimtarinë e Këshillit të lartë të Drejtësisë dhe që lidhen me:
Sipas Ministri Naço, ndryshimet e mësipërme, në thelb, ishin transpozim i dispozitave të akteve nënligjore që vetë KLD-ja kishte miratuar me vendimet e saj, por faktikisht të pazbatuara.
“Sigurisht që këto ndryshime të nevojshme dhe imediate nuk ishin reforma e kërkuar, pasi KLD si institucion kryesor i menaxhimit të funksionimit të sistemit gjyqësor është pjesë e axhendës së reformimit të thellë, reformë kjo e cila mund të kërkojë dhe ndryshime kushtetuese, ku mund të jetë vendi për të rivlerësuar pjesëmarrjen në këtë organizëm të Presidentit të Republikës si Kryetar i KLD-së dhe duke ja kaluar këto kompetenca Kryetarit të Gjykatës së Lartë, vlerësimin e mundësisë që Ministri i Drejtësisë të mos jetë anëtar i KLD, rolin e Inspektoritatit të Ministrisë së Drejtësisë, apo funksioneve që këto institucione duhet të kenë brenda këtij këshilli”, tha z. Naço
Ministri Naço ritheksoi edhe njëherë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të jetë i ndarë nga politika, ku duhet të zgjidhen jo gjyqtarët që synojnë promovimin e tyre, por njerëz me një karrierë të realizuar dhe që u intereson më shumë gjyqësori se sa përfitimet personale.
Shqipëria si një vend i cili ka zgjedhur të orientohet drejt realizimit të një axhende Europiane, sëbashku me partnerët ndërkombëtar po punon drejt përafrimit të praktikave më të mira. Kjo kërkon që sistemi i karrierës dhe i promovimit të ngrihet mbi bazë kriteresh objektive. Që në ditët e para si Ministër i Drejtësisë, kam evidentuar nevojën për një sistem krejtësisht të ndryshëm të sistemit të vlerësimit të gjyqtarëve, duke u bazuar në vetëvlerësim, por të konfirmuar nga drejtuesit e gjykatave ku ata ushtrojnë detyrën. Për këto arsye Ministria e Drejtësisë sëbashku me kontributin e Misionit Euralius 4, KLD dhe Inspektoratit të tij,si dhe të disa gjyqtarëve hartuan dhe morën mendimet e grupeve të interesit për projektligjin “Për sistemin e vlerësimit të gjyqtareve”, projektligj ky i cili është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe pret futjen në kalendarin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh z. Naço
Si Ministër i Drejtësisë, z. Naço ka shprehur gadishmërinë për të mos përjashtuar askënd nga bashkëpunimi, në mënyrë që kjo reformë me rëndësi kombëtare që ka nisur, të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në funksion të së mirës publike, me qëllim realizimin e synimit të përbashkët për një shtet të së drejtës, që vepron në interes të qytetarëve të tij.
“Jam mëse i sigurtë që nëpërmjet kësaj konference dhe eksperiencat që secili nga shtetet do të evidentojë nga praktika e vendit të tij, do të na shërbejnë për reformimin e nisur të sistemit të drejtesisë dhe të KLD-së në vecanti, si hallka bazë për një gjyqësor të pavarur dhe të përgjegjshëm”, përfundoi z. Naço.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.