Komisioni i Ligjeve, Ministri Naço: KLD, mungesë efiçence dhe papërgjegjshmëri - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 27/05/2014

Komisioni i Ligjeve, Ministri Naço: KLD, mungesë efiçence dhe papërgjegjshmëri

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ishte sot i pranishëm në Komisionin e Ligjeve, i ftuar në një seancë për të diskutuar në lidhje me disa elementë kryesorë, pjesë e funksionimit dhe veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Drejtësë.

“Ministria e Drejtësisë, në përmbushje të funksionit dhe fushës së veprimtarisë së saj, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, ndjek dhe përgjigjet për realizimin e politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e drejtësisë. Në ushtrimin e veprimtarisë së saj, Ministria e Drejtësisë ka për qëllim të kërkojë respektimin e Kushtetutës, të ligjeve, realizimin dhe mbrojtjen e dinjitetit, të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe të kontribuojë në parandalimin e shkeljeve të ligjit, në përputhje dhe në funksion të kërkesave të zhvillimit demokratik dhe të integrimit europian të Republikës së Shqipërisë. Në këtë kuadër, ndër të tjera, Ministria e Drejtësisë mbështet, bashkëpunon dhe bashkërendon veprimtarinë e saj me organet e pushtetit gjyqësor, duke respektuar parimin e ndarjes së pushteteve”, u shpreh Ministri Naço

Referuar faktit se Ministri i Drejtësisë është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Naço vlerësoi se realizimi i kësaj kompetence të rëndësishme është i lidhur dhe ndërvarur edhe nga disponibiliteti i ushtrimit të funksioneve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Ministri Naço solli në vemëndjen e anëtarëve të komisionit përcaktimet e ligjii “Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” se Këshilli i Lartë i Drejtësisë është autoriteti shtetëror përgjegjës për mbrojtjen, emërimin, transferimin, shkarkimin, edukimin, vlerësimin moral e profesional, karrierën, dhe për kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit.

Referuar këtij përcamtimi, Ministri Naço theksoi se lidhur me këto kompetenca që parashikon ligji për KLD-në, që në mbledhjen e saj të parë në Shtator 2013, si Ministër i Drejtësisë, ai i ka kërkuar këtij këshilli që të vendosi disa prioritete mbi bazën e të cilave të orientonte veprimtarinë e tij.

“Bazuar në axhendën e prioriteteve, referuar nenit 70 të ligjit nr. 49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, në mbledhjen e dt. 18.09.2013 kam mbështetur propozimin e paraardhësit tim, duke i propozuar KLD-së dt. 04.11.2013, si datë të fillimit të veprimtarisë së Gjykatave Administrative. Mbi bazën e këtij propozimi, Presidenti dekretoi këtë datë si datën e fillimit të veprimtarisë së Gjykatave Administrative. Këtë propozim e kam mbështetur bazuar në bindjen se fillimi i veprimtarisë së këtyre gjykatave do të shënonte një stad të ri në sistemin gjyqësor, si dhe duke besuar në përgjegjshmërinë e KLD-së. Përkundrejt kësaj bindje dhe pritshmërie të faktorit vendas dhe atij ndërkombëtar, KLD nuk arriti t’i paraprinte në kohë këtij procesi dhe për më tepër në mungesë të plotë efiçence nuk arriti të plotësonte detyrimin ligjor të vënies në funksionim të plotë të gjykatave administrative. Për shkak të kësaj efiçence dhe përgjegjshmërie të munguar edhe sot gjykatat administrative të shkallës së parë, me përjashtim të gjykatës së Tiranës, ushtrojnë veprimtarinë në mënyrë të cunguar”, sqaroi Ministri Naço

 

Përsa më sipër, z. Naço vuri në dukje se në Gjykatat Administrative të shkallës së parë Gjirokastër, Korçë dhe  Shkodër ushtrojnë veprimtarinë 2 gjyqtar nga 4 që duhet të ishin, ndërsa në gjykatat e Vlorës dhe të Durrësit 3 gjyqtarë nga 4 që duhet të ishin. Ndërkohë që në të gjitha Gjykatat Administrative të shkallës së parë janë ende 8 vende të paplotësuara.

 

Ministri Naço theksoi se ka kërkuar nga KLD-ja të procedonte me prioritet për plotësimin e vendeve ende të paplotësuara në Gjykatat Administrative të shkallës së parë dhe  lidhur me këtë situatë, ende të pazgjidhur, i ka propozuar KLD-së, që për plotësimin e vendeve vakante në këto gjykata, të procedonte sipas parashikimit të nenit 21 të ligjit “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor”, duke e konsideruar këtë situatë si një riorganizim të pushtetit gjyqësor.

 

Bazuar në të njëjtin shqetësim, që lidhet me realizimin e detyrave funksionale të KLD-së, Ministri Naço, gjithashtu bëri me dije se që në mbledhjen e parë i ka kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që të vepronte menjëherë për të ndryshuar situatën e papranueshme të kryetarëve të gjykatave të komanduar në detyrë prej vitesh.

“Sipas Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë(neni 2/e), KLD emëron kryetarët e Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Gjykatave të Apelit. Po kështu, Vendimi nr.227/2 datë 28.3.2008 “Për funksionin drejtues në gjykata” të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Neni 7.1 përcakton se për të mos krijuar vakum në procesin e drejtimit të gjykatës, vendi vakant për pozicionin e kryetarit të gjykatës shpallet si i tillë, tre muaj përpara përfundimit të mandatit 4 vjecar të kryetarit të gjykatës”. Ndërsa Neni 7.2, i këtij vendimi përcakton se: “Në rastet kur vendi i kryetarit në një gjykatë mbetet vakant për një nga situatat e mbarimit të mandatit përpara afatit ligjor, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, delegon një nga gjyqtarët e kësaj gjykate për të kryer përkohësisht detyrën e kryetarit. Vendi vakant në këtë rast duhet të plotësohet brenda tre muajve nga krijimi i tij”, tha Ministri Naço

Në këtë kuptim, vijoi z. Naço, delegimi i kryetarit të një gjykate do të duhet të ishte përjashtim dhe në çdo rast për një periudhë jo më të gjatë se tre muaj.

“Në kundërshtim me këto përcaktime të ligjit dhe vendimit të KLD, kjo e fundit nuk e ka ushtruar këtë kompetencë ligjore duke lënë në krye të gjykatave kryetarë, të cilëve ju ka mbaruar mandati prej vitesh ose, gjyqtarë të komanduar apo të deleguar prej vitesh. Sigurisht që kjo situatë jo e ligjshme ka krijuar një klimë të përgjithshme pasigurie dhe papërgjegjshmërie në drejtimin e gjykatave. Rasti më ekstrem i kësaj papërgjegjshmërie u manifestua në Gjykatën e Pukës ku kryetari i gjykatës dhe stafi, gjithashtu, ishin përfshirë drejtpërdrejtë në afera korruptive. Aktualisht, në 29 gjykata të shkallës së parë, 23 kryetarë të gjykatave ushtrojnë detyrën në kundërshtim me ligjin dhe  vetëm 6 prej tyre drejtohen nga kryetarë të emëruar me vendim të KLD-së dhe që janë brenda mandatit 4 vjecar të parashikuar në ligj dhe akte nënligjore”, u shpreh z. Naço

Për kreun e drejtësisë shqiptare, mospërmbushja e njërës prej detyrave funksionale më të rëndësishme që ka KLD-ja, siç është drejtimi i gjykatave, tregon për mungesë efiçence dhe papërgjegjshmëri nga ana e saj.