Kërkesa drejtuar KLGJ-së, për ndëshkimin e tre gjykatësve që kryen aktin kriminal të kalimit nga burgimi i përjetshëm në 25 vjet heqje lirie, për vrasësin e 4 policëve - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 11/02/2019

Kërkesa drejtuar KLGJ-së, për ndëshkimin e tre gjykatësve që kryen aktin kriminal të kalimit nga burgimi i përjetshëm në 25 vjet heqje lirie, për vrasësin e 4 policëve

Jam sërish këtu para jush sot për të vijuar komunikimin lidhur me reagimin ligjor të Ministrisë së Drejtësisë ndaj vendimit të paprecedent të dhënë nga një trupë gjyqësore e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Tiranë, ndaj shtetasit Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen në detyrë të 4 punonjësve të Policisë se Shtetit.

Ashtu siç deklarova dhe dje në konferencën për shtyp, ju bëj me dije se Ministria e Drejtësisë ka kryer verifikimet paraprake gjatë këtyre ditëve të fundit, referuar dhe informacionit paraprak të marrë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, Tiranë.

Nga verifikimet rezulton se trupi gjykues i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, me vendimin e datës 08.02.2019, me shumicë votash me 3 anëtarë të trupit gjykues, prej 5 anëtarësh, ka vendosur: Lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, për sa i përket kualifikimit ligjor. Por ndryshimin e këtij vendimi në lidhje me masën e dënimit, ku në aplikim të nenit 406, të Kodit të Procedurës Penale, i pandehuri Dajti dënohet përfundimisht me 25 vjet burg.

Pas verifikimit paraprak të kësaj çështjeje, si ministre e drejtësisë, kam vlerësuar se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, nga ana e gjyqtarëve Skënder Damini dhe Petrit Aliu të Gjykatës së Apelit, Vlorë, si dhe Aleks Nikolli i Gjykatës së Apelit, Shkodër.

Për këtë arsye, sot i jam drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratit me kërkesë zyrtare për fillimin e hetimit disiplinor dhe marrjen e vendimit të shkarkimit nga detyra ndaj gjyqtarëve të sipërpërmendur si dhe kryerjen e një hetimi të thelluar administrativ për këtë dosje.

Nga verifikimet e kryera deri tani rezulton se:

– Gjyqtarët e sipërpërmendur kanë pranuar një kërkesë për gjykim të shkurtuar në kushtet kur kjo kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ishte paraqitur jashtë afateve të parashikuara nga ligji. Sipas rregullave procedurale në fuqi në kohën e paraqitjes së kërkesës (në bazë të nenit 403, të Kodit të Procedurës Penale), kërkesa e të pandehurit për gjykim të shkurtuar depozitohet të paktën tre ditë përpara datës së seancës së përcaktuar. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, ka disponuar në kundërshtim me nenin 403, të Kodit të Procedurës Penale, në kushtet kur, kjo kërkesa është paraqitur pasi është deklaruar nga gjykata hapja e shqyrtimit gjyqësor në përputhje me parashikimet ligjore të procedurës penale.

– Vendimi gjithashtu është në kundërshtim të hapur dhe me vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë (dhe përmend vendimin numër 2, të vitit 2003), ku sipas këtij vendimi Gjykimi i shkurtuar ka vlerë për ekonomi gjyqësore, sepse thjeshton dhe shkurton procedurat, rrit shpejtësinë dhe efektivitetin e gjykimit.

Mbajtur në konsideratë numrin e lartë të seancave gjyqësore në Shkallën e Parë edhe më tej dhe sagën e proceseve gjyqësore për një periudhë pothuajse 10-vjeçare, të cilët kanë vendosur burgimin e përjetshëm, nuk justifikojnë vendimmarrjen për gjykimin e shkurtuar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda.

Duke analizuar këto sa përmenda më sipër, dhe argumente të tjera ligjore, kërkesa e Ministrisë se Drejtësisë është depozituar ditën e sotme pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor për një hetim të thelluar të dosjes dhe vendimmarrjen përkatëse ndaj gjyqtarëve.

Jam besimplotë se KLGJ-ja do të veprojë shpejt duke marrë të gjitha masat e nevojshme për procedimin disiplinor të gjyqtarëve konform ligjit në këtë çështje. Ju bëj me dije se reagimi i qeverisë ndaj kësaj vendimmarrjeje të paprecedent nuk ndalet as këtu dhe as me kaq.

Për çdo gazetar që është i interesuar të marrë një kopje të kërkesës që Ministria e Drejtësisë i ka drejtuar KLGJ-së, jeni të lutur ta merrni pranë sekretarisë.

 

Faleminderit!