Intervista -“Në katër muaj u realizua ajo që nuk u bë në katër vjet” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 09/04/2014

Intervista -“Në katër muaj u realizua ajo që nuk u bë në katër vjet”

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, pas përfundimit të takimit “Për një drejtësi pa vonesa”, i është përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje më disa çështje të cilat janë trajtuar së fundmi në media.

 

Z. Naço është pyetur në lidhje me ndryshimet në ligjin për Forcat e Armatosura ku ndër të tjera Ministri sqaroi se:

 

“Në këtë rast nuk diskutohet kandidatura e Zotit Nishani. Do të votojmë të gjitha ndryshimet ligjore të cilat nuk prekin Kushtetutën dhe nuk prekin kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës. Përsa i takon pjesës tjetër, të jeni të bindur se jemi të vendosur ta reformojmë të gjithë sistemin. Unë në emër të qeverisë kam kërkuar nga Komisioni i Venecias që të asistojë në të gjitha refomat që ne do të bëjmë, dhe këtë gjë e kam kërkuar jo vetëm nga Komisioni i Venecias por edhe nga Misioni Euralius, OPDATI, pra nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Në rrugën e nisur ne nuk jemi vetëm por kemi edhe partnerët, me të cilët do të konsultohemi për të gjitha ndryshimet dhe refomat që do të bëjmë. Kemi një mazhorancë të konsoliduar por nuk e kemi përdorur për të bërë ndryshime, pasi në çdo rast po konsultohemi me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

 

 

Gjithashtu Ministri Naço u shpreh edhe në lidhje me rastet e inspektimeve të gjyqtarëve për të cilat më herët, Ministri i Brendshëm, Z. Tahiri i është drejtuar publikisht Presidentit të Republikës, Z. Bujar Nishani.

 

“Unë mbështes dhe inkurajoj të gjitha veprimet e Ministrit Tahiri. Qëllimi ynë është i përbashkët, që të luftojmë krimin dhe korrupsionin kudo që ai shfaqet. Në rastin e parë jam njohur me përmbajtjen e letrës dhe kam bërë verifikime bashkë me stafin tim si dhe kam dërguar inspektorët në Gjykatën e Kavajës. Në rastin e dytë kam qenë në një vizitë pune në SHBA por jam venë në dijeni dhe sot ndërkohë jam njohur me përmbajtjen e letrës por edhe me një shkresë të ardhur nga KLD-ja, nga Nënkryetari i saj, i cili e kishte marrë letrën drejtuar Presidentit të Republikës, kishte verifikuar nëpërmjet inperktoriatit të Këshillit, që kishin konkluduar duke dhënë disa verifikime. Unë besoj se KLD-ja duhet ta kishte bërë inspektimin sepse ka qenë në kohë e informuar, pra duhet të kishte dërguar inspektorët. Në bazë të përmbajtjes së shkresës së KLD-së, thuhet se është konkluduar se ka vend për verifikime. Janë dy inspektoriate që kanë një memorandum bashkëpunimi midis tyre dhe në rast se i fillon inspektimet njëri nuk i fillon dot edhe tjetri që të mos ketë mbivendosje, ose mund të ketë një inspektim të përbashkët.

 

 

Referuar dosjeve për procedim disiplinor ndaj disa gjyqtarëve, të cilat janë dorëzuar pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministri Naço sqaroi se:

 

“Unë mund të them nëse për katër vjet paraardhësit e mi kanë çuar rreth 12 procedime disiplinore në KLD, ndërsa në katër muajt e fundit janë dërguar po 12 procedime për shkelje të gjyqtarëve. Katër vjet, me katër muaj kanë ndryshim të madh. Ndryshimi është i madh edhe për faktin se në 12 raste procedimi nga paraardhët e mi, vetëm në dy raste janë bërë shkarkime. Ndërsa në 12 rastet e fundit, 9 prej tyre janë raste me shkarkim ndaj gjyqtarëve. Unë pres dhe inkurajoj KLD-në që të ketë më tepër efiçencë për disa prioritete ndaj dhe kërkoj që këto çështje të futen në rendin e ditës. Sigurisht që pavarësia e gjyqësorit është e garantuar sepse KLD-ja në përbërjen e vetë ka 9 anëtarë,  të cilët zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore, pra janë parlamenti i gjyqësorit, por që në çdo rast KLD-ja duhet të dijë që të mbajë qëndrimin e duhur ligjor dhe jo të bëhet palë me ata që shkelin ligjin.

 

I pyetur në lidhje me masat që parashikohen për të parandaluar zvarritjen e pajustifikuar të proceseve gjyqësore, Ministri Naço theksoi se:

 

“Tashmë Ministria e Drejtësisë e ka marrë nismën e saj dhe po bën një revolucion me Kodin e Procedurës Penale, dhe ndryshimet do të jenë të thella. Në këto ndryshime është parashikuar edhe rasti që vendos sanksione ndaj avokatëve të cilët shmangin ose neglizhojnë procesin duke e zvarritur atë qëllimisht. Është parashikuar për raste të tilla gjobitje deri në 50 mijë lekë (të reja), ku gjoba do të jetë titull ekzekutiv. Besoj se kemi marrë të gjitha masat për të eleminuar çdo lloj zvarritje. Ju mund të bëni edhe verifikime, dhe të kuptoni se asnjë gjykatës nuk e fillon punën në orën 8. Unë besoj se kam treguar vullnet të hekurt dhe në katër muaj kam berë atë që paraardhësit e mi nuk e kanë bërë në katër vjet”.