Pyetje: Besoj që jeni njohur sot me vendimin e SPAK për vendosjen në pranga të gjyqtares Enkelejda Hoxha dhe të dyshuarve të tjerë. Si e keni pritur këtë informacion?
Etilda Gjonaj: Faleminderit për intervistën. Besoj që ky është një vendim për t’u përshëndetur. Vendimi i SPAK-ut për hetimin që ka ndërmarrë për operacionin që ka ndjekur duke dhënë masa arresti, përfshirë këtu edhe gjyqtaren e Krujës. Dhe mund të them me plotë bindjen që këto masa sot nuk kanë qënë thjesht për ti dhënë një zgjidhje apo për të goditur vetëm rastin e gjyqtares, por është një mesazh i qartë për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që kryejnë korrupsion dhe marrin vendime të kundërligjshme deri në lirimin në mënyrë abusive të paligjshme të personave të dënuar. Dhe besoj që sistemi vazhdon ende të ketë gjyqtarë dhe prokurorë të tillë, prandaj është një mesazh mjaft i mirë që vjen në këtë moment edhe për shkak të besimit që kanë qytetarët në organet e SPAK-ut, por njëkohësisht ka qënë edhe një problem i kahershëm i evidentuar edhe nga ne si MD, por njëkohësisht jam e bindur edhe nga qytetarët.
Pyetje: Çfarë ka sjellë ndërkohë për sistemin e drejtësisë dhënia e vendimeve të tilla për nxjerrjen nga burgu të personave me rrezikshmëri të lartë që janë akuzuar për vrasje por edhe kanë marrë edhe vendimin me burgim të përjetshëm zonja Gjonaj?
Etilda Gjonaj: Padyshim ka sjellë një dëm. Sepse ne kemi parë edhe rastet e mëparshme ku për rastin e fundit unë jam njohur vetëm nga informacionet që kanë qarkulluar sot në media. Kanë sjellë një dëm të jashtëzakonshëm sepse e para njëherë ka përcjellë një mesazh negativ duke inkurajuar të gjithë ato subjekte që duan të lirohen duke kryer apo duke gjetur një mbështetje nga gjyqtarë dhe prokurorë të tillë. Dhe e dyta ka sjellë një fakt ku padyshim ka sjellë një problematikë ku duhet të vuanin dënimin në IEVP dhe në fakt janë liruar. Kështu që këto janë fakte shumë të rënda dhe një dëm shumë i rëndë që i vjen shoqërisë.
Pyetje: A është i vonuar ky hetim që ka marrë SPAK-u apo vjen në kohën e duhur për të çuar në vënd zbatimin e një reforme në drejtësi ku përflitet ende që nuk është përmbushur si detyrim?
Etilda Gjonaj: Mund të them që rastet që lidhen me gjyqtaren e Krujës, por njëkohësisht edhe me një sërë gjyqtarësh të tjerë, është ngritur shqetësimi shumë herët nga MD, ka pasur fakte, dhe kanë qenë ngjarje po kaq të rënda si dhe kanë pasur nevojë për një reagim më të shpejtë nga institucionet. SPAK është një nga institucionet, që reforma në drejtësi ka krijuar, ku ka patur edhe vonesa në ngrijen dhe funksionimin e tyre dhe padyshim vendime të tilla janë të mirëpritura në çdo kohë, por do duhet që institucioneve të tjera që u janë adresuar raste të tilla, të veprojnë me shpejtësi. Mund të marr si shembull rastin e kësaj gjyqtareje, ku Ministria e Drejtësisë që në janar të 2020 ka dërguar dosjen si në KLGJ dhe në organin e prokurorisë, një për pjesën e procedimit disiplinor të kësaj gjyqtare pas lirimit të subjektit kriminal Dokle, si dhe është referuar kallëzim penal për të në prokurori. Dhe pavarësisht kësaj i është kërkuar edhe vettingut që të kishte prioritet në procesin e vlerësimit kalimar për këtë gjyqtare.
ILD menjëherë pasi është krijuar dhe ka filluar funksionimin e tij, ka ndërmarrë veprime me dosjen, ku ka dërguar kërkesa dhe fakte në KLGJ. Por në fakt nga KLGJ-ja nuk kemi një vendim. Do duhet që institucionet e drejtësisë që kanë rrjedhur nga reforma në drejtësi, për të zbatuar edhe pririoritetet kryesore dhe atë çfarë ka dashur reforma në drejtësi të ndërtojë, të veprojnë me shpejtësi sidomos kur janë para fakteve të tilla. Sepse duhet të kuptojmë që nuk janë vetëm institucionet e vettingut ato që kryejnë procesin e pastrimit të gjykatave dhe prokurorive nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar apo të lidhur me krimin, por janë një sërë institucionesh dhe mekanizmash të tjerë që janë ngritur me parashikimet ligjore të reformës në drejtësi.
Unë do them që duhet të veprojnë në kohën e duhur me qëllim që raste të tilla të mos jenë ose të mos mbeten thjesht me veprimet e organit të prokurorisë. Madje nëse ju kujtohet me paketën anti-KÇK që Kryeministri prezantoi në nentor të vitit 2019, pjesë e paketës kanë qenë edhe disa parashikime ligjore, ndryshime të cilat u miratuan disa vite më vonë nga Parlamenti, ku bëhej fjalë për një zgjerim të kompetencave të ILD pikërisht për këto raste, ku gjyqtarë dhe prokurorë pavarësisht se mund ta dinin që do largoheshin nga sistemi, vazhdonin të kryenin veprime të paligjshme, korruptive apo të cilat shkaktonin një dëm. Për këtë arsye në atë kohë u parashikua një zgjerim i kompetencave të Inspektorit, ku të kishte mundësinë të kërkonte jo vetëm pezullimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve kur fillonte hetimin disiplinor për shkak të sjelljeve dhe ku kishte indicie se mund të bëhej problem, apo mund të bëhej pengesë për hetimin disiplinor më tej, por gjithashtu i’u shtua kompetenca që ILD të kryejë edhe verifikimin e hollësishëm të pasurisë apo edhe të figurës të vetë subjekteve për të cilët kishte filluar një hetim disiplinor. Është e kuptueshme që institucionet e reja kan patur edhe vështirësitë e tyre ashtu si në formësim, por njëkohësisht edhe në plotësimin e strukturës së tyre me punonjës apo me inspektorë të cilët do të kryejnë të gjitha veprimet për dosjet që janë në këto institucione. Por është shumë e rëndësishme, shpejtësia e procesit administrative që kryejnë këto institucione.
Pyetje: Për Enkelejda Hoxhën është dalë nominalisht, duke e përmendur edhe mediat, madje duke i faktuar edhe të gjitha abuzimet që ajo ka bërë në shkelje të ligjit. Ka emra konkret gjyqtarësh apo të tjerë personave në sistemin e drejtësisë dhe prokurorëve, që do të denoncohen nga ana e MD në mënyrë që përfundimisht ti largohen këtij sistemi?
Etilda Gjonaj: Me reformën në drejtësi, MD e ka kompetencën më të kufizuar, për të adresuar të gjitha rastet e gjyqtarëve, prokurorëve, të cilët kryejnë abuzime. Por padyshim ne kemi një sërë dosjesh që janë dërguar për gjyqtarë, prokurorë kur janë evidentuar nga ne, kur janë adresuar nga institucionet ligjzbatuese, të cilat janë në varësi të MD, por njëkohësisht edhe nga ato që janë bërë edhe publike. Ne presim që ILD tashmë të kryejë veprime me këto dosje, ku ka avancuar dhe ku do të ketë një fillim të hetimit disiplinor për të bërë kërkesën edhe formale drejtuar KLGJ me qëllim që të ketë një vendimmarrje ndaj atyre që kanë kryer veprime në abuzim me legjislacionin apo edhe me detyrën. Megjithatë është për tu theksuar se jemi në proces ku rezultatet e reformës në drejtësi po arrihen në mënyrë konstante dhe është shumë e rëndësishme të theksojmë që kjo është ajo që ne kërkojmë nga reforma në drejtësi, ku jo vetëm gjyqtarët dhe prokurorët mund të largohen nga procesi i vettingut, por njëkohësisht institucioni dhe organi i prokurorisë sic është SPAK-u, si një prokurori e specializuar posacërisht për rastet dhe veprat penale, të funksionarëve të lartë, lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar, të sjelli këto efekte, me hetimet që ata po kryejnë. Ndaj e thash edhe më herët që ky nuk është vetëm thjeshtë goditja e një rasti. Unë besoj që kjo do të shërbejë si mesazh për të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë që nuk do ta kalojnë vetting-un dhe që e shfrytëzojnë edhe këtë periudhë që qëndrojnë në detyrë. Besoj që do ta kenë të vështirë për të kryer veprime të tilla abusive edhe pas këtyre vendimeve që janë ndërmarrë nga SPAK-u.
Pyetje: Zonja Gjonaj kur themi që ka dosje, mund të themi numrin e tyre edhe pse nuk mund ti përmendim dot me emra, sepse janë organet hetimore dhe të drejtësisë që do të bejnë punën e tyre? Afërsisht sa mund të jetë numri i këtyre personave që janë në sistemin e drejtësisë që kanë kryer shkelje?
Etilda Gjonaj: Aktualisht nuk mund t’ju them ekzaktësisht numërin, por një numër i madh dosjesh kanë qenë edhe për vitin 2019-2020 që presin të trajtohen në institucionin e ILD. Dhe padyshim kërkesa dhe çështje të ndryshme vijojnë të vijnë në MD, por janë të gjitha të adresuara tashmë pranë ILD.
Pyetje.: Zonja Gjonaj shumë faleminderit për bisedën që patëm në Report TV.
Etilda Gjonaj: Faleminderit juve.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.