Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka qenë i ftuar në ditarin e Zërit të Amerikës, ku ka dhënë dhënë një intervistë mbi zhvillimet reformuese të qeverisë, duke u ndalur veçanërisht në masat e marra kundër luftës së korrupsionit.
“ Reformat kërkojnë përfshirjen dhe bashkëpunimin e të gjitha palëve. Ndonëse kemi një mazhorancë të konsoliduar, kemi kërkuar që të gjitha reformat t’i bëjmë në kohë, me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe jo me forcën e kartonit ”, deklaroi z. Naço
Më poshtë intervista e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço gjatë ditarit të Zërit të Amerikës:
Komisioneri Fyle ka thënë se qeveria duhet të japë një shembull të mirë duke respektuar rregullat dhe çdo dyshim se qeveria nuk e respekton plotësisht Kushtetutë, e dëmton vendin. Opozita ka ngritur në fakt një sërë akuzash për mosrespektimin e ligjeve, për ndërhyrje në institucionet e pavaruara. Si do t’i përgjigjeshit ju kritikave?
Unë ndaj një mendim tjetër. Në fjalën e z. Fyle flitet se qeveria duhet të përshpejtojë reformat dhe në anën tjetër duhet të respektojë opozitën, rregullat, Kushtetutën në çdo aspekt të qeverisjes së vendit. Sigurisht që duhet të bëhen reforma dhe do të doja që bashkë me reformat që bëjmë të kishim të përfshirë dhe pjesën e opozitës. Ne ndahemi me opozitën në disa aspekte, për të cilat nuk kemi për të gjetur një emërues të përbashkët, por besoj se tek reformat e tjera bashkë me opozitën duhet të kemi gjithëpërfshirje. Nuk e ka ndaluar askush opozitën të marri pjesë në reforma, qoftë të kërkojë interpelanca, të kërkoj çdo ministër në komisione të veçanta në parlament, etj. Me taktikën që ndjek opozita, nuk kërkon ato që i jepen me ligj, me Kushtetutë dhe me rregulloren e Kuvendit, por mban një qëndrim bllokues ndaj çdo lloj reforme që bën mazhoranca sot. Sigurisht ne kemi një mazhorancë të konsoliduar dhe në çdo moment mund t’i bënim reformat dhe pa pjesën e opozitës, por ne kemi kërkuar bashkëpunim duke i lënë të gjitha hapësirat e nevojshme në këtë reformë gjithëpërfshirëse.
Ҫështja e korrupsionit mbetet shqetësuese, dhe në Shqipëri ka pasur disa ndërhyrje të parlamentit për ndryshime që e klasifikojnë këtë fenome si një krim të rëndë dhe si rrjedhojë për t’u gjykuar nga gjykata e krimeve të rënda. Mgjth, ajo që konstatohet në Shqipëri nuk është mungesa e ligjeve por zbatimi i tyre. Përse besoni se këto ndryshime do të sjellin rezultate?
Unë besoj plotësisht se me ndryshimet e bëra, pavarësisht se janë bërë si emergjencë, do i shërbejnë luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne kemi një gjykatë dhe prokurori të krimeve të rënda të krijuar që nga viti 2004, një histoti suksesi në Shqipëri. Të gjitha rastet e korrupsionit për zyrtarët e nivelit të lartë do të hetohen dhe gjykohen nga kjo gjykatë dhe kjo prokurori. Nuk do të shtohet masa e dënimit për rastet e zyrtarëve, por duam që mjetet e përdorura për organizatat kriminale dhe për bandat, të përdoren edhe për rastet e korrupsionit, një fenomen ky i përhapur në Shqipëri, dhe që kuptohet si në sondazhet me qytetarët, qoftë nga raportet e Departamentit të Shtetit, nga raporti i fundit i Transparency International, etj. Besoj se këto janë këmbana alarmi për të gjithë zyrtarët në Shqipëri, si për mazhorancën ashtu edhe për opozitën që të ndërmarrin hapa konkrete në luftën kundër korrupsionit. Ҫdo pasuri e vënë në mënyrë të kundraligjshme do të sekuestrohet dhe të afërmit e zyrtarëve do të paraqiten para gjykatës që me provat e tyre të tregojnë se si e kanë vënë këtë pasuri. Në rast se nuk e provojnë se kanë vënë në mënyrë të ligjshme do t’u konfiskohet kjo pasuri.
Desha të ndalesha në iniciativën tuaj për krijimin e faqes online ku qytetarët mund të denoncojnë për aferat korruptive që i ndeshin me gjyqtarët. Si kanë ecur këto denoncime? A janë ndjekur penalisht apo a ka pasur raste të masave që janë marrë ndaj gjyqtarëve të denoncuar?
Unë do ta quaj një histori suksesi portalin antikorrupsion në faqen e Ministrisë së Drejtësisë, ku i kërkohet çdo qytetari dhe shoqërisë civile të denoncojnë në çdo rast fshehjen e pasurisë apo shkeljen e ligjit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe të gjithë sistemit të drejtësisë. Sot mund t’ju them që në këtë faqe janë mbi 700 ankesa apo denoncime, që do të thotë se në një anë tregojnë se si është sistemi i drejtësisë, problematikën që ai ka, dhe nga ana tjetër rritjen e besimit që kanë qytetarët tek kjo mazhorancë, tek kjo qeverisje, për të çuar më tej reformat e bëra. Mund të them që në 11 raste ne i jemi adresuar dhe i kemi dërguar material zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa në 3 raste të tjera i jemi drejtuar Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurisë. Vetëm në ditët e fundit në bashkëpunim me këtë inspektoriat, unë si Ministër i Drejtësisë fillova procedimin disiplinor dhe materialet i kaluan prokurorisë për 2 gjyqtarë që kishin fshehur pasurinë. Në këtë rrugë të nisur ne do vazhdojmë që të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet e tjera, sigurisht edhe me institucionet por dhe me partnerët tanë ndërkombëtar që na kanë ndihmuar në këto vite, ndaj dhe gjej rastin për t’i falenderuar publikisht.
Drejtësia megjithatë konsiderohet si hallka më e dobët dhe një pengesë shumë e fuqishme për integrimin e vendit në BE. Ka një tension sot mes ekzekutivit, KLD-së si dhe me presidentin Nishani. Psh. për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu arrihet dhe më tej në akuza, se ka një ndërhyrje të karakterit politik nga ana e ekzekutivit. Cili është komenti juaj ?
Ne kemi kërkuar që reforma e bërë në gjyqësor të jetë gjithëpërfshsirëse. Për këtë arsye në emër të qeverisë shqiptare i kam kërkuar Komisionit të Venecias që të asistojë në të gjitha reformat dhe ndryshimet që do të bëjmë në sistemin e drejtësisë. Ne kemi kërkuar dhe duam të reformojmë Gjykatën e Lartë, pasi është një gjykatë që ka rreth 12 mijë çështje prej disa vitesh që nuk u jep zgjidhje ligjore. Pra, qytetarët presin, ankohen ndaj gjykatës sepse duan një vendim prej saj dhe nuk po e marrin prej vitesh, ndaj dhe sigurisht që ka nevojë për t’u reformuar Gjykata e Lartë. Ne duam të reformojmë Gjykatën Kushtetuese dhe prandaj kemi kërkuar dhe Komisionin e Venecias që të jetë prezent në çdo hap që ne hedhim. Nuk jemi ndalur këtu sepse shumë shpejt do të kemi misionin EURALIUS 4 me ekspertë nga më të mirët e BE-së, të cilët do të vijnë dhe do të asistojnë në të gjitha reformat e bëra. E përmenda që në fillim se kemi një mazhorancë të konsoliduar, por kjo nuk do të thotë që ne të abuzojmë për shkak të kartonave, por kemi kërkuar që të gjitha reformat t’i bëjmë në kohë, me partnerët tanë ndërkombëtar.
Një pyetje të fundit, lidhur me fatin e ligjit të administratës gjyqësore. A do të rikthehet ky ligj në parlament?
Në pamje të parë unë marr ankesa të shumta qoftë, edhe nga deputetë të mazhorancës apo edhe të opozitës, ashtu edhe nga shoqëria civile, se Ministria e Drejtësisë nuk është shumë agresive në drejtim të reformave. Të gjitha reformat që do të ndërmarri Ministria e Drejtësisë do të bëhen bashkë me partnereët tanë ndërkombëtarë, pra me Komisionin e Venecias, me misionin EURALIUS 4, me misionin OPDAT që është në Shqipëri dhe që gjej rastin ta falenderoj për punën që është bërë qoftë në Kodin e Procedurës Penale, që është një hap cilësor në këtë drejtim. Ne kemi një kod të miratuar në vitin 1995, një model italian i cili nuk është aplikuar drejt dhe nuk ka gjetur zbatim. Unë mendoj se futja e disa institucioneve të tjera që na është rekomanduar nga ekspertët e OPDAT-it, siç është marrëveshja midis prokurorit, të pandehurit dhe avokatit do të ishte një histori suksesi, sepse do të evitonte në kohë çdo lloj zvarritje që ne kemi hasur për vite në sistemin gjyqësor. Unë gjej rastin për t’i falenderuar këta ekspertë.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.