Interpelanca e Ministrit të Drejtësisë z.Ulsi Manja, kërkuar nga deputeti Kastriot Piroli, lidhur me trajtimin e punonjësve në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 03/02/2022

Interpelanca e Ministrit të Drejtësisë z.Ulsi Manja, kërkuar nga deputeti Kastriot Piroli, lidhur me trajtimin e punonjësve në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale

E nderuar zonja drejtuese e seancës

Të  nderuar kolegë deputetë

I nderuar zoti Piroli

 

Unë dua të të falënderoj në fakt për interpelancën e kërkuar, pasi më jep mundësinë të shpalos përpara Kuvendit të Shqipërisë, disa nga rezultatet tona në fushën e sistemit penitenciar. Dua të theksoj që në krye të herës, e konsideroj kontribut edhe këtë interpelancë në përmirësimin e gjendjes në sistemin peniteciar.

Më lejoni që përpara se të përgjigjem për pyetjen tuaj, të them një falënderim për të gjitha strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, që në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Elbasanit, finalizuan një operacion të suksesshëm për goditjen dhe ndështkimin e një grupi kriminal që kryenin veprimtari të jashtëligjshme, brenda dhe jashtë sistemit  të burgjeve. Në rrjetën e këtij operacioni kanë rënë edhe punonjës të burgjeve, disa edhe në nivele të larta. Kjo ishte një punë e nisur prej Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Shërbimit të Brendshëm të Burgjeve dhe prokurorisë së Elbasanit, por dua të siguroj se nuk do jetë thjeshtë një aksion, apo kalendar veprimtarish goditjesh, por do të jetë një investim I përditshëm I të gjitha strukturave tona në zbatim të ligjit dhe forcimit të sigurisë në sistemin penitenciar.

 

Zoti Piroli

Tani që flasim, pas shumë kohësh Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është në një riorganizim total. Synimi është që të ristrukturojmë edhe sistemin e karrierës në policinë e burgjeve, duke e përafruar me sistemin e karrierës në policinë e shtetit.

Sistemi peniteciar në vend ka 4524 punonjës në total, nga të cilët punonjës me uniformë janë 3566, ndërkohë që 958 janë staf civil, ku përfshihen edhe 254 persona të stafit mjekësor. Në vitin 2018 qeveria shqiptare ka filluar një reformë në sistemin penitenciar që konkludoi me miratimin e ligjit 80/2020 “për policinë e burgjeve” dhe sot që flasim në zbatim të këtij ligji kanë dalë të gjitha aktet nënligjore dhe shumë shpejt do të miratohet edhe rregullorja e përgjithshme e burgjeve që do të harmonizohet me paketën e re ligjore të sistemit penitenciar. Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: Çfarë kanë përfituar punonjësit e policisë së burgjeve nga këto ndryshime ligjore që tashmë janë në fuqi? Në bazë të vendimit të Qeverisë Nr. 920  në 7 gusht 2020 ka nisur rritja e pagës për gradë, në 1 Janar 2021 ka nisur rritja e pagës për çdo vit vjetërsie shërbimi dhe prej 1 korrikut të vitit 2022 do të nisë rritja e pagës për natyrën e veçantë të punës.

Atëherë lejomëni të sjell disa shembuj:

Një punonjës I rolit bazë, inspektor: Në 2019 kishte një pagë bruto prej 56.290 lekë, ndërkohë që pas korrikut të 2022 do të ketë një pagë prej 67.800 lekë.

Një punonjës I rolit të mesëm, komisar: Në 2019 kishte një pagë bruto prej 79.500 lekësh, ndërkohë që opas korrikut të 2022 do të ketë një pagë 89.610 lekësh.

Një punonjës I rolit të lartë, Drejtues: Në 2019 kishte një pagë bruto prej 118.370 lekë, ndërkohë që në pas korrikut të 2022 do të ketë një pagë prej 126.910 lekë.

Sigurisht që nëse jeni të interesuar unë mund t’ju jap të gjitha pagat e të gjithë roleve të policisë së burgjeve por duke e përmbledhur rritja e pagave të stafit policor në total për tre vite rezulton:

Nga 7935 lekë deri në 10130 lekë për punonjësit e rolit bazë

Nga 5800 – 13100 lekë për punonjësit e rolit te mesëm

Nga 8500 – 16000 lekë për punonjësit e rolit të lartë. Po hap një parantezë të vogël këtu për 200 punonjës, të cilët paguhen për oraret e vona të natës. Këta punonjës përfitojnë pagesa shtesë për këto orë pune, dhe nuk ka pasur asnjëherë vonesa. Jepen çdo fundmuaji sipas borderosë.

 

Duke qëndruar tek rritja e pagave nuk mund të lë pa përmendur edhe trajtimin e bërë për stafin shëndetësor:

-Rritja për pozicionin e Kryeinfermierit në vlerë 25.195 lekë ose 47%

-Rritja për pozicionin e Farmacistit në vlerë 35.395 lek ose 66%

-Rritja për pozicionin e infermierit në vlerë 17.745 ose 33%

-Rritja për pozicionin e Shefit të Shërbimit  në vlerë 33.000 ose 44%

-Rritja për pozicionin e Mjekut specialist në vlerë 26.400 lekë ose 42%.

Dhe për ta përmbyllur temën e trajtimit financiar dua të përmend, qoftë edhe pa modesti, se në fund të vitit të kaluar me vendim të qeverisë shqiptare, të 4524 punonjësit e burgjeve pas më shumë se 20 vjetësh kanë marrë shpërblim një rrogë, ose siç quhet paga e 13. Kjo me siguri nuk hyn tek retorika, sepse paratë kanë hyrë nëpër bankomatet e njerëzve. Dhe zoti Piroli që ka një karrierë të gjatë në drejtimin e institucioneve të vuajtjes së dënimit sepse ka punuar 7-8 vite në institucionin e Shën Kollit, mund ta vërtetojë këtë gjë që pas 20 vjetësh merret paga e 13 në sistemin penitenciar.

 

Duke kaluar në një tjetër aspekt që i takon specifikisht policisë së burgjeve, atë uniformave të tyre. Për mua, paraqitja e jashtme është po aq e rëndësishme sa sjellja dhe komunikimi që do duhet të kenë punonjësit e policisë së burgjeve. Tre vite më parë në 2019, Policia e Burgjeve është pajisur me uniformë, si normë e dy viteve. Pra normalisht, në 2021 duhet të bëhej pajisja e re me uniformë e policisë së burgjeve. Eshtë fakt që kjo nuk ka ndodhur dhe shqetësimi juaj është i drejtë dhe qëndron. Por siç jeni në dijeni gjatë kësaj kohe në Shqipëri kanë ndodhur dy ngjarje; një që preku vetëm vendin tonë, tërmeti dhe një që preku gjithë botën së bashku me vendin tonë, pandemia. Pra qeveria shqiptare në mënyrë të kuptueshme ri-orientoi fondet në sektorë prioritarë dhe emergjentë. Megjithatë, në rishikimin e buxhetit në korrik të këtij viti padiskutim do të marrim mbështetjen e duhur buxhetore për uniformat e reja të policisë së burgjeve. Por fakti qëndron; procedura nuk është zhvilluar dhe këtë shqetësim që ju ngrini, dua t’ju siguroj që e kam edhe unë shqetësim të përditshëm si Ministër Drejtësie.

 

Përsa i takon transportit të punonjësve, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Së Burgjeve ka lidhur kontrata shërbimi me shoqëri transporti duke garantuar transportin e punonjësve të cilët janë të emëruar në institucione jashtë zonave urbane si në Reç, Lezhë, Lushnjë, apo kudo tjetër. Nuk ka asnjë punonjës të rolit bazë që të jetë emëruar më larg se 45 kilometër nga vend banimi. Ka pasur disa lëvizje punonjësish jashtë 45 kilometrave dhe kjo lidhet me mbylljen e Shën Kollit për shkak të tërmetit, por tashmë gjendja është stabilizuar. Nga kjo politikë e ndjekur, kanë përfituar të paktën 140 punonjës.

 

A i kemi të gjitha godinat e IEVP-ve në kushte komode për punë? Do të tregohesha hipokrit nëse do të thoja po. Unë kam kryer një sërë inspektimesh dhe jam i ndërgjegjshëm për të gjitha mangësitë, dhe emergjencat. Por dua të përmend, sërish pa modesti, se në nëntor të vitit të kaluar ne kemi mbyllur institucionin e Zaharisë, një nga më të kritikuarit prej dhjetëra vjetësh në të gjitha raportet e CPT Avokatit të Popullit por edhe raportet e Bashkimit Europian. Dua të siguroj se së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, po përgatisim projektet, për rikonstruksionet apo ndërhyrjet në të gjitha IEVP-të. Eshtë në krye të prioriteteve krijimi i kushteve brenda këtyre institucioneve, jo vetëm për ata që vuajnë dënimin, por edhe për punonjësit e stafeve të burgjeve. Meqë z.Piroli është deputet që vjen nga qarku i Lezhës dhe është në dijeni që ky institucion ishte i mbyllur për shkak të dëmtimeve të shumta që pësoi nga tërmeti, dy godina janë vënë në funksionim ku janë të transferuarit e institucionit të Zaharisë dhe shumë shpejt po me fondet e rindërtimit do të nisë edhe rikonstruksioni i fundit edhe për dy blloqet e tjera, por edhe për godinën e stafit të këtij institucioni. Pra do të kemi një institucion tërësisht të ri në Shën Koll.

 

Përsa i trajtimit ushqimor të punonjësve të policisë, bëhet fjalë për punonjësit e transferuar jashtë vendbanimit, përfitohet sipas ligjit një vakt kur kohëzgjatja e shërbimit është tetë orë dhe tre vakte kur punonjësit janë në shërbim apo gadishëmëri 24 orë. Normat e ushqimit miratohen me një udhëzim të përbashkët mes ministrit të drejtësisë dhe ministrit të shendetesise.

 

Ka patur një shqetësim nga sindikata e punonjësve të burgjeve lidhur me armët e zjarrit, pra armët e brezit. Përsa i takon mbajtjes së armës së zjarrit, punonjësve të burgjeve ju ndalohet të mbajnë një të tillë në ambientet e banimit ku vuajnë dënimin personat në konflikt me ligjin, apo më thjeshtë në rregjimin e brendshëm të IEVP. Për shkaqe të sigurisë, kërcënimeve të jashtme, parandalimit të arratisjes armët lejohen në rrethimin perimetrik dhe gjatë shoqërimit jashtë burgut. Armët në përdorim personal i mbajnë vetëm punonjësit e grupeve të shoqërimit dhe jo të gjithë punonjësit e policisë. Kjo sepse politika që ndiqet është qasja e punës me komunikim dhe jo në bazë të forcës apo kërcënimit të armës. Sigurisht që ka edhe pengesa të tjera teknike si menaxhimi i kohës gjatë ndërrimit të turneve, ku vetëm kontrolli e dokumentimi i armës do të sillte humbje kohe, pengesa në detyrë, apo edhe situata të pakëndshme për shkaqe të ndryshme.

I nderuar zoti Piroli

E lashë për në fund, thjeshtë për të konfirmuar edhe gjithë sa thashë më sipër, progres raportin e Bashkimit Europian të vitit 2021 ku evidentohen qartazi një sërë rezultatesh pozitivë përsa i përket sistemit penitenciar ku në rradhë të parë përmendet përmirësimi ndjeshëm i kushteve me plotësimin e shumicës së rekomandimeve të dhëna nga Avokati i Popullit;

Mbyllja e institucionit të Zaharisë siç e përmenda pak më lartë dhe transferimi i personave me masë mjekësore në godina të rikonstruktura dhe të veçanta në IEVP-në e Lezhës, shoqëruar kjo më parë nga një memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë në 23 Nëntor 2021 për rritjen e punonjësve të shëndetësisë;

Plani i zhvillimit 2019-2022 miratuar në Kuvend dhe një paketë ligjore në përputhje me praktikat dhe standartet më të mira botërore, natyrisht thekson vizionin tonë për sistemin penitenciar;

Në progres raport një vëmendje e posaçme i është kushtuar trajnimit të punonjësve të burgjeve, dhe sipas tij, jo sipas meje se mbase jemi mësuar të mos e besojmë njëri-tjetrin, pra sipas progres raportit janë trainuar 1408 staf. Po ashtu jane miratuar 6 manuale për stafin e burgjeve në lidhje me programe rehabilituese për të burgosurit.

Dua ta mbyll këtë interpelancë me një të dhënë që edhe këtë po e citoj nga progres raporti: Aktualisht këto institucione janë 81 përqind të populluara, pra 19 përqind më pak kapacitetit të tyre maksimal.

Ju faleminderit