Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian është një objektiv kombëtar, në funksion të demokratizimit dhe transformimit të shoqërisë shqiptare, në përputhje me vlerat dhe parimet e Europës së Bashkuar. Për t’i dhënë fund, kësisoj, një tranzicioni të pafund që nuk krijon institucione demokratike, modele zhvillimi të qëndrueshme dhe cilësi jete.
Marrja e statusit të vendit kandidat dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian do të përbëjnë përparë sinë e veprimit politik të shumicë s së re. Zbatimi me korrektësi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), përmbushja e pjesës së mbetur nga 12 prioritetet e Planit të Veprimit, janë elementë kryesorë për cilësinë dhe shpejtësinë e procesit të aderimit të Shqipërisë në BE.
Ne do të hartojmë Strategjinë e re për Zhvillim dhe Integrim 2014 – 2020 dhe strategjitë e tjera sektoriale duke siguruar përputhshmërinë e këtyre dokumentave me IPA II, sikundër do të përditësojmë Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA.
Ne do të përmirësojmë rrënjësisht modelin aktual të bashkërendimit të ndihmës së BE dhe asistencën bilaterale e ndërkombëtare, duke e kanalizuar atë drejt agjendës zhvillimore të vendit. Do t’i japim fund ping-pongut institucional dhe do të ndërtojmë një mekanizëm në nivel ndërinstitucional për identifikimin e nevojave dhe kapaciteteve për programimin dhe zbatimin e projekteve të financuara nga BE.
Do të zbatojmë rekomandimet e auditorëve të BE-së në lidhje me akreditimin e strukturave për menaxhimin e fondeve të BE-së. Njëkohësisht do të qartësojmë përgjegjësitë institucionale për mirëmenaxhimin e ndihmës së huaj, duke përfshirë rolin e Koordinatorit Kombëtar të IPA (NIPAC). Do të bashkëredojmë përgjegjësitë ndërmjet autoriteteve shtetërore në lidhje me projektet e infrastrukturës të financuara nga BE dhe do të ndërmarrim masat paraprake për të mundësuar menaxhimin e fondeve bujqësore IPARD.
Ne do të përvijojmë një marrëdhënie të re me opozitën parlamentare duke nxitur kulturën e kompromisit politik dhe prodhuar reforma të prekshme e të qëndrueshme shtet-ndërtuese. Do të ndërtojmë një marrëdhënie të hapur besimi e bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtar në këtë proces dhe më posaçërisht me të gjitha institucionet vendimmarrëse të BE-së.
Mbështetja dhe konsensusi popullor për këtë proces do të përkthehet nga ne në veprime konkrete e reforma të qëndrueshme që synojnë konsolidimin e demokracisë e shtetit të së drejtës, krijimin dhe forcimin e një ekonomie tregu funksionale të aftë për të përballuar forcat e konkurrencës dhe zbatimin e standardeve Europiane në jetën e përditshme.
Bashkërendimi i brendshëm, shoqëruar me vendosjen e shërbimit të jashtëm në pararojë, janë dy elementë të domosdoshëm që do të garantojnë cilësi dhe ritëm më të shpejtë në këtë proces. Në të njëjtën kohë, do të garantojnë kurs reformash radikale që do ta trupëzojnë procesin e integrimit Europian në shtratin e politikave zhvillimore të vendit.
Ne do të përkthejmë vullnetin politik në proces të prekshëm me ndërtimin e shërbimit publik Europian dhe reformimin tërësor strukturor të shërbimit diplomatik dhe financimit të tij, në përputhje me këtë prioritet kombëtar.
Do të ofrojmë stimuj për të promovuar profesionalizimin, meritokracinë dhe qëndrueshmërinë në shërbimin publik për administratorët e rinj europianë, duke u ndarë një herë e mirë nga sëmundjet e partisë-shtet, nepotizmit e konfliktit të interesit.
Ne e konsiderojmë suksesin e procesit të integrimit Europian të lidhur ngushtë me komunikimin e zhdërvjelltë që duhet të përfshijë të gjithë aktorët kryesorë, e më posaçërisht partnerët socialë, shoqërinë civile, shoqërinë akademike dhe grupet e interesit. Vetëm në këtë mënyrë pritshmëria e qytetarëve do të jetë realiste dhe reformat do mund të shoqërohen me mbështetjen e duhur, si dhe ndjenjën e përkatësisë së procesit të integrimit Europian nga ana e shoqërisë shqiptare.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.