Manja: Jemi këtu si garancia juaj
Ministri I Drejtësisë z.Ulsi Manja ka zhvilluar sot një takim me ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme, pas hyrjes në fuqi të akteve nënligjore të ligjit që u miratua në fillim të këtij viti. “Me kuadrin e ri rregullator, këtij shërbimi për publikun, I shtohet dinjiteti me rregulla, procedura dhe garanci juridike në ushtrimin e tij. Deri më sot e keni ushtruar këtë profesion me rrisk e me kosto personale dhe të pambrojtur”, ka thënë në fjalën e tij z. Manja. Ai ka nënvizuar se miratimi I ligjit ishte përveçse një domosdoshmëri dhe kërkesë e kohës dhe politikave të shtetit shqiptar, por edhe një rekomandim nga FATF dhe Manival, si masë kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Ministri I Drejtësisë ka bërë shkurtimisht një përmbledhje të kushteve për të hyrë në shërbimin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, ku natyrisht arsimimi dhe njohuritë në fushën juridike marrin përparësi. Po ashtu nuk duhen anashkaluar edhe pastërtia e figurës, por edhe kriteret përjashtuese që kanë të bëjnë me implikime të mëhershme në pastrimin e parave, apo botën e krimit të organizuar. Manja ka siguruuar ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme se Ministria e Drejtësisë do të jetë përherë në krah të tyre. “Ne jemi këtu si garancia juaj. Mos na shihni si egzekutivi që heq liçensat. Ju dhe të tjerët që do të mund të jenë pjesë e shërbimit, do të rregjistroheni në rregjistrin e Ministrisë së Drejtësisë, ku do të pajiseni me të gjithë aksesorët dhe do të vijoni punën tuaj. Ne jemi të gatshëm t’ju përkrahim. Edhë përgjatë zbatimit të ligjit të ri, nëse do të ketë problematika, unë besoj se ju do të jeni të parët që do na vini në dijeni dhe së bashku të gjejmë rrugën më të mirë të zgjidhjes. Ju uroj punë të mbarë në shërbim të publikut”, ka mbyllur fjalën e tij z. Manja.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.