Gjykata Administrative, nis funksionimi - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 04/11/2013

Gjykata Administrative, nis funksionimi

Në ditën e parë të nisjes së funksionimit të Gjykatave Administrative, Ministri i Drejtësisë Z. Nasip Naço ka qenë i pranishëm në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.

Së bashku me Nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Z. Elvis Çefa, Ministri Naço ka vizituar ambjentet e kësaj gjykate ndërsa është njohur edhe me një pjesë të trupës gjyqësore dhe administratës.

Për mediat e pranishme në këtë aktivitet, Ministri i Drejtësisë Z. Nasi Naço deklaroi se janë marrë të gjitha masat nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Ministria e Drejtësisë për një funksionim normal të kësaj gjykate ndërsa ka i ka uruar për një vazhdimësi të mbarë pune kryetarin e gjykatës dhe trupën gjyqësore.

“Kjo gjykatë ka qenë mjaft e mirëpritur nga të gjithë gjyqtarët lidhur me të gjitha ankesat që ata kanë dhe i ka munguar vendit tonë për vite. Une besoj që sot shënohet një revolucion në sistemin e drejësisë ndërsa do të vijohet edhe me reforma te tjera”, u shpreh Ministri Naço.

Gjithashtu Z. Naço garantoi se sot Gjykata Administrative është gati të fillojë punë njëkohësisht jo vetëm në Gjykatën e Tiranës por edhe në apel si edhe në të gjitha gjykatat e tjera, sipas përcaktimit të ligjit.

Ndërkaq, Ministri Naço deklaroi se shumë shpejt në parlament do të shkojë edhe kodi i procedurës administrative, ndryshimet që do të bëhen në kodin civil dhe në atë penal, të cilat janë ndryshime dhe reforma që i shërbejnë sistemit për të rritur besimin e qytetarëve në gjyqësor por edhe për të përmbushur pritshmëritë e ndërkombëtarëve.

***

Qëllimi i krijimit të Gjykatës Administrative është garantimi i mbrojtjes efektive të të drejtave subjektive dhe interesave të ligjshëm të personave nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme. Përmes tyre synohet krijimi i kushteve të përshtatshme për një shqyrtim efektiv duke vënë në vend të drejtat e cënuara nga veprimet dhe/ apo aktet administrative të nxjerra nga organet publike.

Gjykatat administrative do të garantojnë mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të personave nëpërmjet detyrimit që i vihet organeve publike të provojnë ligjshmërinë e formës dhe të përmbajtjes të veprimit administrativ të nxjerrë prej tyre. Ato do të gjykojnë mbi aktet shkresore dhe mosparaqitja e palëve nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit.

Drejtësia administrative luan një rol vendimtar në disa aspekte me rëndësi:

  • Në zhvillimin ekonomik të një vendi. Pothuajse të gjitha vendimet për investime apo projekte për infrastrukturën, duhet të kalojnë përmes një procesi licencimi, i cili mund të bëhet subjekt i një shqyrtimi ligjor nga gjykatat administrative.
  • Rrit gjithashtu transparencën e vendimeve administrative dhe mund të luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.
  • Stimulon modernizimin e administratës publike, duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve të saj dhe si pasojë, rrit besimin e qytetarëve për institucionet shtetërore.

Përsa i përket kompetencës lëndore, Gjykata Administrative është kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve që lidhen me veprimet administrative, marrëdhëniet e punës të rregulluara nga Kodi i Punës, në të cilat punëdhënësi është një organ publik; si dhe një akt nënligjor normativ të organeve qendrore apo organeve të njësive të qeverisjes vendore.