Gjonaj takohet me ministrin e Burgjeve të Britanisë, mbështetje për nismat antikrim të Qeverisë Shqiptare - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 07/02/2019

Gjonaj takohet me ministrin e Burgjeve të Britanisë, mbështetje për nismat antikrim të Qeverisë Shqiptare

 

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe, gjatë së cilës është takuar me Ministrin e Burgjeve z. Rory Stewart, Sekretarin për Punët e Brendshme, z. Philip Rutnam dhe shefin ekzekutiv të Zyrës së Rekordeve Kriminale (ACRO) z. Rob Price.

Në takimet e veçanta bilaterale me zyrtarët britanikë, ministrja e Drejtësisë ka marrë mbështetjen e plotë për nismat antikrim që qeveria shqiptare ka ndërmarrë tashmë, sikurse për reformat e thella që janë duke u kryer, e në veçanti për reformën në sistemin penitenciar.

Ministrja e Drejtësisë dhe ministri britanik për burgjet diskutuan mbi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe me fokus specifik bashkëpunimin në fushën e burgjeve dhe reformës gjyqësore. Të dy vendet kanë punuar ngushtë ndër vite dhe në mënyrë produktive mbi këto çështje dhe të dy ministrat theksuan rëndësinë e vazhdimit të këtij  angazhimi, duke shprehur besimin në vijimin dhe forcimin e këtij bashkëpunimi.

Në takimin me Sekretarin për Punët e Brendshme, z. Philip Rutnam, ministrja Gjonaj ka folur lidhur me masat antikrim që po ndërmerr qeveria shqiptare, ndër të cilat ka veçuar regjimin e ri të sigurisë në burgje si dhe paketën antikrim që është duke u përgatitur nga Ministria e Drejtësisë.

Lidhur me regjimin e ri të sigurisë në burgje, ministrja Gjonaj tha: “Se me ndryshimet e fundit ligjore të miratuara nga parlamenti, parashikohet vendosja në një regjim të posaçëm izolimi e të dënuarve për vepra penale, të krimit të organizuar, terrorizmit apo ekstremizmit të dhunshëm.

Rutnam përshëndeti nismat e MD dhe nënvizoi rëndësinë që ka ndërprerja e lidhjeve që elementet kriminale të organizatave kriminale në burgje tentojnë të mbajnë me botën jashtë, për të ndjekur aktivitet e tyre kriminale. Sipas tij, qeverinë britanike është e gatshme të mbështesë me ekspertizë, si dhe nga ana financiare, rritjen e sigurisë në burgje e Shqipërisë.

Në takimin me shefin e Zyrës së Rekordeve Kriminale (ACRO), ministrja Gjonaj ka vlerësuar mbështjejen e dhënë nga kjo zyrë, që ka rezultuar me një bashkëpunim mjaft produktiv në muajt e fundit, por nënvizoi se është shumë e rëndësishme të shkohet më tej në një tjetër nivel.

Z. Price nga ana e tij, ka vlerësuar punën e mirë të bërë nga autoritetet shqiptare dhe bashkëpunimin frytdhënës në mënyrë të ndërsjelltë. Ai theksoi se ACRO është shumë e kënaqur me rezultatet pozitive në shkëmbimin e të dhënave kriminale me Shqipërinë.