Gjonaj në Strasburg: Reforma në Drejtësi, thelbësore për zbatimin me efikasitet të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 28/06/2018

Gjonaj në Strasburg: Reforma në Drejtësi, thelbësore për zbatimin me efikasitet të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

 

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka marrë vlerësime pozitive dhe mbështetje të plotë për zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës gjatë takimeve zyrtare që ka zhvilluar në Strasburg me zyrtarët e lartë të Këshillit të Evropës.

Ministrja Gjonaj është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, z. Thorbjørn Jagland. Impresionuese, e ka konsideruar Reformën në Drejtësi, z. Jagland. “I kam ndjekur me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe mund të them se reforma është impresionuese”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i KiE.

Çështja e pronave, zbatimi i rekomandimeve të mekanizmave monitorues të Këshillit të Evropës dhe rezultatet e suksesshme të raportit të Greco-s për Shqipërinë, ishin çështjet kryesore që u diskutuan në takim.

Pjesë e axhendës së vizitës së ministres Gjonaj ishte dhe takimi me Presidenten e sapozgjedhur të Asamblesë Parlamentare, znj. Liliane Maury Pasquier. Presidentja ka përgëzuar ministren Gjonaj për punën e bërë deri tani me Reformën në Drejtësi. Ajo siguroi se do të raportojë mbi progreset e aritura dhe konfirmoi se në shtator do të vizitojnë Shqipërinë reporterët e Asamblesë Parlamentare për të raportuar mbi arritjet konkrete të Shqipërisë.

Në takimin me Presidentin e GJEDNJ-së, z. Guido Raimondi vlerësoi rëndësinë që ka Reforma në Drejtësi në rritjen e besimit të publikut ndaj sistemit gjyqësor. Në takim u theksua se Reforma në Drejtësi është thelbësore për zbatimin me efikasitet të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) në sistemin gjyqësor kombëtar. Pjesë e diskutimeve ishin edhe çështjet që presin për t’u shqyrtuar në GJEDNJ, si dhe angazhimi serioz i qeverisë shqiptare për ta bërë mekanizmin e kompensimit të pronave sa më efektiv. Ministrja Gjonaj e siguroi Presidentin për masat që qeveria ka ndërmarrë për ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së.

Ministrja Gjonaj pati mundësinë të takonte edhe Presidentin e Komisionit të Venecias, z. Gianni Buquicchio, i cili e vlerësoi si të suksesshme Reformën në Drejtësi krahasuar me vendet e tjera të rajonit, që aspirojnë të bëhen pjesë e familjes evropiane. Ai shprehu konsideratën e tij për mënyrën se si procesi po zhvillohet dhe tha se ishte shumë krenar për punën e mirë që është bërë së bashku me Komisionin e Venecias. Në të ardhmen pritet që Komisioni i Venecias të japë kontributin e tij në reformën zgjedhore.

Ministrja Gjonaj i informoi gjerësisht zyrtarët e lartë të Këshillit të Evropës me ecurinë e deritanishme të zbatimit të reformës. Ajo u shpreh se pas përfundimit të procesit të vettingut të kandidatëve, në muajin shtator parashikohet fillimi i ngritjes së institucioneve të reja.

Në takime u konfirmua fryma e mbështetjes për vijimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe një sërë reformash që qeveria ka ndërmarrë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe forcimit të shtetit të së drejtës.

Reforma e pronës ka qenë një tjetër çështje e rëndësishme e trajtuar në takimet zyrtare të Ministres Gjonaj në Këshillin e Evropës. Ministrja Gjonaj është shprehur se qeveria ka marrë një sërë masash për këtë çështje duke e kthyer mekanizmin e kompensimit të pronave në një mekanizëm efektiv edhe nëpërmjet plotësimit të bazës ligjore të ligjit për trajtimin e pronës, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe në përputhje me qëndrimin e Komisionit të Venecias.

Nga ana e tij Presidenti i GJEDNJ-së, Guido Raimondi vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë në ratifikimin e Protokollit 16 të KEDNJ-së, protokoll i cili kontribuon në rritjen e bashkëpunimit midis GJEDNJ-së dhe gjykatave kombëtare. Hyrja e tij në fuqi në datën 1 gusht 2018, do ta sjellë vendimmarrjen e Gjykatës së Strasburgut shumë më pranë sistemit gjyqësor dhe qytetarëve shqiptarë.

Ministrja Gjonaj ka informuar gjithashtu bashkëbiseduesit edhe për ecurinë e procesit të emërimit të gjyqtarit të GJEDNJ-së nga Shqipëria.