Gjonaj në Paris - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 30/04/2018

Gjonaj në Paris

Gjonaj në Paris

Shqipëria, masa konkrete për luftën kundër terrorizmit

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, morri pjesë në konferencën “No Money for Terror” që u zhvillua në Paris me iniciativë të Presidentit francez, Emmanuelle Macron, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër financimit të terrorizmit. Në fjalën e mbajtur prej saj, Ministrja Gjonaj e vuri theksin te mbështetja e vendosur që Shqipëria ka dhënë në luftën globale kundër terrorizmit, përmes pranisë së saj përkrah aleatëve tanë në zonat e krizës, si dhe te masat konkrete legjislative dhe institucionale të ndërmarra nga qeveria shqiptare për parandalimin dhe hetimin e fenomenit të ekstremizmit dhe terrorizmit. Përfshirja e Shqipërisë në strukturat dhe rrjetet ndërkombëtare ka siguruar tashmë një nivel të lartë shkëmbimi të informacionit lidhur me terrorizmin dhe financimin e tij. Gjonaj theksoi rëndësinë që kanë proceset integruese në BE në forcimin e bashkëpunimit dhe rezultatet në luftën kundër krimit. “Për këtë qëllim, vlerësoi ajo, është e rëndësishme mbështetja e shteteve anëtare të BE dhe të Republikës Franceze në veçanti, në hapjen e procedurave të anëtarësimit të Shqipërisë në hapësirën e përbashkët europiane”. Gjatë konferencës ministrja Gjonaj u takua me Presidentin Emmanuel Macron dhe homologen franceze Nicole Belloubet, me të cilët diskutoi mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe më gjerë me vendet e Aleancës, si një garanci për suksesin e luftës kundër terrorizmit.