Gjonaj në konferencën e Kopenhagenit, mbështetje për reformimin e GJEDNJ - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 13/04/2018

Gjonaj në konferencën e Kopenhagenit, mbështetje për reformimin e GJEDNJ

  • Gjonaj në konferencën e Kopenhagenit, mbështetje për reformimin e GJEDNJ

 

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka marrë pjesë në Konferencën e nivelit të lartë të Ministrave të Drejtësisë të vendeve të Këshillit të Evropës me temë “Reforma në sistemin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – ekuilibër më i mirë, mbrojtje e përmirësuar”.

Konferenca është zhvilluar në datat 11-13 prill 2018 në Kopenhagen të Danimarkës dhe në të kanë marrë pjesë delegacionet e 47 shteteve.

Konferenca kishte si qëllim arritjen e dakordësisë nga vendet pjesëmarrëse për një paketë thelbësore reformash, të cilat do të sigurojnë një vazhdimësi të sistemit të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që të jetë efektive dhe e balancuar.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj duke marrë fjalën në konferencë ka theksuar se: “Shqipëria ka treguar angazhim të plotë në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut si dhe në respektimin e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.

Nga ana tjetër ministrja ka theksuar se: “Gjykata Evropiane mund të trajtojë grupin e vendimeve që lidhen me probleme sistematike, për aq kohë sa shteti anëtar ka dhënë prova se janë krijuar mekanizma që konfirmojnë ekuilibrin e duhur midis të drejtave të individit dhe interesave të komunitetit”.

Ministrja shqiptare është ndalur në reformën në drejtësi që po kryhet në vendin tonë, të cilën e ka vlerësuar si unike dhe kurajoze. “Gjatë tre viteve të fundit Shqipëria ka ndërmarrë një Reformë të vështirë, unike, por kurajoze në sistemin e drejtësisë, për ta sjellë atë në standardet evropiane të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës”, është shprehur Gjonaj.

Respektimi i të drejtave të njeriut dhe mbrojtja e minoriteteve ka qenë një tjetër prioritet i qeverisë shqiptare, në të cilat sipas ministres Gjonaj ka pasur një progres domethënës.

Gjonaj ka folur edhe për reformën e pronës, që ka nisur qeveria duke theksuar se tashmë ka nisur zbatimi me efektshmëri i mekanizmit konkret ligjor për zgjidhjen e çështjes së pronave.

Në fund të konferencës së nivelit të lartë, ministrat e drejtësisë kanë miratuar edhe deklaratën e përbashkët, për hapat e mëtejshëm që duhen marrë në drejtim të reformimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Në emër të Qeverisë Shqiptare, ministrja Gjonaj ka garantuar mbështetje të plotë për Deklaratën e Kopenhagenit dhe angazhim në zbatimin e kësaj reforme me qëllim sigurimin e sitemit efektiv dhe të balancuar në mbrojtje të të drejtave të njeriut.