“Forumi Kombëtar”, Ministri Naço prezanton nismat kundër korrupsionit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 10/12/2014

“Forumi Kombëtar”, Ministri Naço prezanton nismat kundër korrupsionit

I pranishëm gjatë Forumit Kombëtar Kundër Korrupsionit, Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço ka prezantuar të gjitha nismat dhe hapat e ndërmarra nga institucioni që ai drejton, në përgjigje të luftës kundër korrupsionit dhe formave përmes së cilave shfaqet ky fenomen.

 

Ndërsa u ndal në ndikimin e drejtpërdrejtë që kanë sjellë masat e deritanishme, z. Naço theksoi se si rrjedhojë e tyre është shembur muri i pandëshkueshmërisë, kultura e “kompromisit” si dhe është hedhur poshtë miti i të paprekshmëve në sistemin gjyqësor.

 

Gjithashtu kreu i drejtësisë shqiptare vlerësoi ndër të tjera se ndërgjegjësimi qytetar dhe adresimi i ankesave të tyre, nxorri në pah dhe evidentoi raste flagrante të keqpërdorimit të detyrës dhe elementëve korruptive, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë ndërmori hapat ligjore dhe administrative, që mjetet në funksion të kësaj beteje kombëtare, të ishin të plota.

 

“Ne rritëm forcën ndëshkuese ndaj kësaj dukurie duke ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, për klasifikimin e korrupsionit si krim të rëndë, duke e luftuar me të njëjtat mjete dhe forma ashtu si luftohen bandat dhe organizatat kriminale. Hetimi dhe gjykimi nga prokuria dhe gjykata e krimeve të rënda do të bëhet jo vetëm për gjyqtarët, prokurorët dhe funksionarët e tjerë të drejtësisë, por dhe për funksionarët e lartë shtetërorë dhe të zgjedhurit vendor. Gjithashtu amenduam ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, me qëllim  sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që ishin produkt i korrupsionit, ku barrën e provës nuk e ka më prokurori , por personi, të cilit i është konfiskuar dhe sekuestruar pasuria”, u shpreh Z. Naço

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë z. Nasip Naço gjatë Konferencës Kombëtare Kundër Korrupsionit:

Proceset integruese të vendit përbëjnë një detyrim madhor për përmbushjen e reformave në sistemin e drejtësisë dhe politikave, në luftën kundër korrupsionit.

Mungesa e seriozitetit për ta përballur këtë fenomen, të trajtuar deri më sot vetëm me demagogji dhe slogane, na ka penalizuar shpesh, ndaj dhe hapat e ndërmarra duhet të hidheshin me kujdes, maturi dhe vendosmëri.

Ne u zotuam përpara të gjithë shqiptarëve, se lufta jonë kundër fenonemit të korrupsionit do të jetë pa asnjë dallim dhe për këtë premtuam  :

 

  • Ndërgjegjësimin e opinionit publik në luftën ndaj korrupsionit;
  • Parandalimin e këtij  fenomeni, nëpërmjet reformimit, modernizimit dhe dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë;
  • Dekurajim pa kompromis të korrupsionit;
  • Faqe të  re të sundimit të ligjit në Shqipëri;
  • Forcimin e bashkëpunimit  ndërinstitucional.

 

Qeveria shqiptare dhe Ministria e Drejtësisë, për realizim e këtyre premtimeve përpara qyetarëve, ndërmori masat e nevojshme për realizimin e tyre, duke filluar nga :

Masat  ndërgjegjësuese, nëpërmjet të cilave ne synuam rritjen e ndërgjegjes qytetare, duke i kërkuar që ata të jenë më aktiv në denoncimin e këtij fenomeni në çfarëdolloj forme që shfaqet .

Për këtë ne:

  • Krijuam Portalin “Stop korrupsionit në drejtësi” për denoncimin e rasteve korruptive;
  • Miratuam rregullat e reja për të drejtën e informimit.
  • Si dhe vijuam punën për shtrirjen e regjistrimit të seancave gjyqësore me sistemin audio.
  • Ndërkohë që nxitëm ndërgjegjen qytetare si dhe shoqërinë civile të ishin aktive dhe pjesëmarrëse në këtë betejë jo të lehtë, ne kishim detyrimin për ta parandaluar shfaqjen e këtij fenomeni dhe për këtë ndërmorëm disa masa Parandaluese, që konsistuan në:
  • Përmirësimin e sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve gjyqësore (ICMIS), dhe e zgjeruam atë;
  • Krijuam kuadrin e nevojshëm ligjor për funksionimin dhe aksesimin në Regjistrin Noterial Shqiptar (RNSH);
  • Ne realizuam regjistrimin dhe dixhitalizimin e të gjithë vendimmarrjes së AKKP-së, ndër vite, përmes skanimit dhe regjistrimit në një data-bazë të unifikuar, pra arritëm të përfundojmë në një vit atë që nuk u bë në 23 vitet e kaluara.
  • Gjithashtu në drejtim të futjes në rrugën e zgjidhjes të çështjes së pronësisë, ne vijuam procesin e regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme, për të patur një sistem të të drejtave pronësore të konsoliduar.

 

  • Masat ndëshkuese.  Nuk mund të kuptohet që të luftosh fenomenin korruptiv, pa bërë një ndëshkim të drejtë dhe të merituar të autorit të tij.

E ndërsa ndërgjegjësimi qytetar dhe adresimi i ankesave të tyre, nxorri në pah dhe evidentoi raste flagrante të keqpërdorimit të detyrës dhe elementëve korruptiv, ne ndërmorën hapat tona ligjore dhe administrative që mjetet, në funksion të kësaj beteje kombëtare, të ishin të plota.

Ne rritëm forcën ndëshkuese ndaj kësaj dukurie duke:

  • Ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, për klasifikimin e korrupsionit si krim të rëndë, duke e luftuar me të njëjtat mjete dhe forma ashtu si luftohen bandat dhe organizatat kriminale;

Hetimi dhe gjykimi nga prokuria dhe gjykata e krimeve të rënda do të bëhet jo vetëm për gjyqtarët, prokurorët dhe funksionarët e tjerë të drejtësisë, por dhe për funksionarët e lartë shtetërorë dhe të zgjedhurit vendorë, të cilët janë :

  • Funksionarët e emëruar nga Presidenti, Kuvendit, Kryeministri,
  • Të zgjedhurit vendorë, kryetar bashkish, komunash, etj

 

  • Amenduam ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, me qëllim  sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që ishin produkt i korrupsionit, ku barrën e provës nuk e ka më prokurori , por personi, të cilit i është konfiskuar dhe sekuestruar pasuria.
  • Si dhe forcuam bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese vendase dhe të huaja.

Nëpërmjet masave të marra dhe zbatimit të tyre në praktikë, ne arritëm t’i përmbushnim premtimet tona, në një kohë të shkurtër dhe me rezultatin maksimal të mundshëm, për kushtet në të cilat ishte trashëguar sistemi.

  • Sot ne kemi bërë progres në drejtim të renditjes së Transparency Internacional për korrupsionin.
  • Një vit më parë vendi ynë renditej në vend të 116, sot në vend të 106, një rezultat ky që nuk duhet të përbëjë arsye për vetkënaqësi, por të jetë një shtysë në rrugën tonë të përbashkët për të luftuar në çdo qelizë korrupsionin.

Ky është një tregues pozitiv që duhet thelluar dhe shpresojmë që korniza reformatore të ketë një impakt të dukshëm dhe të lexueshëm në shifra inkurajuese.

Çdo qytetar mund të japi kontribut në drejtim të ndryshimit të fenomeneve korruptive. 

Ne mundëm që nëpërmjet Masave Ndërgjegjësuese, të rrisnim besimin e qytetarëve,  dhe nga kjo sot, ne evidentojmë se :

  • Në portalin elektronik “Stop Korrupsionit në Drejtësi” janë regjistruar rreth 864 ankesa, cfarë nënkupton shqetësim për sistemin dhe rritje të besimit ndaj qeverisjes.

 

  • Nga shqyrtimi këtyre ankimeve dhe rasteve të bëra publike nga qytetarët, kemi vlerësuar dhe dërguar për trajtim të mëtejshëm në organin e Prokurorisë 18 raste, KLD-së 3 ankesa, ILDKP-së 3 ankesa, ndërkohë që pjesa tjetër e këtyre ankesave është dërguar për trajtim institucioneve të tjera ligjzbatuese.

Nëpërmjet Masave Parandaluese, nuk pretendojmë që fituam tërësisht luftën ndaj korrupsionit, por mund të themi me plot gojë që kemi fituar betejat më të rëndësishme, ndërsa energjitë tona kundër këtij fenomeni, nuk do të shterojnë.

Deri tani kemi arritur të ;

  • Zgjerojmë shtrirjen e sistemit të regjistrimit me audio të seancave gjyqësore në:
    • 24 gjykata rrethi dhe apeli;
    • 115 salla gjyqi;
    • Ndërkohë që janë 663 persona të  trajnuar, nga të cilët :
      • 252 gjyqtarë;
      • 391 nëpunës të administratës gjyqësore;
      • 20 inspektorë të gjyqësorit.
  • Nëpërmjet punës së kryer ne zgjeruam implementimin e sistemit elektronik të menaxhimit të  çështjeve gjyqësore (ICMIS) në 29 gjykata rrethi e apeli.
  • Në 35 zyra vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme sot funksionon aplikimi i sistemit  elektronik të pasurive të paluajtshme;
  • 345.000 pasuri të paluajtshme janë të regjistruara në regjistrin elektronik të pasurive (krahasimisht me regjistrimin modest prej 160.000 pasuri të regjistruara në 6 vitet e kaluara);
  • 47.000 vendime për kthim dhe kompensim prone të hedhura ne “Regjistrin Elektronik” për të gjitha dosjet e shqyrtuara dhe për të cilat ka një vendim përkatës
  • Ndërkohë që në proces, është një tjetër çështje prioritare, që lidhet me krijimn e listës elektronike të vendimmarrjes, për kompensim nga viti 1993 e deri më sot.
  • Krijimi i Sistemit të Pozicionimit Global Shqiptar, ALBPOS, si nje mjet për ndërtimin e një reference të re koordinative për vendin tonë, e cila do të jetë me të njëjtat parametra me atë të vendeve Europiane.

 

Ne ndamë me qytetarin shqetësimin se njëqind kriminelë nuk bëjnë më shumë të këqija se sa një gjyqtar i korruptuar.

Me forcimin e Masave Ndëshkuese, ne arritëm të rrisim klimën e besimit qytetar.

Sot për shkak të të gjitha reformave të ndërmarra, të cilat thyhen murin e pandëshkueshmërisë dhe kompromisit, me siguri mund të them se kemi hedhur poshtë mitin e gjyqtarëve të paprekshëm :

 

Janë nën akuzë 6 funksionarë të sistemit gjyqësor për korrupsion dhe fshehje pasurie:

  •  2 gjyqtarë në gjykim të akuzuar për veprën penale të korrupsionit;
    • 1 prokuror në gjykim për veprën penale të korrupsionit;
  • 3 gjyqtarë në hetim mbi kallzimin penal të ILDKPI-së.

Sot janë:

  • 27 gjyqtarë të proceduar me masa disiplinore gjatë 1(një) viti, aq sa nuk është kërkuar për 8 vitet e fundit;
  • 1 gjyqtar i shkarkuar dhe 1 gjyqtar tjetër i pezulluar për korrupsion;

 

Për të vënë në zbatim vullnetin tonë të palëkundur ne jemi të vendosur për të mos bërë asnjë kompromis :

  • Që gjyqtarët t’i përdorin duart vetëm për çekiçin e drejtësisë, dhe të mos guxojnë që t’i fusin ato në xhepat e qytetarëve.

 

Shpreh bindjen se konkluzionet e kësaj konference do të shërbejnë si një premisë për thellimin e një procesi gjithpërfshirës të reformave në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit.